Sfida kundër Bayernit të Mynihut është testi i vërtetë për Barcelonën

 

Pique: Bayernin e mundin yjet e Barçës

Sfida kundër Bayernit të Mynihut është testi i vërtetë për Barcelonën e Tito Vilanovas këtë sezon pasi do të ketë përballë një nga skuadrat më të frikshme të kontinentit. Në lidhje me transfertën e Gjermanisë, mbrojtësi Gerard Pique, i cili do të drejtojë edhe repartin e tërhequr, shfaqet optimist. “Mezi po pres të zbres në fushë sepse të gjithë ne luajmë futboll për të qenë të pranishëm në ndeshje të tilla. Bayerni është një kundërshtar shumë i fortë por askush nuk duhet të harrojë se ne jemi një skuadër e madhe. Futbolli është përcaktuar si një sport ku luhet 11 kundër 11 dhe përherë në fund fitojnë gjermanët por unë mendoj se do të fitojmë ne. Kemi në skuadër lojtarë të si Messi, Iniesta dhe Xavi që na japin një avantazh të madh. Thjesht duhet të jemi më të përqendruar në fushën e lojës”. Shtatlarti spanjoll nuk e di ende se kë do të ketë partner në mbrojtje për sfidën e “Muenchen Arena” duke pohuar se Adriano, Puyol e Mascherano janë mungesa me peshë për ekipin katalanas. Në vijim, ai komenton edhe të shkuarën e tij në Angli, duke theksuar se në kampionatin anglez fitoi më shumë fuqi fizike. Në rast se konfirmohet largimi i Victor Valdes, Pique mund të marrë shiritin e kapitenit por ai nuk zhbalancohet në këtë pikë. “Në skuadër kemi shumë kapitenë. Unë edhe pse jam rritur këtu, nuk kam luajtur në vazhdimësi sepse erdha nga një skuadër tjetër. Kam ende shumë për të mësuar por nëse do të vijë një ditë që ta mbaj shiritin e kapitenit, do të jetë një moment i veçantë për mua”. Në fund të intervistës, Pique nuk preferon të mendojë për një finale të mundshme të Champions League në formatin El Clasico. Ai nënvizon rëndësinë që ka përballja me Bayernin e Mynihut duke nënvizuar se do të jetë një gabim i rëndë nëse skuadra mendon që në këto momente për stadiumin “Wembley”.

Heynckes: Barcelona nuk është vetëm Messi

Barcelona është më shumë se një ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalen e UEFA Champions League. Përballë janë dy skuadra ikonë të kampionateve që përfaqësojnë, me historinë e tyre por edhe mënyrën e të luajturit. Së fundmi kjo sfidë është akoma më interesante për faktin se sezonin e ardhshëm Bavarezët do të drejtohen nga truri i kësaj Barcelone, Pep Guardiola. Këto së bashku bëjnë që kjo sfidë të shihet me më shumë interes. Të gjithë janë të bindur se Bayern duhet të këshillohet me Guardiolën, por krejt ndryshe e mendojnë në Mynih. Jupp Heynckes vlerëson punën e Guardiolës tek Barcelona, por mendon se ka njohuri të mjaftueshme për të përballur katalanasit.

“Barcelona ka dominuar futbollin evropian vitet e fundit. Ata kanë një filozofi unike. Kam shumë respekt për Pep Guardiolën dhe së bashku kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Megjithatë nuk kam nevojë për asnjë informacion prej tij, sepse unë e njoh shumë mirë futbollin Spanjoll dhe atë të Barcelonës.” Më pas trajneri veteran flet për skuadrën e tij, mënyrën se si ka mbërritur deri këtu, duke theksuar se gjithçka është fryt i punës së grupit. “Nëse më duhet të përmbledh me një fjalë të vetme forcën e Bayernit këtë sezon do të thoja “grupi”. Punojmë të bashkuar dhe kemi zhvilluar futbollin më modern në historinë e klubit. Ka shumë gjëra të ndryshme kur ne përgatisim ndeshjen, por spontaniteti dhe intuita janë të rëndësishme në futboll.” Bayern – Barcelona është akti i parë i duelit gjermano-spanjoll, që do të kompletohet me përballjen Borusia Dortmund – Real Madrid.

Barcelona, Alves: Messi ka fuqi magjike

Dani Alves e cilëson magjike rëndësinë që ka Lionel Messi për Barcelonën dhe mendon se ai mund të jetë çelësi i suksesit për klubin këtë sezon. Gjigantët katalanas ishin pranë eliminimit nga Champions League në sfidën me PSG, derisa Messi u fut në lojë nga stoli dhe rezultoi deciziv për avancimin e skuadrës në gjysmëfinale. “Messi e di që është lojtari më i mirë në botë dhe për fuqitë që ka për të ndryshuar lojën vetëm me praninë e tij në fushë”, deklaroi braziliani për “AS”. “Kur Messi luan, ndryshon shumë gjëra. Kishim nevojë për të ndaj Paris Saint-Germain. Me Messin në fushë frikësohen kundërshtarët dhe gëzohen tifozët e Barcelonës, e gjitha kjo sepse flasim për më të mirin, sepse ai ka fuqi magjike”.