Uncategorized

Seit Qemali ngriti flamurin shqiptar, më 26 nëntor 1912, në Llogara

Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare

Nga Fari SHASKA

Ndryshe i flisnin edhe Seit Musai apo Seit Shurdhi, sepse ishte shurdh. Autodidakt i admirueshëm, i pajisur me një inteligjencë dhe guxim të rrallë. Kishte mbetur që i vogël shurdh dhe kjo mungesë duket se i shkaktoi një kompleks inferioriteti të fortë dhe prandaj donte të ishte kudo i pari.

Kishte marrë pjesë në lëvizjet patriotike kundër Turqisë dhe në vitin 1905 ishte internuar në Janinë, së bashku me Qamil Risilinë, Kolë Karbunarën, Elamz Xhaferin e Jorgo Kolekën.

Seit Qemali, së bashku me Hasan Sharrën, Hasim Kokoshin, Osman Haxhiun, kanë qenë në delegacionin e Vlorës që pritën Mbretin e shqiptarëve, Princ Vidin, në Durrës, në mars të vitit 1914.

* * *

Seit Qemali lindi në Kaninë në vitin 1881, ishte i biri i Musa Seitit. Në moshën pesë vjeç kaloi sëmundjen e melingjitit, si pasojë mbeti shurdh. Këtë fatkeqësi e përjetoi me dhimbje kur filloi shkollën. Ai nuk mund të ndiqte mësuesit dhe nuk mund të duronte talljet e shokëve, kështu që nuk vajti më në shkollë.

 Nuk pranoi të ishte nën shokët e tij dhe prandaj iu vu studimit dhe me vullnet të hekurt arriti të mësojë turqisht, arabisht, italisht dhe frëngjisht, të cilat i fliste, i lexonte dhe i shkruante mjaft mirë.

Në greqisht e gjermanisht fliste dhe lexonte, por nuk ka shkrime të tij në këto gjuhë. Ky personalitet na paraqitet si një rast i veçantë autodidakt, pa shkuar në shkollë, u bë një nga intelektualët më të shquar të Vlorës dhe me zë në Shqipëri.

Gjyshi i tij, Dalan Seiti, kishte blerë nga familja Frashëri tokat e fshatit Goricë dhe Bestrovë.

Nga djemtë e Dalanit, Selfua u vendos në Goricë dhe Seiti në Bestrovë, ata blenë në Vlorë troje dhe ndërtuan në lagjen Muradie shtëpitë e tyre dykatëshe përball njëri tjetrit, që janë edhe sot. Musa Seiti banonte njëkohësisht në Kaninë, në Vlorë dhe në Bestrovë.

* * *

Seit Musai ose siç i flisnin në popull Seit Shurdhi, shumë shpejt krijoi personalitetin e tij, si intelektual e atdhetar, sidomos nëpërmjet artikujve që botoi në gazetat “Albania” të Faik Konicës dhe “Liria” të Midhat Frashërit, shkrimet më të hershme, që kemi datojnë në “Albania” në vitin 1902 dhe në “Liria” në vitin 1908. Në këta artikuj ndërmjet të tjerave ka ngritur problemin e domosdoshmërisë së saktësimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të përhapjes sa më shumë të shkrimeve shqip. Ai shkroi, gjithashtu, në gazetat turke dhe italiane. Tamam në këtë kohë ai mori mbiemrin “Qemali”, që në turqisht do të thotë “i ditur”. Këtë titull për të njëjtën arsye e kishte marrë më parë edhe Ismail bej Vlora, që u quajt më pas Ismail Qemali. Asnjëri prej tyre nuk kishte paraardhës me emrin Qemal. Ai shkroi në të gjitha gazetat e kohës në Shqipëri, shpeshherë dhe në ato të huaja. Në vitin 1921, ishte ndër

personalitetet kryesorë që themeluan “Federatën Atdheu”, iniciator i së cilës ishte Avni Rustemi. Federata botoi organin e saj “Atdheu” drejtor i së cilës u emërua Seit Qemali. Në këtë revistë, Seit Qemali, ndërmjet të tjerave, shtroi problemin e bashkimit të Federatës “Atdheu” me Federatën “Vatra” të Amerikës dhe për këtë pati një

polemikë të gjatë me mikun e tij Faik Konicën.

Në vitet 1923-1924, Seit Qemali drejtoi gazetën “Politika”, që botohej në Vlorë me redaktor politik Halim Xhelon. Më pas, ka botuar gazetën “Jeta e Re” me drejtor, pronar e kryeredaktor djalin e tij Av. Dr. Sezai Qemalin. Në këtë mënyrë, Seit Qemali u bë përfaqësuesi kryesor i shtypit në Vlorë dhe një nga gazetarët më të njohur e më të mirë në Shqipëri.

Artikujt e tij kishin karakter patriotik, politik, filozofik, historik, ekonomik dhe kritik letrar dhe ishin të vlerësuar si p.sh: Luigj Gurakuqi, më 27 maj 1923, i përgjigjet një kritike të Seit Qemalit: “Kritikat e gazetarëve të aftë e të ndershëm, si miku i jem, z. Seid Kemali, janë kurdoherë të vlefshme e ndihmojnë për me nxjerrë në shesh të vërtetën”.

Halim Xhelua i drejtohet Seid Qemalit, për vlerësimin e patriotëve vlonjat “Ti, që të janë thyer me plumba të dy duart më 1914 nga rebelët në fushë të Myzeqesë, duke luftuar për Atdhe, je në gjendje të çmosh e të adhurosh veprat e burrave atdhetar, që shënoj në këtë artikull”.

Seit Qemali kishte një bibliotekë të pasur me libra filozofik, historik e shkencor, shumë pak

romane në bibliotekën e tij. Kur lexon kritikat letrare të tij, njohuritë dhe vlerësimet e veprave

letrare pyet veten, pse mungojnë romanet dhe përgjigjen e nënkupton nga këshillat e tij “merruni me studim, jo me lexim”.

* * *

Aktivitetin patriotik e filloi që në moshë të re, me përhapjen e gjuhës shqipe. Në 1908-ën, si një nga themeluesit e “Klubit Labëria” për të mos rënë sërish në duart e turqve u arratis në Korfuz e

Napoli, së bashku me një grup vlonjatësh. Bashkëpunoi me Ismail Qemalin, Dervish Himën,

Faik Konicën, Mithat Frashërin etj. Në 1912, Ismail Qemali e ngarkoi të ngrinte flamurin

në Llogora, më 26 nëntor 1912 dhe të qëndronte atje me forca ushtarake për të ndalur marshimin e trupave armiqësore greke që kishin si qëllim eliminimin e Pavarësisë Kombëtare. Seit Qemali e kreu detyrën me trimëri, qëndroi duke u përballur me andartët grekë.

Më 12 qershor 1914, rreth 245 luftëtarë vlonjatë nën komandën e Nuredin bej Vlorës dhe Seit Qemalit, u ndodhën në ballin e luftës në kodrat e Fierit e të Lushnjës gjer në fshatin Karbunarë ku ndaluan furinë e kryengritësve. Në këto luftime të ashpra ra trimërisht Tafil Oshtima, u plagosën 29 vlonjatë e midis tyre edhe “kryeshkronjësi i gazetës Populli”, zoti Seit Qemali.

Kur hynë rebelët në Vlorë, ai u arratis nga Berati së bashku me Ibrahim Abdullahun, Shahin Harunin etj. Për këto vepra atdhetare populli i Vlorës e respektonte.

U emërua prefekt, më 22 shkurt 1917, pas shkarkimit të Osmën Haxhiut, kur Vlora ndodhej nën pushtimin italian dhe ka qëndruar në këtë detyrë deri më 3 shtator 1920 kur Vlora u çlirua nga pushtuesi italian. Gjatë kësaj periudhë 1917-1920, është inauguruar spitali civil dhe sahati i qytetit dhe natyrisht për këto arritje ka meritat e tij edhe prefekti. Në vitin 1917 italianët i kanë dhënë titullin “Kavalier”. Nuk mori pjesë në Luftën e Vlorës 1920, por për lidhjet e afërta me udhëheqësit e kësaj lufte, italianët e tërhoqën në Itali familjarisht. Me mbarimin e luftës, u kthye në Vlorë dhe në vitin 1921 vuri kandidaturën për deputet.

Për italianët, në gazetën e Vlorës “Mbrojtja Kombëtare”, shprehej: “Shpresojmë dhe presim

nga Roma, nga qyteti human, një fjalë Mazzini, një fjalë që të na qetësojë zemrat; ndryshe na

pastë më qafë qytetërimi gënjeshtar i shekullit XX, se ne do dimë të vdesim po nuk do të bindemi

Perëndia bashkë me ne. Seid Kemal”

Ishte në mbështetje të revolucionit të qershorit 1924 dhe pas dështimit emigroi në Itali deri

në vitin 1926. Në vitin 1932, kur Mbreti Zog ishte sëmurë në Austri, Seit Qemali ishte në krye të Lëvizjes së Fshehtë të Vlorës, duke menduar se pa Mbretin vendi rrezikohej. Pas dështimit të Lëvizjes, u dënua me burgim të përjetshëm, më pas u fal dhe u lirua në vitin 1936 dhe vazhdoi aktivitetin, sidomos me gazetën “Jeta e Re”.

Gjatë kohës së luftës 1939-1944 ka mbajtur qëndrim kritik kundër pushtuesve italianë, gjermanë dhe kundër komunistëve dhe ka shkruar disa artikuj kundra bolshevizmës.

Seit Qemali mbeti tërë jetën shumë aktiv në jetën politike, sociale e shoqërore me artikuj problemor në shtypin e kohës. Për këto merita në tetor të vitit 1936 u zgjodh kryetar i shoqërisë kulturore sportive “Ismail Qemali”. Nga vlonjatët që kanë takuar Naim Frashërin në Stamboll ka qenë edhe Seit Qemali. Në vitin 1937, një shkolle në Vlorë ju vu emri i Naim Frashërit. Në këtë ceremoni, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë ka folur Seit Qemali, Ibrahim Abdullahu dhe Besim Qorri.

Pas 50 vjet aktiviteti intensiv, patriotik, politik shoqëror dhe sidomos intelektual ai u arrestua së bashku me djalin e tij, Av. Dr. Sezai Qemalin, nga nazistët gjerman dhe për Shqipërinë, u dogjën të dy në furrat e kampeve të shfarosjes së nazistëve gjerman. Një shqiptar që shpëtoi i gjallë nga ato kampe çnjerëzore ka treguar se në Austri kur dy kolonat me të internuar shkonin përballë njëra-tjetrës, Seiti pa për herë të fundit të birin hoqi me shpejtësi sahatin prej floriri dhe me dashuri atërore ia hodhi të birit, ndofta do t`i duhej atij. Kjo shkaktoi zemërimin e bishave naziste të cilët e rrahën barbarisht.

Ky personalitet vlonjat që kundërshtoi me penë dhe armë, armiqtë e Shqipërisë: turqit, grekët, rebelët e Haxhi Qamilit, pushtuesit italianë e gjermanë, këdo që shkeli këtë vend si dhe

bolshevizmin rus, ky intelektual i shquar i Vlorës që ishte përkrah Ismail Qemalit,

Mithat Frashrit, Faik Konicës, Luigj Gurakuqit, Fan Nolit etj., si dhe gjithë intelektualëve

dhe patriotëve vlonjat, ky atdhetar që për Shqipërinë u dogj në furrat e nazizmit gjerman në Mathauzenit bashkë me të birin, për 57 vjet u la në harresë, nuk u njohën si dëshmor. Vetëm në vitin 2002, qeveria e kohës i shpalli të rënët në kampet naziste dëshmor dhe në këtë listë figuron edhe emri nderuar i Seit Qemalit dhe të birit Sezai Qemali.

* * *

Seit Qemali u martua dy herë. Gruaja e parë, ishte e bija e Dervish Aliut nga Kanina dhe rriti

dy djem dhe katër vajza. Pas vdekjes së saj u martua me Hasien, nga familja e Agallinjve

e cila nuk lindi fëmijë. Djali i madh Sezai Qemali, ka lindur në vitin 1897, mbaroi drejtësi në

Torino, atje u njoh me Dianën një vajzë italiane dhe u martua me të. Studioi dy vjet për doktoraturë në Paris, komunistët i bënë atentat ndërsa gjermanët e dogjën në furrat e shfarosjes.

Djali i dytë, Musai, studioi agronomi në Lion të Francës dhe punoi tërë jetën në Vlorë agronom

dhe kryeagronom i rrethit, ishte i dashuruar me bujqësinë. U martua me Devedishe Agalliun.

Të katër vajzat e tij u martuan në Vlorë:

Zelihaja me Faik Kreshpën, i njohur si njeriu që transmetoi telegramin e Shpalljes së

Pavarësisë.

Nezaheti me Myqerem Hamzaran, i njohur si deputet në parlamentin e parë shqiptar anëtar i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” që ideoi, organizoi dhe udhëhoqi në fitore Luftën e Vlorës në vitin 1920.

Hatixheja me Xhelal Shaskën i diplomuar në Firence në shkencat shoqërore dhe ka mbrojtur doktoraturën në Romë.

Liria me Aleko Bezhanin i njohur si tregtar i fuqishëm, familja e të cilit ishte pronare e të parës bankë në Shqipëri.

Bardhosh Gaçe “Osman Haxhiu” “Naim Frashëri”, Tiranë 2001, f. 63

 Gazeta “Kuvendi”, dt. 29.8.1920

Ago Agaj “Lufta e Vlorës”, Toronto, Kanada 1968, f. 85

 Bujar Leskaj “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvëndin e Shqipërisë 1912 – 2009”, Tiranë 2009, f. 189

Fari Shaska, në gazetën “Vlora”, dt. 19.6.2009, f.2