Shkodër, uji nuk “kursen” as Xhaminë e Plumbit

Lajme nga arkiva

Pas disa ditëve me shi pandërprerje, në Shkodër rezulton se harta e përmbytjeve është zgjeruar sërish, ku plot 4 mijë ha tokë janë përmbytur. Kështu në Bushat numërohen 800 ha tokë nën ujë, 5 banesa me prezencë uji, ndërsa 60 të tjera janë të rrethuara nga uji. Shtabi i Emergjencës që prej ditësh vijon të qëndrojë në gatishmëri ka evakuuar 2 familje deri tani.
Po kështu, edhe fshati Obot dhe Ana e Malit rezultojnë tërësisht të izoluara nga uji dhe e pakalueshme nga asnjë automjet mësohet se është rruga e Velipojës.

Liqeni i Shkodrës del nga shtrati, “merr rrugën” drejt Xhamisë së Plumbit

Prurjet e lumenjve që vijnë nga Mali i Zi kanë rritur nivelin e Liqenit të Shkodrës, i cili ka dalë mbi sipërfaqen e tij të zakonshme, duke përmbytur pedonalen në hyrje të qytetit. Ndërkohë një situatë e tillë e ngjashme është edhe në zonën e Shirokës. Lokalet buzë liqenit tashmë janë përmbytur, ndërsa prania e ujërave është e konsiderueshme edhe në aksin Shkodër-Shirokë. Specialistët e Shtabit të Emergjencave sqarojnë se Liqeni i Shkodrës ka dalë nga shtrati si pasojë e prurjeve të mëdha nga lumenjtë e Malit të Zi. Situatë e rëndë paraqitet edhe në fshatin Obot, ku mjaft banesa prej një jave ndodhen nën ujë. Ka pasur një reagim për Xhaminë e Shkodrës. Imami i ka kërkuar qeverisë dhe Ministrisë së Kulturës të reagojë për të rregulluar kompleksin në Xhaminë e Plumbit për të mos pasur përmbytje. Imami i xhamisë ka thënë për News24, se “nëse dorëheqja ime mund të ndikonte që të ndryshonte situatën për mirë do e bëja.

Myftinia

“Situata në të cilën ndodhet Xhamia e Plumbit në qytetin e Shkodres është një turp i madh për të gjithë.” Ka qenë ky reagimi i Myftiut të Shkodrës Imam Muhamed Sytari, gjatë një deklarate për shtyp në lidhje me përmbytjen e këtij objekti kulti që njëkohësisht është monument kulture. Sipas myftiut Sytari është e patolerueshme degradimi i kësaj xhamie nga përmbytjet e njëpasnjëshme ku gjatë 3 viteve të fundit ka njohur disa përmbytje dhe kjo si shkak i mos ndërtimit të projekteve që do evitonin përmbytjen e saj. “Jo vetëm që nuk bëhen investimet e duhura, por nuk jepet publiksht përmbytja e xhamisë. Edhe ose është nën ujë heshtet për të”,- ka pohuar Muhamet Sytari. Komuniteti Musliman dhe Myftinia e Shkodrës që disa herë e ka ngritur zërin për realizimin e projekteve të ndryshme për ta mbrojtur Xhaminë e Plumbit, por realiteti është ky që ne shohin sot. “Ndaj me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Deri kur do të vazhdojë kjo katrahurë me këtë xhami të vjetër, me këtë objekt aq të rëndësishëm për Myftininë e Shkodrës, por edhe për mbarë muslimanët e Shqipërisë ? Çfarë do të ndodhë pas kësaj dite? A do të ndryshojë diçka nga ky realitet?,- ka shtruar pyetjet Myftija i Shkodrës”.

Numri një i Myftinë ka vazhduar duke pohuar: “Njëkohësisht, ne do të vazhdojmë të besojmë dhe të kemi shpresë të madhe në Zotin, që kjo Xhami e ndërtuar me sinqeritet dhe mjeshtri të rrallë, nuk do të shuhet as do të tretet, do të nusërojë.., jo shumë larg nga kjo kohë” ka përfunduar deklaraten e tij Myftiu Sytari.

Burime nga bashkia e Shkodrës bëjnë me dije se Xhamia e Plumbit, një prej veprave më të rëndësishme kulturore në Shkodër, e ndërtuar në vitin 1773, është së fundmi nën ujë prej disa ditësh, ndërsa niveli i tij ka ardhur duke u rritur si rezultat i prurjeve të mëdha të lumit Kir, si dhe të reshjeve të mëdha që kanë rënë gjatë këtyre ditëve.

Comments are closed.