Sherri për lavazhin, policia arreston autorin e plagosjes së dyfishtë

 

Një operacion i mirëorganizuar i policisë së kryeqytetit ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të plagosjes së dyfishtë të ndodhur pranë Kthesës së Kamzës ditën e djeshme. Nga verifikimet e policisë rezultoi se të plagosur mbetën 50 vjeçari Xhevair Bajraktari i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe 35 vjeçari Edmir Rrelaj i cili ndodhet në gjendje të stabilizuar. Burime zyrtare nga policia thanë se falë hetimit të menjëhershëm dhe të detajuar, u arrit identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar Bajram Cejku, i cili u kap në rrugën “Valbona” prapa Stacionit të Trenit në Tiranë. Nga grumbullimi i informacioneve dhe dëshmive rezultoi se shkak për këtë konflikt me armë zjarri ka qenë një mosmarrëveshje familjare mes tyre, pasi autori ka plagosur ish- dhëndrin e tij i identifikuar si Xhevahir Bajraktari. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pasi i moshuari Cejku nuk pranonte ndarjen e së bijës nga dhëndri dhe kishte shkuar ti kërkonte llogari, llogari e cila u përmbyll me gjak. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e krimit e llojit kallashnikov si dhe automjeti tip furgon që ka shërbyer për realizimin e veprës penale.