Shërbimet sociale, prezantohet harta e re

Ministri i Punës, Spiro Ksera: Në Shqipëri, ofrohen 291 shërbime shoqërore

Procedura që do të ndiqet për identifikimin e shërbimeve sociale dhe gjetjen e institucioneve shtetërore. Ja si do të referohen kategoritë në nevojë për shërbime specifike

 

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Word Vision, prezantuan dje, hartën e parë të Shërbimeve Shoqërore në Shqipëri. Realizimi i hartës u bë i mundur falë punës disa mujore të strukturave të Ministrisë së Punës, UNICEF-it, World Vision dhe me asistencën teknike të Qendrës Kombëtare për Studimet Sociale. Ndërtimi i kësaj harte synon identifikimin e shërbimeve aktuale, tipologjinë, vendndodhjen e tyre dhe nëpërmjet informacionit që ofrohet, mund të matet mbulimi i kërkesës së popullatës për shërbime sociale. Gjithashtu, harta nga do t’i vijë në ndihmë çdo të interesuari që kërkon informacion rreth vendndodhjes së shërbimeve më të afërta, kushteve që ofrohen në të, kritereve të pranimit si dhe mënyrave për të gjetur çdo kontakt për informacione më të detajuara. Po ashtu, specialistë pranë Ministrisë së Punës thonë se institucionet qendrore dhe vendore do të përfitojnë nga lehtësitë që krijon harta për të identifikuar në kohë reale nevojat e komunitetit. “Të gjitha institucionet – policia, organet e pushtetit vendor, qendrat shëndetësore, mësuesit, punonjësit socialë në shkolla – që janë të detyruar nga ligji të referojnë rastet e kategorive në nevojë për shërbime specifike, do të gjejnë në këtë hartë të gjithë informacionin e nevojshëm që do t’i ndihmojë të referojnë individë apo grupe individësh në nevojë. MPÇSSHB, mbështetur edhe mbi gjetjet e Hartës, do të hartojë dhe zbatojë politika që nxisin shtrirjen e shërbimeve në të gjithë vendin dhe mbulojnë me shërbime sociale të gjithë komunitetin, bazuar në nevojat e identifikuara nga ky fotografim i gjendjes aktuale. Nëpërmjet kësaj harte, Ministria e Punës do të identifikojë në kohë reale shërbimet e paliçensuara dhe, në bashkëpunim me Inspektoratin e Shërbimit Social Shtetëror, do të fillojë menjëherë procedurat e monitorimit dhe liçensimit të shërbimit, duke kërkuar edhe përmbushjen e standardeve të kërkuara për shërbimin”, – thonë specialistë pranë Ministrisë së Punës.

Ksera: Në Shqipëri, ofrohen 291 shërbime shoqërore

Ndërsa, nga ana e tij, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, gjatë një aktiviteti të zhvilluar për prezantimin e Hartës, theksoi se: “Paraqitja për herë të parë e shtrirjes gjeografike të tipologjive të shërbimeve shoqërore do t’u mundësojë institucioneve qendrore e vendore, organizatave dhe donatorëve një informacion të plotë rreth gjendjes aktuale, duke u dhënë mundësi të identifikojnë mangësitë në kohë reale. Ky informacion do të na ndihmojë të integrojmë përpjekjet e pushtetit qendror dhe vendor me të gjithë aktorët që punojnë në fushën e shërbimeve, si dhe të hartojmë politika gjithëpërfshirëse nëpërmjet angazhimit të fondeve të duhura për shtrirjen e shërbimeve në të gjithë vendin dhe në çdo zonë, rurale apo urbane”,- deklaroi ministri Ksera. Duke u ndalur në disa prej gjetjeve gjatë procesit të ndërtimit të Hartës, ministri i Punës theksoi se “në një vështrim të përgjithshëm, rezulton se shërbimet e kujdesit social, edhe pas 20-vjetësh, vazhdojnë të jenë të përqendruara, kryesisht në qytetet e mëdha të vendit, ndërkohë që situata është problematike për sa i përket shtrirjes gjeografike, ku 90 për qind e shërbimeve ofrohen në zonat urbane dhe vetëm 10 për qind në zonat rurale”. Sipas Kserës, referuar të dhënave të Hartës, sot në Shqipëri ofrohen 291 shërbime shoqërore, dy herë më shumë se në vitin 2009. Në fund, ministri i Punës u bëri thirrje njësive vendore të identifikojnë më mirë nevojat e komunitetit për shërbime dhe të ndërmarrin politika vendore që rrisin numrin e shërbimeve. Përfaqësuesi diplomatik i UNICEF-it, Detlef Palm u shpreh se “me realizimin e Hartës së Shërbimeve sot jemi një hap përpara me reformën e shërbimeve sociale. Duke parë hartën ne shohim çfarë shërbimesh janë të disponueshme dhe cilat mungojnë. Nëpërmjet hartës, ne mund të shohim shkollën ku duhet të shkojë një fëmijë rom, rrugën ku ndodhet një shërbim i caktuar, ndërtesën e shërbimit shëndetësor ku një person i varfër duhet të marrë shërbim falas. Politikat ekzistojnë, ligjet ekzistojnë. Tani mbetet të forcojmë institucionet dhe kapacitetet e njerëzve. Rregulloret dhe procedurat duhet të jenë të qarta. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë proces. Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtimin e duhur. Ky progres duhet të ndodhë natyrshëm dhe në nivel qendror, qarku dhe vendor”. Ndërsa, nga ana e tij, Përfaqësues i World Vision, Philip Ewert, deklaroi se “kjo platformë informacioni do të sjellë një referim më të shpejtë të personave në nevojë, një koordinim më të mirë mes shërbimeve sociale ekzistuese dhe një monitorim më të mirë të tyre. Gjëja e parë që duhet të bëjmë për të ndihmuar njerëzit në nevojë është të fuqizojmë dhe ngremë kapacitetet e atyre që punojnë ngushtë me ta, në mënyrë që jenë të informuar dhe të përgatitur për të vepruar sa më efektivisht”. Përmes këtij shërbimi, institucionet apo organizatat do të gjejnë shërbimin më të afërt dhe më të përshtatshëm për njerëzit të cilëve ata u shërbejnë.

Comments are closed.