Sequi: Statusi për Shqipërinë do të shqyrtohet sërish në tetor

Ambasadori  i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi duke e përshëndetur si një hap pozitiv, miratimin e Kodit Penal, ka deklaruar se statusi për Shqipërinë do të shqyrtohet sërish në tetor. Në këtë drejtim ai ka theksuar se duhet vullnet për plotësimin e 12 rekomandimeve për statusin kandidat. Këtë deklaratë, ambasadori i BE-së e ka bërë, pas inagurimit të laboratorit të financuar nga Bashkimi Europian për mjedisin në Universitetin Bujqësor të Kamzës. Më herët ambasadori Sequi duke folur gjatë prezantimit të projektit të mjedisit të financuar nga BE-ja, në Universitetin Bujqësor të Kamzës, kërkoi nga studentët dhe stafi akademik më shumë ndërgjegjësim për mbrojtjen e mjedisit.   “Ju keni një rol kyç për të garantuar që politikat e mjedisit të jenë transaprente. Ju keni një rol të rëndësishëm për të luajtur dhe kjo është të rrisni ndërgjegjësimin për mjedisin dhe për të kontribuar në fushën e politikave”, ka theksuar ambasadori. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Sequi ka kërkuar miratimin e ligjeve për mjedis të gjelbër, ku theksoi se ndotja e mjedisit përbën një shqetësim të përbashkët. Duke folur për projektin e financuar nga BE-ja, shtoi se duhet rritur ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit.  Po ashtu ai ka kërkuar politika tranparente, gjithëpërfshirëse dhe të fuqishme për mjedisin në Shqipëri si dhe u shpreh i kënaqur për mbështetjen që Bashkimi Europian i jep Shqipërisë. “Ndotja e mjedisit është shqetësimi ynë i përbashkët prandaj duhet të ngrihet një sistem për mbrojtjen e mjedisit. Ne po sjellim ekspertizën tonë për mjedisin. Shqipëria është në pozicionin pararojë dhe është përgjegjësia juaj të miratoni ligje që nxisin zhvillimin dhe mjedisin e gjelbërt. Është përgjegjësia juaj për të zbatuar këtë vision”, u shpreh ambasadori Sequi. Ai theksoi se përmes projekteve të ndryshme, Bashkimi Europian tenton të sjellë në Shqipëri pasurinë e përvojës së BE. I pranishëm në këtë prezantim ka qenë edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj i cili u shpreh se ndryshimi i kurrikulave ka bërë të mundur që studentët të përfitojnë kulturën e mjaftueshme për mbrojtjen e mjedisit. Ai tha se në master duhet të shtohen projektet kërkimore dhe inovative që lidhen me mjedisin, si dhe ka shprehur pjesëmarrjen e të rinjve në projektin e arrorëve dhe frutorëve.