SHBA, konferencë mbi zgjedhjet në Shqipëri

 

Në Uashington është duke u zhvilluar një konferencë me temë “Zgjedhjet parlamentare të qershorit, një test për demokracinë në Shqipëri”. Në konferencë do të diskutojnë analistë nga fondacione të ndryshme. Gjatë fjalës së tij Dritan Taulla i Shoqatës KRIIK Albania dhe Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë deklaroi se problem i këtyre zgjedhjeve mbetet fushata elektorale. Sipas tij, “Kjo fushatë ka filluar shumë herët”. Ai shtoi më tej se, ‘Partitë ndikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”. Ndërsa Jonathan Moore nga Zyra e Çështjeve të Europës Qendrore e Jugore në DASH, i cili pak ditë më parë vizitoi edhe Shqipërinë, apeloi gjatë konferencës se zgjedhjet duhet të arrijnë standarde demokratike. “I bëj apel partive politike që zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar”, tha ai. Sipas zyrtarit të DASH, është KQZ-ja institucioni që duhet të sigurojë zgjedhjet.

“Procesi duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm, KQZ të sigurojë zgjedhjet. Ne do të vëzhgojmë, nuk duhet të tolerohet dhuna”, tha ai. Sipas tij “Opozita ka vendosur të mos ndryshojë qëndrim për KQZ, ndërsa shtoi se, “Nëse KQZ nuk funksionon, nuk do zhvillohen zgjedhjet”. Gjatë kësaj konference ka folur edhe Rob Benjamin nga Instituti Demokratik Kombëtar për Cështje Ndërkombëtare. Benjamin është shprehur se zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri kanë qënë problematike, për shkak të kontestimit. “Nuk ka zgjedhje perfekte, por duhen bërë zgjedhjet e duhura. Shpresoj që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve”, shtoi Benjamin. “Do të monitorojmë zgjedhjet e 23 qershorit. Dita më e rëndësishme është ajo e pas zgjedhjeve”, tha më tej ai.