Sequi: BE mbështet shoqërinë civile

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi ka kërkuar nga autoritetet në vend, përmirësimin e dialogut me grupet e shoqërisë civile, grupe këto që u japin zë qytetarëve të margjinalizuar. Këtë deklaratë, ambasadori i BE, Sequi e ka bërë gjatë prezantimit të dhjetë kontratave të nënshkruara me organizata të shoqërise civile në vlerë 1.2 milonë euro, për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. “Sot është një ditë e zakonshme dhe kalendari mban plot ditë për të festuar të drejtat e njeriut. Paraqesim këto 10 kontrata në interes të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Duam të veprojmë së bashku me ju, instrumenti evropian për të drejtat e njeriut është veprim konkret që tregon se ne duam të bashkëpunojmë së bashku”, u shpreh gjatë fjalës së tij ambasadori Sequi, për të shtuar se fondi 1.2 milionë euro do të kontribuojë në promovimin e vlerave themelore të respektimit të të drejtave të njeriut. Po ashtu ai shprehu besimin se ky event do të jetë një tregues i qartë se Bashkimi Europian, mbështet perspektivën e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Në vijim ai vuri në dukje përpjekjet e grupeve shqiptare të shoqërisë civile për të nxitur reformat dhe për të kontribuar në plan veprimin për adresimin e 12 prioriteteve të Komisionit Europian. Kontratat e nënshkruara sot me shoqerinë civile mbështesin përfaqësimin e grave nga zonat rurale në politikë, qasjen në drejtësi për fëmijët dhe romët, mundësinë ekonomike për viktimat e dhunës në familje, shërbime për personat me aftesi te kufizuara etj.