Ruçi takim me delegacionin kinez: PS po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi së bashku me nënkryetarin e Kuvendit Namik Dokle, kanë zhvilluar një takim me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të R.P e Kinës dhe Sekretarin e Parë të Partisë për Pekinin, Liu Çi dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim, Ruçi është shprehur se Partia Socialiste po bëhet gati për zgjedhjet e ardhshme duke veçuar dy prioritete themelore, atë për të fituar kohën e humbur për integrimin e saj europian dhe perspektivën për t`i dhënë vendit një Rilindjeje Shqiptare. Sipas Ruçit, PS-ja kërkon t`i japë shqiptarëve një rilindje në aspektin politik, ekonomik, të rritjes së punësimit, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duke u ndalur në zhvillimet ekonomike dhe në krizën ekonomike kreu i Grupit parlamentar socialist tha se inkurajon biznesin kinez për të investuar në vendin tonë. Ndërkaq nga ana e tij, Liu Çi risolli në vëmendje se ka qenë kryetari Rama, më parë në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, që ka vendosur binjakëzimin mes Tiranës dhe Pekinit. Një binjakëzim që për Liu Çi është në interes të Tiranës, por edhe në interes të dy vendeve tona. Gjatë takimit u vu theksi në rritjen dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Duke u ndalur në zhvillimet ekonomike dhe në krizën ekonomike Kreu i Grupit parlamentar socialist tha se dëshirojmë të inkurajojmë biznesin kinez për të investuar në vendin tonë.