Ruçi: Propozojmë që të shqyrtojmë në fillimin statusin e të verbrit

Në nisje të seancës parlamentare ku njëra prej pikave të rendit të ditës është edhe diskutimi i projektligjeve “Për statusin e të verbrit” dhe “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi ka kërkuar që kjo pikë të diskutohet e para, duke iu referuar një kërkese të të verbërve dhe paraplegjikëve që janë duke protestuar para parlamentit. “Aktualisht zhvillohet një demonstrim i të verbërve para Kuvendit. Ata kanë depozituar kërkesë që një përfaqësi e tyre të asistojnë në punimet e Kuvendit. Kërkoj që kjo kërkesë e tyre të merret parasysh, duke parë edhe pamundësitë e tyre fizike për të qëndruar në pritje”, tha Ruçi. Ai e cilësoi të papranushme pengesën që i është bërë kësaj kategorie në Shkodër. “S’na vjen mirë që policia bashkiake e Shkodrës nuk lejon të verbërit të vijnë në protestë, ky një veprim i paprecedentë”, tha ai më tej. Ndërkohë që kërkesa e deputetit socialist, është marrë pasasysh nga kryeparlamentarja Topalli, e cila pas konsultimit edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së Astrit Patozi ka vendosur të lejojë një përfaqësi prej 10 vetash në Kuvend. Një grup i përfaqësuesve të të verbërve ka hyrë në seancën plenare, ku do të diskutohet çështja për statusin e të verbërve. Ndërkohë Kuvendi pritet që të shqyrtojë sot dy projektligjet “Për statusin e të verbrit” dhe “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”.  Këto projektligje janë kundërshtuar nga shoqata e personave me aftësi të kufizuar, të cilët theksojnë se ky vendim qeverie u heq të drejtën për transport falas dhe kompesimin e faturës së telefonisë dhe enegjisë elektrike. Personat me aftësi të kufizuar po protestojnë para parlamentit duke kërkuar të mos kalojnë ndryshimet në ligjin “Për statusin e të verbrit:“ si dhe ne ligjin “Për statusin invalidit paraplegjik dhe tetraplegjike”. Ata kanë kërcënuar me forma ekstreme të protestës nëse parlamenti miraton ndryshimet që u ul përfitimet kësaj kategorie. Sipas tyre nëse nuk do të marrin sinjale pozitive, atëherë nuk do të përjashtojnë edhe sakrificat deri në vetëflijim.

Comments are closed.