Sequi: Mirëpresim miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi ka përshëndetur miratimin e ndryshimeve të Kodit Penal nga Kuvendi i Shqipërisë. Ambasadori i vlerësoi të rëndësishme miratimin e këtyre ndryshimeve, pasi ato kanë të bëjnë me një nga prioritetet kyçe të Bashkimit Evropian. Sequi deklaroi gjithashtu se këto ndryshime janë shumë kuptimplotë dhe miratimi është një sinjal inkurajues për agjendën evropiane. “Ndryshimet në Kodin Penal janë shumë kuptimplotë sepse kanë të bëjnë me disa çështje të rëndësishme, si për shembull, dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes, shkeljet që kanë të bëjnë me zgjedhjet, masat kundër dhunës brenda familjes. Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore është një sinjal inkurajues në trajtimin e çështjeve që janë pjesë e agjendës evropiane të vendit”, deklaroi Sequi. Në seancën e djeshme parlamentare, mazhoranca dhe opozita pas debateve dhe akuzave të forta kanë bashkuar votat dhe me 126 vota pro është votuar Kodi i ri Penal. Me 126 vota pro pozita dhe opozita në Kuvend kanë miratuar me konsesus ndryshimet në Kodin e ri Penal, pavarësisht akuzave të ndërsjellta mes dy krerëve të grupeve parlamentare Ruçi dhe Patozi për bllokim të reformave.