Frutat & Perimet

Rrushi, babai i verës, mbreti i tavolinës / Vlerat e rrushit në shëndet

Rrushi është fryti që na “dhuron” verën, pijen më fisnike që na shoqëron në çdo festë, ngjarje të rëndësishme apo thjesht në ditët e zakonshme të jetës. Me origjinë të panjohur, shkrimet dhe legjendat e vjetra tregojnë se rrushi kultivohej kryesisht në një zonë të madhe mes Evropës, Afrikës së Veriut dhe Azisë, rreth 8000 vjet më parë.

Vendlindja e tij evropiane është Franca, ku bimët e hardhisë u sollën nga fenikasit në vitin 600 para Krishtit, ndërsa romakët e sollën në Gjermani në shekullin e fundit pas Krishtit. Në kontinentin aziatik, e sidomos në Kinë, rrushi dhe pijet e prodhuara prej tij, mbërritën falë tregtisë nga Arabia në shekullin e dytë p.e.s.

Aktualisht, prodhimi botëror i rrushit që përdoret si fryt tavoline i kalon 70 milionë kuintalë në vit, ndërsa Italia mban vendin e parë me më shumë se 15 milionë të tillë. Sipas FAO-s, 75.866 mijë kilometra katrorë e të gjithë botës i është dedikuar kultivimit të këtij fryti magjik. Po sipas të dhënave të kësaj organizate, rreth 71 për qind e prodhimit botëror të tij përdoret për bërjen e verës, 27 për qind për përdorimin si fryt tavoline dhe 2 për qind për t’u tharë. Po ashtu, një pjesë e mirë e tij shkon për prodhimin e lëngut, i cili përdoret si ëmbëlsues për produktet që përmbajnë etiketat “pa sheqer të shtuar” apo “100 për qind natyral”. Nga ana tjetër, është për t’u theksuar fakti se zonat që i dedikohen rrushit për prodhimin e verës po rriten me rreth 2 për qind në vit. I cilësuar si mbreti i tavolinës, varietetet e ndryshme të tij ngjajnë shumë pak me njëri-tjetrin.

Rrushi ka veti të mira ushqimore e dietike. Kokrrat e tij përmbajnë sasi të konsiderueshme sheqeri, që shkon deri në 25%, acide organike, kripëra të kalciumit, të hekurit, vitaminë B dhe C, lëndë tanike etj. Por rrushi ose lëngu i tij përdoret gjerësisht edhe për qëllime terapeutike. Ai këshillohet të përdoret nga ata që vuajnë nga gurët në veshka, nga nefritet, ata që kanë gurë në mëlçi, probleme me fshikëzën e urinës, apo tek njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut. Ka efektshmëri të lartë edhe tek të sëmurët nga pleurititi, bronkiti kronik, në rastet me astma bronkiale të formës së lehtë e të mesme, si dhe në sëmundjet e mushkërive. Një bistak mesatar rrushi është i barasvlefshëm me dy gota uji meqenëse rreth 80 për qind e tij përbëhet nga uji, një mënyrë shumë natyrore, për të larguar helmet nga veshkat, për të mbajtur gjakun të pastër dhe për të luftuar grumbullimin e likuideve, që një nga shkaktarët kryesorë të celulitit. Këshillohet të hahet me gjithë lëkurë, pasi është shumë e pasur me fibra dhe ndihmon në pastrimin e zorrëve. Jo më kot thonë se aty ky hyjnë frutat, nuk hyn mjeku. I vetmi përjashtim është se nuk rekomandohet të përdoret nga diabetikët, sepse përmban shumë sheqer. Aq shumë veti pozitive ka ai, sa që kohët e fundit dietologët e kanë cilësuar si bazën e ampelo-terapisë, ose kurës me bazë rrushin, që konsiston në reduktimin progresiv të të gjitha ushqimeve, deri sa arrihet vetëm në ngrënien e tij deri në dy kilogramë në ditë. Një këshillë vërtet e vlefshme për të gjithë ata që duan të bien nga pesha. Në të vërtetë, kjo është edhe një nga dietat më të përdorshme nga yjet e famshëm të Hollivudit. Por përveç vetive të shumta distike dhe terapeutike, është shumë i njohur përdorimi i tij edhe në kuzhinë, nga përgatitja tradicionale e marmelatave, lëngjeve, reçelrave, kompostove e deri tek përdorimet më origjinale dhe moderne, si shoqëruesi më i mirë mishit të bardhë apo peshkut. Shefat e rinj të kuzhinës thonë se ata që nuk e kanë provuar çokollatën e shkrirë të përzier me lëng dhe kokrra të thata rrushi, nuk e dinë çdo të thotë të shijosh një ushqim apo të falënderosh natyrën për dhurata kaq të arta.

Pastruese: Një bistak mesatar rrushi është i barasvlefshëm me dy gota uji, meqenëse rreth 80 për qind e tij është ujë. Në këtë mënyrë, largon helmet nga veshkat, mban gjakun të pastër nëse hahet me gjithë lëkurë, e cila është shumë e pasur me fibra, ndihmon në pastrimin e zorrëve.

Energjike: E gjithë merita qëndron në përqendrimin e sheqernave që janë një ndihmesë e madhe për të bërë të ndihen energjik të gjithë ata që merren me aktivitete sportive

Antistres: Meqenëse përmban metatoninë, një hormon i rëndësishëm për të rregulluar ciklet gjumë-zgjim, konsumi i tij garanton një fjetje të qetë në darkë

Vitaminë C

Forcon kockat dhe muret e kapilarëve, sistemin imunitar, aktivizon mekanizmat kundër radikaleve të lira. Gjithashtu, ai përmban edhe antocianinë, kurecinë që kanë veti antioksiduese dhe antibakteriale dhe ndikon në rritjen e kolesterolit “të mirë” në gjak.

Sipërfaqja

Sipas FAO-s, 75.866 mijë kilometra katrorë e të gjithë botës i është dedikuar kultivimit të këtij fryti magjik. Po sipas të dhënave të kësaj organizate, rreth 71 për qind e prodhimit botëror të tij përdoret për bërjen e verës

Dietik

Kohët e fundit dietologët e kanë cilësuar si bazën e ampelo-terapisë, ose kurës me bazë rrushin, që konsiston në reduktimin progresiv të të gjitha ushqimeve, deri sa arrihet vetëm në ngrënien e tij deri në dy kilogramë në ditë

Maska

Për një fytyrë që shkëlqen

Që në kohët e lashta, ky fryt njihej për cilësitë depurative, ndaj tashmë industritë e mëdha të kozmetikës e kanë zbuluar që përbërësit e tij aktivë kanë një fuqi të madhe antioksiduese. Ai është jashtëzakonisht i mirë për të hidratuar, ushqyer dhe bonifikuar lëkurën dhe ndihmon në parandalimin e plakjes së saj. Kështu për të pasur një fytyrë më të shndritshme dhe më të pastër, këshilla është shumë e thjeshtë. Lëngu i përftuar nga shtrydhja e një bistaku rrushi lihet të fermentohet për disa orë, pastaj vendoset në lëkurë, duke shmangur pjesën rreth syve. Pasi lihet të veprojë për 20 minuta, shpëlahet me ujë të bollshëm. Efekti? Pastrues dhe regjenerues. Sepse një përgatitje e tillë është edhe kundër rrudhave, duke e bërë lëkurën të duket më e pastër dhe më e shëndetshme se kurrë.

Lexoni edhe: