Samer: Shaqiri, lojtar i nivelit botëror

 

Futbollisti kosovar me nënshtetësi zvicerane, Xherdan Shaqiri, ka bërë një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme në fanellën e Bajernit të Munihut, duke qenë protagonisti kryesor në fitoren bindëse 6:1 kundër Volfsburgut, në gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë. Xherdani shënoi golin e tretë në këtë ndeshje dhe kontribuoi me dy asistime për shokët e tij. Por, mesfushori kosovar ka pranuar se pavarësisht fitoreve bindëse në ndeshjet e fundit, bavarezët janë të shpërqendruar, pasi po mendojnë vetëm për sfidën e mesjavës së ardhshme në Ligën e Kampionëve kundër Barcelonës. “Dëshironim shumë të arrinim në finalen e kupës por ishte e vështirë. Bisedat e vazhdueshme rreth Barcelonës e kanë bërë të vështirë të përqendroheshim siç duhej për ndeshjet e radhës. Sidoqoftë ia dolëm mbanë dhe arritëm të kontrollonim qetësisht ndeshjen kundër Volfsburgut”, ka theksuar Shaqiri. Ndërkohë, paraqitjen e mirë të kosovarit e ka lavdëruar edhe drejtori sportiv, Matias Samer. “Jemi shumë të lumtur për kualifikimin në finale. Shaqiri ishte ’lojtari i ndeshjes’ për ne. Ai tregoi se është lojtar i nivelit botëror”, ka thënë Samer. Shaqiri në këtë edicion në të shumtën e rasteve është paraqitur si zëvendësues për shkak të konkurrencës tepër të fortë, por ka arritur që të shënojë 7 gola dhe 12 asistime.