Travel

Shkreli

Burimet natyrore – Pozicioni gjeografik

Komuna e Kelmendit pozicionohet në skajin verior të Republikës së Shqipërisë, në territorin administrativ të Malësisë së Madhe, të Prefekturës së Qarkut Shkodër dhe në kufi me Republikën e Malit të Zi.

Ajo shtrihet ndërmjet koordinatave gjeografike 42 gradë 24 min 22 sek Qafa e Kapës-Brojë e 42 gradë 39 min 45 sek maja e Zhihovës-Vermosh, gjerësi gjeografike veriore 19 gradë 30 min12 sek kufiri shtetëror, bregu i Cemit e 19 gradë 15 min 01 sek liqenet e Jezercës në gjerësi gjeografike lindore. Ka shtrirje 24 km në drejtimin veri-jug, dhe 24.5 km në atë lindje-perëndim.

Komuna e Kelmendit kufizohet me Komunën Shkrel, Komunën Kastrat të Malësisë së Madhe, Komunën Shalë të Shkodrës, Komunën Margegaj (Tropojë) dhe Malin e Zi. Gjatësia e përgjithshme e kufijve është 102 km, nga të cilët 99.5 km janë kufij tokësorë, 2.5 km janë kufij lumorë. Me Malin e Zi kufizohet në një gjatësi prej 68 km ose 66.6 % të kufirit të përgjithshëm, i cili kalon: nga lindja lumi Cem, qafa e Popratit, maja e Sokolit, Vilës, rrjedha e sipërme e Vermoshit, qafa e Mojanit, maja e Zhihovës (kufiri verior i Shqipërisë); në drejtim të juglindjes, maja e Kapuranit, qafa e Lipovicës, rrjedha e poshtme e Vermoshit, maja e Trojanit dhe e Edhave, fusha e Runicës, maja e Cokistës, liqenet e Jezercës.
Me komunat e tjera, në drejtimin lindje-perëndim, kufizohet me majën Kokërdhake, majën e Jezercës, qafën e Valit të Pejës, majën e Vizhnjës, majën e Rriskulit, majën e Muriqillës, qafën e Kapës e të Dasmorëve dhe mbyllet me lumin Cem.
Lartësia mbi nivelin e detit varion nga 210-2554 m.
Brenda këtyre kufijve, Komuna Kelmend ka një sipërfaqe 353 km2 që përbën 33.5 % të Malësisë së Madhe dhe 16.4 % të Alpeve Shqiptare.
Burimet natyrore – Relievi dhe trualli
Komuna e Kelmendit ka një reliev mjaft të larmishëm dhe me kontraste të mëdha për shkak të konstruksionit gjeologjik, lartësisë së formave të relievit, klimës dhe vegjetacionit.

Malet zënë 59.7 % të territorit dhe një varg majash kanë lartësi mbi 2000 m, ndërsa luginat alpine zënë 40.3 % të territorit. Katër janë luginat kryesore: lugina e Vermoshit dhe ajo e Lepushës, me lartësi mesatare 1134 m mbi nivelin e detit si dhe lugina e Cemit të Selcës dhe ajo e Cemit të Vuklit me lartësi 700 m mbi nivelin e detit.
45 nga 100 majat e maleve të zonës kapin lartësitë mbi 2000 m mbi nivelin e detit.

Kjo krahinë ka një reliev strukturor, karstik, akullnajor, lumor. Vihen re dukuri karstike, të cilat prezantohen në 100 a më shumë shpella si ajo e Tartashicave në Vukël, Gjaçkës në Nikç, Tamarë etj. Burimet karstike janë të shumta si Vrijela në Selcë, Oberreti në Tamarë etj.
Në lartësi mbi 1500 m mbi nivelin e detit shfaqet peizazhi akullnajor, ku tipike janë lugina e Vermoshit dhe ajo e Lepushës. Peizazhi lumor shfaqet në luginat erozive të Cemit duke krijuar ujëvara të bukura.

Alpinistët, speleologët, skiatorët, gjeomorfologët, biologët etj. do të gjejnë kenaqësinë që ofron ky portret relievi, si nje vitrinë natyrore në Alpet tona.

Trualli-Përbërja gjeologjike

Trualli i Kelmendit, nga pikëpamja gjeologjike përfshihet në Albanidet veriore. Ai i përket dy zonave tektonike, zonës së Gashit dhe zonës së Alpeve. Zona e Gashit përfshin nënzonën e Vermoshit (lokalizohet në Bjeshkët e Sefergës e në malin e Trojanit). Shkëmbinjtë më të vjetër konsiderohen rreshpet argjilore-ranore-karbonatike, që ndeshen të kufizuara nga Kuji i Vermoshit në drejtim të Majës së Bojës. Mendohet se mosha e tyre i përket periudhës permiane, rreth 225 milionë vjet më parë.
Nënzona ka strukturë monoklinale, por zona e përroit të Harushës dhe Bjeshka e Smutirogës kanë ndërtim luspor. Nënzona e Malësisë së Madhe dhe Valbona përfshijnë vendin kryesor, 93% të territorit të Kelmendit. Gjatë mezozoit ka patur sedimentime të shumta nënujore, të cilat formuan një kurrizore të gjerë gjatë fundit të detit në krejt Malësinë e Madhe, e cila doli mbi ujë nga fundi i periudhës jurasike. Për këto arsye, formimet përmbajnë faunë e bimë uji të larmishme, si; litiotis, clyperina jurasika, pianella anulata, pianclla dinarica etj.
Gjatë paleogjenit u konsoliduan strukturat kryesore, u shpejtua malformimi dhe u depozitua flishi i ardhur nga zona e Gashit, që njihet me emrin ‘Suita e Vermoshit’. Me këto depozitime, Kelmendi, si pjesët e tjera të Alpeve, doli përfundimisht mbi ujë. Gjatë pliokuaternarit, Bjeshkët e Nëmuna pësuan ngritje të fuqishme tektonike. Formimet kuaternare përfaqësohen me luginat akullnajore të Vermoshit me qindra cirqe akullnajore, me e pa ujë, mbi 1400 m lartësi; e tarracat lumore.
Larmia e madhe e shkëmbinjve ka kushtëzuar pasurinë në minerale, argjilo-boksitike, fosfor, zhivë, qymyr guri, mermer, dolomit etj.
Përbërja e tokës është e ndryshme. Hasen toka të kafenjta malore me lartësi 200 -1000 m mbi nivelin e detit, të cilat zënë 59 % të tokës arë, dhe ku rriten shkurre, dushqe, e kultivohen drithëra, patate, fasule, foragjere, perime, dru frutore. Këto toka gjenden në pellgun e Cemit. Tokat e murrme pyjore shtrihen në lartësinë 800 -1200 m mbi nivelin e detit. Këto toka kanë një përmbajtje humusi prej 15-60 cm. I gjejmë të përhapura në pellgun e Cemit, Vermoshit. Tokat livadhore malore zënë lartësinë mbi 1500 m në zonat e Sefercës, kurrizi i Vilëzës.

Burimet natyrore – Klima
Komuna e Kelmendit, nga pikëpamja klimatike ndodhet në zonën klimatike të ftohtë të vendit, me dimër të ftohtë e verë të freskët (mesdhetare, malore, veriore). Temperaturat mesatare janë në pellgun e Cemit 14º C, në luginën e Vermoshit 7º C, në male 5º C. Muaji më i ftohtë është Janari 0º C në Cem, -3º C në Vermosh, -8ºC në male. Korriku është muaji më i nxehtë me temperaturë 18-20º C në Cem, 16.1º C në Vermosh dhe 12ºC në male. Kelmendi është ndër zonat më të lagështa të vendit. Reshjet vjetore janë 2308 mm në Cem, 2021mm në Vermosh, 2500-3500 mm në male. Numri mesatar i ditëve me reshje në Selcë është 120 ditë, në Vermosh 140 ditë, në male 140 ditë. Muaji më i thatë është gushti me reshje: 78.9 mm në Selcë 85.3 mm në Vermosh dhe rreth 150 mm në male
Kelmendi dallohet për reshje të mëdha bore. Trashësia mesatare e dëborës në Cem është 25-50 cm, në Vermosh afro 100 cm dhe në male mbi 150 cm. Me shtresë bore vjetore Cemi mbulohet 20-60 ditë, Vermoshi mbi 100 ditë dhe malet rreth 140 ditë.
Numri mesatar i ditëve me reshje vjetore në Selcë është 120 ditë, në Vermosh 140 dhe në male mbi 140 ditë. Pellgu i Cemit merr 2200 orë diellore në vit dhe Vermoshi 200 orë më pak.
Erërat lokale janë: Murlani (erë e thatë dhe e ftohtë), Shiroku dhe Juga (e ngrohtë dhe e lagësht). Vërehet dhe erë malore nga lugina.

Burimet natyrore – Ujërat
Komuna e Kelmendit është e pasur me rezerva ujore. Lumi kryesor dhe më i rëndësishëm është Lumi i Cemit. Cemi shtrihet në veriperëndim të Alpeve Shqiptare me gjatësi të përgjithshme 62.2 km dhe sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 368 km2, nga të cilat 238 km2 dhe 30.8 km të gjatësisë së tij ndodhen në Shqipëri. Cemi ka një lartësi mesatare 1237 m mbi nivelin e detit. Ky lumë përbëhet nga bashkimi i dy degëve: Cemit të Selcës dhe Cemit të Vuklit.
Cemi i Selcës ka një gjatësi prej 22.5 km, ndërsa Cemi i Vuklit 17.9 km. Cemi i Selcës është dega veriore, nis në burimet e Koprishtit dhe arrin deri në Gropat e Selcës duke marrë tiparet e një kanioni me shpata të thikta, pjerrësi të madhe dhe shumë pragje. Cemi i Vuklit është dega jugore e Cemit dhe fillon nga burimi i Vuklit (në Llugë), kalon në Flish në pjesën e sipërme të rrjedhës futet në kurrizin malor të Golishtit e Dubinës, ku formon lugina të ngushta me shpate të pjerrëta dhe pragje. Të dy degët bashkohen në Tamarë. Cemi merr drejtimin jugperëndimor dhe kalon nëpër një luginë tipike në formë V-je, duke përshkuar gëlqerorët e Mizhdrakulit e Kapezdrojës dhe del nga territori i Shqipërisë në afërsi të Grabomit. Cemi derdhet në lumin Moraça dhe është afluent i liqenit të Shkodrës. Cemi ka prurje 25.5 m3/s me ujëra të pasura në troftë

Lumi i Vermoshit është 20.7 km i gjatë dhe ka sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 93, 3 km2. Prurja mesatare vjetore e tij është 4.8 m3/s. Gjatë periudhës së reshjeve lumi del nga shtrati dhe shkakton dëme të konsiderueshme.
Grupi i liqeneve të Jezercës, 6 liqene me origjinë glaciale-karstike ofrojnë një bukuri të mrekullueshme alpine në malet e larta të bllokut të maleve të Jezercës.

Burimet natyrore – Tokat
Toka bujqësore është mjaft e kufizuar për shkak të relievit të thyer malor. Shtrirja me katëzime vertikale përbën një tipar dallues të tokave në zonë. Tokat e kafenjta malore shtrihen në pellgun e Cemit, midis lartësive 200 -1000 m dhe përfaqësojnë 59 % të sipërfaqes arë.
Tokat e murrme pyjore shtrihen nga 800-1200 m në sektorët e sipërm të pellgut të Cemit dhe deri 1500 -1800 m lartësi në pellgun e Vermoshit. Ato zënë 35% të sipërfaqes së tokës arë dhe dallohen për lagështirë të madhe, profil 35 – 60 cm me përqindje të lartë humusi dhe të varfëra në azot. Këtu përfshihen edhe tokat azonale, karbonato humusore, me përmbajtje të lartë humusi në Vukël dhe, më pak, në Vermosh. Tokat livadhore malore gjenden në lartësinë 1500 m. Ato janë mjaft pjellore, trashësia e humusit është 60-70 cm, por lartësia e tyre e madhe i bën ato të pashfrytëzuara, një pjesë mbillet me patate dhe pjesa më e madhe shfrytëzohet për kullota. Tokat primitive (zallishtore e gurore) hasen në luginat e Vermoshit Nikç dhe Vukël, ku edhe ahu është mjaft i përhapur.

Burimet natyrore – Bimësia
Bimësia mbulon 79.3% të sipërfaqes së Kelmendit, ku zotërojnë elemente të florës së Evropës Qëndrore dhe mbisundojnë ahishtet e kullotat alpine.
Pyjet dhe kullotat janë mjaft të përhapura në zonën e Malësisë së Madhe: Sipërfaqe gjithsej 53 080 ha; Sipërfaqe pyjore 40 110 ha; Kullota 12 970 ha
Lugina e Vermoshit: Sipërfaqe gjithsej 3566 ha; Sipërfaqe pyjore 2562 ha; Kullota 680 ha

Pyjet
Pyjet përfshijnë 65 % të bimësisë së Kelmendit. Volumi i përgjithshëm i pyjeve është 3 671 630 m3 ku 2 751 574 m3 janë lëndë ndërtimi dhe pjesa tjetër dru zjarri.

Shkurret dhe dushqet zhvillohen në lartësinë 200-800 m mbi nivelin e detit; shkurret zënë 14.4 % të sipërfaqes pyjore, ndërsa dushqet 3.7 % të sipërfaqes. Përfaqësuesit më të rëndësishëm të bimësisë në zonë janë: qarri (Quercus cerris), shparthi (Quercus frainetto), bulgeri (Qurcus trojane), panja (Acer obtusatum), shkoza (carpinus orientalis), dëllinja (Juniperus spp), sherbela (salvia officinalis) etj.
Në Vermosh, dushqet dhe shkurret, përfaqësohen vetëm me shelgun, rreth 130 ha. Ahu rritet në toka të murrme ku humusi është me shumicë. Në Vermosh dhe në Livadhin e Harushës bashkë me ahun rritet panja e malit (Acer pseudoplatanus), lajthia e egër (Corylus avellana), bredhi i bardhë (Abies alba). Ahishtet dhe haloret shtrihen deri në lartësinë 1800 m mbi nivelin e detit dhe përbëjnë katin pyjor më të rëndësishëm në Kelmend. Ahu zë 69.8 % të sipërfaqes pyjore me volum të përgjithshëm prej 3 036 310 m3 kurse haloret zënë 12.1 % të saj me volum prej 388 259 m3.
Masivet pyjore më të bukura janë ato të Vermoshit, Lepushës, Sefercës dhe ato që ndodhen në rrjedhën e sipërme të lumenjve të Cemit, Selcë (Morinë), Vukël (Lloboshnicë). Pylli i Peshtanit është një nga pyjet më të mirë të zonës.
Pyjet dhe kullotat administrohen nga Drejtoria e Pyjeve Malësi e Madhe dhe Komuna Kelmend

Kullotat
Kullotat përbëhen nga barishtorë të ndryshëm graminorë 72.8% dhe bishtajorë 27.2%. Në lartësitë e mëdha të kullotave alpine rriten disa shkurre subalpine si kërleka (Pinos muga) në Bjeshkët e Nemuna, dëllinja (Juniperus nana) në liqenet e Jezercës etj.
Kullotat e Kelmendit janë të tipit alpin e subalpin me lartësi 1500 -2400 m. Sipërfaqja zë 27.3 % të mbulesës bimore të Kelmendit dhe ka kapacitet kullosor 50 000 krerë. Kullotat shtrihen kryesisht në zonat Berishdol, pellgu i Cemit. Speciet kryesore gramore jane egjra shumëlulëshe (Lolium multiflorum), grami (agropyrum repens), xhufka (Nardus stricta) etj. Nga bishtajoret dallohen tërfili i alpeve (trifolium alpestre), tërfili i livadheve (trifolium pratense), etj. Në Lepushë janë identifikuar 24 varietete tërfili.

Bimët mjekësore
Bimët mjekësore kanë përhapje të gjerë dhe shpërndarje të madhe në zonë. Dallohen 96 lloje bimësh. Nga vlerësimi i 23 412 ha rezulton se 3313 ha janë me bimë mjekësore, tonifer, eterovajore. Prej tyre dallohen arra (juglans regia), në pellgun e Cemit, balsami kukula (hypericum perferatum), bliri etj. Bimësia endemike dhe e rrallë arrin në 52 lloje si: zhabina e hajekut (ranunculus hayekii), ligustuku shqiptar (ligustikum albanicum) në Sefercë, llapoi i dorflerit (petasite dorfler), rrusharusha (artostaphylos uva-ursi), kamaroshja dalmatiane (geranium dalmaticum).

Burimet natyrore – Kafshët
Klima e favorshme dhe mbulesa e pasur bimore në Kelmend kanë krijuar një kopsht natyral zoologjik.

Këtu gjenden kafshë të egra të shumëllojshme si:
gjitarë, shpendë, zvarranikë, amfibë dhe insekte. Gjitarët tipikë janë ariu i murrmë (ursus arctos) në Vermosh, Nikç, Vukël, rrëqebulli (felis lynx), dhelpra (vulpes vulpes), shqarthi (martes foina), zardafi (mates martes). Dhia e egër (rupicarpra rupicarpra) gjendet në Sefercë, Bjeshkët e Vuklit e të Selcës, Bjeshkët e Namuna etj. Gjitarë të tjerë janë: kaprolli (capreolus capreolus), ujku (casnis lupus), derri i egër (sus scrofa), lepuri (lepus capensis), ketri (sciurus vulgaris) etj.

Shpendët:
dallohen stërqoket (pyrrhocorase spp), gjeli i egër (tetrao urogalis), sokoli (falco tinnuculus), shkaba (gyps fulvus), qukapiku (picus spp), bilbili (acreocephalus).

Zvarranikët:
reptilë përfaqësohen nga breshka (testudo hermani), nepërka e zakonshme e helmuese (vipera ammodytes), fluturat shumëngjyrëshe (lepidoptera).

Fauna ujore
përfaqësohet nga trofta malore e Lumit Cem (salmo trutta).

Burimet natyrore – Malet dhe luginat
BJESHKET E SEFERCES
Këto bjeshkë, me sipërfaqe afro 26.6 km2 dhe me lartësi rreth 1600 m, zenë skajin më verior të Kelmendit. Ato karakterizohen nga: relievi mjaft i valëzuar, klima e ashpër, rrjeti ujor sipërfaqësor i kufizuar, mbulesa floristike, ndër më të pasurat, (10 172 ha kullota dhe 953 ha pyll i egër) kafshët e egra dhe vendbanime të përkohshme.

Bjeshkët përbëhen nga dy kurrize malore: Zhihovë e Marlulë dhe nga Lugu i Harushës.

Kurrizi i Zhihovës ngrihet uniform si kufi me Malin e Zi. Mund të përmendim dhjetë maja të tij, mbi 2000 m lartësi si: Majën e Jeshidolit (2179 m), majën e Zhihovës (2174 m) dhe të Kapurranit (2123)

Lugu i Harushës duket si një amfiteatër. Eshtë 6 km i gjatë. Kurrizi i Marlulës ndan Luginën e Vermoshit me atë të Harushës, ka gjatësi 9 km dhe është 2000 m mbi nivelin e detit. Ka disa kurrize si ai i Zabelit 2135 m, Qafa e Mojanit (tektonike), që arrin 2056 m mbi nivelin e detit.

KURRIZI I VILES është kurrizi më i shtruar në alpe me majë konike deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Kurrizi fillon me Malin e Vilës 2107 m mbi nivelin e detit. Ai ka vlera të mëdha turistike. Bjeshkët e Jeshnicës janë të vendosura në një shkallë malore mbi 2km2. Jeshnica është ajka e bjeshkëve të Kelmendit.

KURRIZI I GOLISHTIT ka gjatësi 16 km me lartësi 2000 m mbi nivelin e detit. Berishdoli është për rreth 2 km2 i mbuluar me ahe. Golishti, me një lartësi prej 2021.7, është e vetmja majë e kurrizit. Bimësia është mjaft e pasur, 1785 ha kullota, Koprishti 375, Golishti 144,2 ha.

BJESHKET E NAMUNA zënë qendrën e Alpeve Shqiptare, duke pasur si kufij qafa e fshatra alpine. Në perëndim këto bjeshkë kufizohen me qafën e Vajushës, Lepushës, Jamës, Nikçit, Vuklin dhe pllajën karstike të Veleçikut, në jug me qafën e T-thores, Thethin, qafën e Valbonës dhe qafën e Valbonës së vogël. Në këtë zonë ndodhen rreth 70 maja pa emër, nga ku 42 maja janë në lartësinë 2000-2300 m, 22 maja në lartësinë 2300-2500 m dhe pesë maja të tjera në lartësinë mbi 2500 m mbi nivelin e detit. Maja më e lartë është Jezerca me 2500 m, që quhet çatia e Alpeve.
Në Bjeshkët e Namuna takohet grupi i liqeneve të Jezercës me 9 burime me prurje të mëdha uji. Kurrizi malor i Alpeve të Shqipërisë, ka një lartësi 2400-2500 m, gjatësi 12 km dhe gjerësi 5-7 km. Ai është ndërtuar prej gëlqerorësh e dolomitesh të mesozoit. Alpet formojnë një vargëzim kreshtash nga më të mprehtat e të gjitha Alpeve të Shqipërisë. Të dy shpatet e tyre (ai nga V.P dhe J.L) përfundojnë në shpate e lugje të thella, duke krijuar rrëpira. Majat më të larta janë maja e Radohinës dhe e Shenikut në formë kësule, maja e Risklit (2496 m), e Prozhurit (2452 m), e Shtogut (2496 m) dhe ajo e Langojve (2426 m), që kanë formë piramidale. Bimësia arrin deri në 1400-1500 m dhe përfaqësohet nga zona e ahut. Më lart shtrihen kullotat alpine.

Blloku i Shenikut shtrihet në veriperëndim të Bjeshkëve të Namuna, ka një sipërfaqe prej 31.2 km2 dhe përbëhet nga kreshta shumë të ashpra në formë ‘S’ ku numërohen 17 maja mbi 2000 m. Maja më e madhe ka lartësi prej 2552.9 m dhe është mbizotëruese në bllokun e Shenikut. Në këtë zonë ndodhet edhe Koprishti i Ujk Carës, që përbën një çift gropash, të cilat paraqesin interes, si nga përmasat, ashtu dhe për kullotat e pasura verore me sipërfaqe 125 ha.

Lugu i Runicës ka një sipërfaqe prej 33.5 km2 dhe këtu kulmojnë 26 maja me lartësi 2351 m. Jezerca është kondensues i fuqishëm i lageshtirës dhe shkëmbinjtë karbonatike i thithin ujrat e formuara në brendësi të saj gjatë proceseve karstike.
Blloku i Jezercës ndodhet në pjesën juglindore të Bjeshkëve të Namuna dhe ka një sipërfaqe prej 33.5 km2 ku dallohen 26 maja me një lartësi mesatare prej 235 m.

LUGINA E VERMOSHIT shtrihet midis kurrizit të Marlulës dhe kurrizit të Vilëzës dhe ka gjatësi 20.7km, gjerësi afro 1 km dhe lartësi 1057 m. Në rreth 3714 ha rriten 11 000 000 m3 lëndë drusore, rreth 30 lloje bimësh mjekësore dhe ndodhen 11 774 ha kullota.

LUGINA E LEPUSHES është një nga luginat më piktoreske të zonës, ku mbizotëron bimësia. Ajo mbulohet me 1544 ha pyje me 274 774 m3 lëndë drusore.

LUGINA E CEMIT
Lugina e Cemit të Selcës ndahet në dy pjesë, pjesa e sipërme dhe gropa e Selcës.
Lugina e Cemit të Vuklit shtrihet mes kurrizit të Golishtit në veri dhe Bjeshkëve të Namuna e pllajës karstike të Veleçikut në jug.

Historia – Gjeneza e banorëve
Duke u bazuar në dokumente të shkruara dhe gjetje arkeologjike, mendohet se banorët e Kelmendit janë vendosur në Kelmend që në kohët e lashta dhe kanë vazhduar të jetojnë në këtë vend deri në ditët tona.
Në fshatin Selcë, është gjetur prej kohësh, një thesar monedhash ilire dhe mendohet se njerëzit kanë banuar në shpella që në kohë shumë të lashta.
Kohët e fundit janë gjetur fragmente qeramike të bronzit të hershëm, enë bakri e hekuri, fosile kafshësh dhe vizatime me thëngjill në shpellën e Lule Ndreut, në Grishaj të Vuklit

Në shek.Vl pas Krishtit, Prokopi i Çezaresë përmend kështjellën Klementiana. Përsa i përket prejardhjes së kelmendasve të sotëm ka gojëdhëna dhe burime shkencore. Gojëdhëna më e vjetër e më e njohur është ajo që përmend Kelmecën, si të parin e kësaj krahine, një djalë nga Kuci. Kelmeca u martua me Bubën dhe u vendos me banim në Peshtan. Kur Kelmeca vdiq, emri i tij i mbeti gjithë zonës dhe emrat e djemve (Seli, Vuli, Nili, Bogu) u mbetën respektivisht fshatrave (Selcë, Vukël, Nikç, Bogë).Kjo histori e vjetër korespondon me egzistencën e grupeve të shqiptarëve përgjatë zonës së lumit Cem në vitin 1278, përmendur nga M. Shuflaj.
Sipas Dr. F. Nopca banorët e Vuklit dhe Nikçit kanë ardhur nga Vuthaj.
Këto opinione janë konsoliduar më tepër nga hulumtimet gjenealogjike të L. Rrotani. Sipas tij, kelmendasit e sotëm kanë prejardhje të ndryshme, por kryesisht dallohen dy grupe: Grupi i Peshtanit dhe Grupi Anas.

Edhe në Defterin e Regjistrit të Sanxhakut të Shkodrës, më 1497, Kelmendi gjendet fis i organizuar me dy fshatra, pesë lagje të mëdha dhe 152 shtëpi.
Shkurt, autoktoninë e kelmendasve e ka dëshmuar edhe Enciklopedia Gjermane e vitit 1824, ku ndër të tjera thotë: ‘Kelmendasit, Arnautët, janë nga fiset e vjetra Ilire’.

Historia – Perandoria Otomane
Në vitin 1497 turqit njohën Kelmendin, kryen regjistrimin e tij dhe ngarkuan banorët të paguanin taksa të larta (haraç). Banorët refuzuan të paguanin detyrimet, prandaj filloi konflikti i gjatë i kelmendasve me Turqinë.
Për të përballuar vërshimin turk, kelmendasit qëndruan brenda trojeve të tyre dhe bashkëpunuan me fise të tjera, kryesisht me ato të Malësisë së Madhe. Natyra e tyre si kështjellë u shërbente si aleat i përhershëm. Për pushtuesit, terreni i ashpër dhe i largët nuk ishte tërheqës, por kërkonin vjeljen e taksave dhe rritjen e autoritetit perandorak, që ulej nga qëndresa e malësorëve.
Kelmendasit luftuan kundër osmanëve me trimëri të mëdha për atdhe, liri dhe fe, duke shënuar etapën më të lavdishme në historinë e tyre.

Prej 1509 deri më 1603, Sulltani kërkoi një haraç shtesë dhe dërgoi ushtrinë kundër malësorëve, por u detyrua të tërhiqet. Për më tepër se 10 vjet, malësorët e Malësisë së Madhe nuk e paguan fare haraçin.
Viti 1638 ishte më i përgjakshmi. Një ushtri turke me 15,000 ushtarë të udhëhequr nga Vuço Pasha u nisën drejt Kelmendit. Veprimet luftarake u kryen në shkurt. Kelmendasit u tërhoqën dhe u siguruan, duke e lënë armikun të hyjë në luginë. Pastaj e goditën në befasi dhe pas 16 ditësh e bënë të tërhiqet ushtrinë turke, duke vrarë me qindra dhe humbje materialesh në fushë të betejës. Për këtë fitore është folur shumë brenda e jashtë vendit.
Në 1686 kelmendasit ndaluan marshimin e Sulejman Pashës drejt veriut të Tivarit. Një vit më vonë, së bashku me ushtrinë austriake hynë në Prizëren dhe Shkup. Në 1691 mbështetën luftën e banorëve të Malësisë së Madhe dhe një vit më vonë atë në Mal të Zi.

Në luftën heroike të kelmendasve janë dalluar gjithnjë gratë. Simboli i këtij heroizmi është Nora e Kelmendit, e cila e therri Pashain turk te Zalli i Bruzit (Selcë) në 1707.

Gjatë viteve 1737-1739, kelmendasit ndihmojnë malësorët e Malësisë së Madhe dhe austriakët deri sa morën Nishin e Novipazarin, por pas disfatës së kryengritjes u burgosën rreth 300 kryengritës, kryesisht nga Kuçi e Kelmendi. Në kohën e Pashallëkut të Shkodrës (1775 – 1829), kelmendasit ndihmuan sa herë që bushatllinjtë ngritën krye kundër Turqisë.

Pas Luftës Ruso-Turke (1877-1878) vendi u la nën sundimin osman dhe u cungua në favor të Bullgarisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë. Kështu iu aneksua Malit të Zi Kelmendi dhe pjesa veriperëndimore e vendit. Ndaj këtij Traktati, kelmendasit, bashkë me popullsinë e krahinave të tjera, shprehën vendosmërinë e tyre për mbrojtjen e trojeve të veta.
Shtetet fqinje, që fituan pavarësinë prej ndihmës së aleatëve synonin ta ndihmonin Shqipërinë, me synimin e vetëm për ta gllabëruar, sidomos Mali i Zi mbeti pa një thelë midis Hercegovinës e Shqipërisë, prandaj kërkonte zgjerimin e saj në kurriz të tokave shqiptare.
Për të shpëtuar tërësinë tokësore të atdheut dhe për t’u shkëputur nga robëria shekullore turke, patriotët shqiptarë, më 10 qershor 1878, themeluan Lidhjen e Prizrenit. Me synim luftën njëkohësisht në dy fronte: kundër synimeve grabitqare të serbo-malazezëve dhe taksave të administratës turke. Mbështetjen e parë nga njerëzit e Kelmendit e jep Ujk Gila në Shkodër, i cili, së bashku me krerë të tjerë të malësive, nënshkroi protesta e telegrame drejtuar qeverive të Fuqive të Mëdha dhe përfaqësuesve të tyre në Kongresin e Berlinit, kundër aneksimit të tokave shqiptare.
Kongresi i Berlinit (16 qershor-13 korrik 1878) ratifikoi Traktatin e Shën Stefanit, duke mos i njohur asnjë të drejtë Shqipërisë, veç Mirditës, kurse Malit të Zi i jepte të drejtën e aneksimit të Plavës e të Gucisë.

Në mbrojtje të Plavës e të Gucisë, kelmendasit, përkrah 6,000 forcave vullnetare të Lidhjes së Prizërenit nga Rrafshi i Dukagjinit, Kosova, Suma, Gashi e Krasniqja, Shkodra e Dukagjini, Dibra e Tetova, nën udhëheqjen e Jakup Ferrit e Ali Pashe Gucisë, përballuan me heroizëm 8000 forca malazeze, në dhjetor të vitit 1879.

50 kelmendas morën pjesë në luftën për mbrojtjen e Ulqinit, por ndërhyrja ushtarake e fuqive të mëdha dhe Turqisë bëri që Ulqini të dorëzohej më 26.11.1880.
Kryengritja e Malësisë së Madhe, nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, filloi në pranverë të vitit 1911.

Me ngjarjet e vrullshme, Kuvendi i Përgjithshëm i Krerëve Shqiptare u zhvillua më 10-23 qershor 1911 në Grece të Selcës. Një memorandum me 12 pika i quajtur ‘libri i kuq’ iu dërgua qeverisë Turke. Nga gjithë kërkesat, më kryesorja ishin ato lidhur me autonominë territoriale dhe administrative, arsim shqip etj. Këto përpjekje çuan në revoltën e përgjithshme në 1912, e cila rezultoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912.

Historia – Pavarësia
Njohja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe aq më tepër ajo e Kelmendit u rrezikua disa here nga intrigat grabitqare të aleances ballkanike në mbështetje të Fuqive të Mëdha. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (dhjetor 1912) vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën sovranitetin e Sulltanit dhe nën kontrollin e Fuqive të Mëdha, me kufi verior Malin e Zi dhe me kufi jugor Greqinë.
Vendet ballkanike propozuan lokalizimin e Shqipërisë duke lënë Kelmendin jashtë territorit.
Serbët dhe malazezët synonin të vendosnin fuqinë e tyre duke ushtruar presion mbi malësorët vendas.
Kur ata dështuan në realizimin e këtij plani malazeztë pushtuan territore shqiptare nga Peja në Shkodër. Në qershor të vitit 1913 arriti në Kelmend një kolonë serbe, e cila pushtoi edhe Kastratin. Mali i Zi ngute këmbë të kishte si kufi jugor lumin e Matit ose së paku Drinin.
Mbi bazën e këtyre propozimeve, Konferenca e Ambasadorëve, më 29 korrik 1913, vendosi autonominë e trashëgueshme të Shqipërisë nën garancinë e Fuqive të Mëdha, duke lënë jashtë trojet shqiptare Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Plavën, Gucinë, Hotin, Grudën, Ulqinin, Tivarin, Tetovën, Gostivarin, Çamërinë etj.
Kurse për caktimin e kufijve, sipas drejtësisë së shtrembër të Evropës së qyteteruar, Konferenca ngarkoi dy Komisione Ndërkombëtare, njërin për veriun, ku Prekë Cali ishte i vetmi shqiptar anëtar i Komisionit të Kufijve, dhe komisionin tjetër për jugun.
Copëzimi i Shqipëisë ishte një padrejtësi e qartë që iu bë shqiptarëve. Ata protestuan tërësisht ndaj këtij akti.
Komisioni arriti në Vermosh, më 3 qershor 1914, por sapo mbërriten aty ata u rrethuan nga malazezë që synonin të pengonin cdo mundësi marrëdhëniesh midis shqiptarëve dhe komisionit. Ata arrestuan gjithashtu njerëz të pafajshëm e carmatosën banorët vendas.
Komisioni për kufirin verior, shkruante në mënyrë të tillë që nuk jepej qartë vija e kufirit midis Vermoshit dhe trojeve shqiptare (Kuc e Guci) të mbetura me Malin e Zi.
Prandaj Vermoshi mbeti objekt grindjesh e gjakderdhjesh midis kelmendasve e malazezëve dhe një korridor i hapur për hyrje e dalje të fqinjëve
Boshllëku politik u shfrytëzua nga serbët dhe malazezët në interes të tyre gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas. Këto shtete u favorizuan nga Traktati i fshehtë i Londrës ( prill 1915) që e copëtoi Shqipërinë midis Malit të Zi, Serbisë, Greqisë dhe Italisë.
Trupat malazeze hynë në Kelmend më 8 qershor 1915. Kelmendasit rrokën armët dhe u përleshen me pushtuesit. Beteja të përgjakshme janë zhvilluar kudo
Në shenjë hakmarrjeje ndaj qendresës së kelmendasve 70 selianë u vranë përnjëherë në Bjeshkën e Koprrishtit.
Kelmendasit, bashkë me bajrakët e tjerë të Malësisë së Madhe, më 2 korrik 1919 nënshkruan një memorandum, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris, kundër cungimit të trojeve shqiptare.
Simbol i rezistencës dhe terrorit nga armiqtë ishte Mem Smajli, i cili kërkoi që varri i tij të ishte në bjeshkët e Pojanicës, vendlindjes së tij, dhe kështu malazezët nuk do harronin që kjo ishte tokë shqiptare.
Kongresi i Lushnjes (31 janar 1920) formoi një qeveri, e cila kërkoi njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë.
Më 17 dhjetor, po të vitit 1920, Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve.

‘Mirëkuptimi’ shqiptaro-jugosllav u aprovua nga qeveritë dhe u firmos një protokoll përfundimtar mbi kufijtë në Firence (26 korrik 1926) duke shprehur të drejtën e kalimit të banoreve të Plavë-Gucisë e Podgoricës nëpër Vermosh dhe anasjelltas e drejtë e cila fatkeqësisht nuk është zbatuar .

Vendosmëria e banorëve nën udhëheqjen e patrioteve vendas udhëhequr nga Pekë Cali përbënte faktorin e brendshem më me rëndësi për shpëtimin e Kelmendit nga copëtimi i tij. Gjatë regjimit monarkik të mbretit Zog, kelmendasit përjetuan varfërinë dhe mungesën e qytetërimit.
Kur italianët vunë këmbë në Kelmend ata morën gjithë masat për të vënë në jetë idenë e Shqipërisë Etnike. Kjo ide u aprovua edhe nga gjermanët në prill 1941. Kjo politikë synonte të krijonte përçarje e mosmarrëveshje që dobësonin rezistencën e shqiptareve.

Historia – Kundër komunizmit
Në fund të Luftës se Dytë Botërore forca politike dhe ushtarake kryesore e vendit (partia komuniste) dërgoi ushtrinë e vet për të shkatërruar forcat nacionaliste dhe për eliminim të kundërshtarëve të komunizmit në Veri. Në Nikaj-Mërtur, Dukagjin, Kelmend ata hasën në rezistencë të armatosur. Malësorët të udhehequr nga Prekë Cali ishin antikomunistë. Më 15 janar 1945, u zhvillua një betejë midis Brigades I Sulmuese dhe forcave nacionaliste vendase në Uren e Tamarës. Në këto luftime dhanë jetën mbi 52 parti­zanë, e për pasojë terrori komunist në Kelmend u bë më i pashembullt. Afro 150 burra, ndër më të zgjedhurit e Kelmendit, i vranë, i dogjën për së gjalli brenda shtëpive, iu nxorën sytë dhe i groposën, apo i torturuan mizorisht. Udhëheqësi i tyre Preke Cali u pushkatua.
Në këtë mënyrë komunizmi u vendos nëpërmejt tragjedive të dhimbshme, me gjakderdhje të madhe dhe tortura njerëzore që nuk harrohen kurrë. Këto ishin vetëm një pikënisje e dramave të tjera gjatë diktaturës. Lufta e klasave u aplikua me mjaft forcë duke mohuar lirinë dhe të drejtat njerëzore. Kelmendi ishte dyfish i izoluar: nga kufijtë dhe nga mungesa e rrugëve. Shumë njerëz u grinë nga plumbat e acari kur përpiqeshin të kalonin kufirin.

Historia – Mbështjetje demokracisë
Pas një periudhe gati pesëdhjetëvjeçare në regjimin komunist, edhe Kelmendi, si gjithë vendi, i mbështeti proçeset demokratike. Keto proçese janë zhvilluar me gjak e sakrifica. Partia përpiqej për të mbajtur me çdo kusht pushtetin komunist. Përpjekja e parë demokratike është bërë nga shqiptarët e diasporës më 19 janar 1990. Ata organizuan në New York një demonstratë të fuqishme për demaskimin e diktaturës komuniste në vendin tonë.
Kelmendasit nga diaspora, të udhëhequr nga Nikë Mernaçaj që u bë lider i protestave në diasporë deri në momentin e vdekjes si martir i demokracisë dhe lirisë, morën pjesë në këtë demonstratë.

Më 14 qershor 1990 vritet në kufi 17 vjeçari Pëllumb Pëllumbaj. Ai u bë simbol i Demostratës së Parë Antikomuniste të rinisë shkodrane, më 16 qershor 1990, e cila u bë prologu i vërshimit masiv në ambasada (2 korrik) dhe i lëvizjes studentore në Tiranë.

Identiteti kulturor – Familja
Për kelmendasit është e qartë se familja është vatra e lumturisë dhe ata bëjnë gjithçka munden për të plotësuar nevojat e saj. Mysafirit i shprehet bujari mbretërore me vlera dhe norma të rëndësishme kulturore. Nga e kaluara, familja kelmendase ka një hop cilësor dhe përparim të përgjithshëm shoqëror, si nga struktura e brendshme, ashtu dhe nga përbërja sociale. Nuk ka familje me 30-40 antarë si më parë, zakonisht ato përbëhen nga një ose dy çifte dhe fëmijët e tyre. Zakonisht familjet janë të një barku dhe me dy-tre breza.
Aktiviteti ekonomik kryesor është blegtoria e bujqësia. Familjet kanë prona private në verri (tokë e bagëti) dhe në bjeshkët (kullotat) e përbashkëta. Asnjë nuk e konsideron veten si pronar absolut në familje. Familjet përpiqen të rritin numrin e bagëtive e aktivitetet e tjera, dhe me të ardhurat që sigurojnë prej tyre blejnë drithëra buke, orendi shtëpiake, prodhime industriale etj.
Afeksioni, mirësjellja dhe respekti, vihet re në familje. Sipas zakonit është kryefamiljari ai që mban peshën kryesore në familje. Ai udhëheq, menaxhon ekonominë dhe te ardhurat, bën punët jashtë shtëpisë, kujdeset për ushqimin, rrobat, ndërtimin e shtëpisë dhe organizimin e festave, fejesave etj.
Gruaja është e lirë. Ajo kujdeset për fëmijët, përgatit ushqimet, mban shtëpinë të pastër, punon në kopsht, kujdeset për bagëtinë, të mbjellat etj. Ajo kërcen, këndon dhe hedh valle me burrat në dasma e në gëzime. Familjet hanë vaktin në një tavolinë të përbashkët, sidomos darkën, sepse mblidhen të gjithë. Gruaja dhe fëmijët nuk hanë me mikun si shenjë nderimi. Konsiderohet nderim për mikun qëndrimi i gruas në shërbim të tij gjatë ngrënies dhe mosprania e fëmijëve. Prindërit interesohen për mbarëvajtjen në shkollë të fëmijëve, lojërat dhe punët e tyre. Ata u mësojnë atyre si të këndojnë, të lodrojnë, tu bien veglave muzikore të krahinës, të bëjnë punë artizanale druri etj. Të rinjtë i respektojnë prindërit. Kur ata emigrojnë, dërgojnë para në vendlindje. Kur familjet ndahen, prindërit në këtë rast zakonisht preferojnë të qëndrojnë me djalin e vogël. Në kodin moral të familjes vlen të përmendet besa, mikpritja, nderi dhe burrëria. Këto virtyte reflektohen në besnikërinë e tyre ndaj miqve, familjes, fisit etj.

Identiteti kulturor – Kostumet kombëtare
Veshjet e banorëve të zonës janë tradicionale dhe moderne. Reliket e lashtësisë shqiptare janë ruajtur me kujdes në kostumet popullore të vendasve. Një udhëtar i shekullit te XVIII shkruante se as palloi e as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa gratë kelmendase në veshjet e tyre.
Në ditët e sotme kelmendasit i veshin këto kostume, të cilat konsiderohen si nga më të bukurat në Shqipëri, në raste festash.
Tirqit, që njihen me emrin “çakshire”(pantallona shajaku), një këmishë të bardhë, jakë pa skepa (cepa) dhe pak e qëndisur. Mbi të vishej jeleku e xhamadani, të zbukuruar anëve me spik me fije ari, xhurdia prej shajaku me kapele të ngjitur, këto janë veshja karakteristike e burrave.
Veshja popullore e grave jep një malësore tepër elegante. Elementi më tipik i kësaj veshjeje është xhubleta është një fund poshtë i gjerë dhe lart i ngushtë, në trajtë këmbane deri poshte gjurit, që vjen shumë e valëvitur përfundi, dhe po aq valëvitet gjatë ecjes. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur nga breza spiku, që mbahet e varur në supe nga dy rripa të gjerë, duke i lënë të lira zbukurimet e gjoksit. Ka mbizotëruar pothuajse ngjyra e zezë. Ajo ka përfundi një rrip shajaku të bardhë që bie në sy nga larg. Studiues të ndryshëm e kanë dokumentuar xhubleten si veshjen më të lashtë në Evropë, që i përket qytetërimit mesdhetar, dhe si monumentin unikal në kulturën shqiptare.
Studiuesit e Etnografisë e konsiderojnë xhubleten me prejardhje të lashtë. Paraqet analogji me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në vise Mesdhe, që i përkasin mijëvjecarit të dytë para erës së re dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.
Tualeti i grave është një traditë e lashtë, sa interesante, aq edhe origjinale. Gratë tregojnë një kujdes të veçantë për mbajtjen e flokëve dhe për tualetin e fytyrës. Përgjithësisht gratë i lyejnë flokët të zeza dhe vendosin pak vaj për shkëlqim. Kacurrelat i rreshtojnë në vijë të pjerrët dhe vendosin karfica, gurë e lule të ndryshme.
Ato preferojnë të skuqin faqet dhe lyejnë sytë dhe vetullat të zeza.

Identiteti kulturor – Punimet artistike
Midis varianteve të ndryshme të kulturës materiale të Kelmendit, një vend të rëndësishëm zënë punimet artistike me gurë, dru e lesh, si dhe ndërtimi i mullinjve të blojës. Zejtaria e vogël shtëpiake me dru e lesh ka marrë më tepër zhvillim këtu për shkak të jetesës së banorëve pranë pyllit dhe të ekonomisë me karakter të theksuar blegtoral. Arti i punimit të drurit ka figura të njohura në Kelmend. Puna e drurit është e specializuar dhe ndjenja e së bukurës mbështetet fort në traditën, aq sa Kelmendi duket si nje ekspozitë e vogël arti. Me dru kelmendasi ka krijuar divane, karrige, tavolina, dollape rrobash, krevate, korniza fotografike, abazhure, vegla muzikore (lahut, cifteli), tavane, dyer e dritare etj. Shumë prej tyre janë stolisur me gdhendje (lule, gjethe, degë) dhe figura gjeometrike me ngjyra të ndryshme. Tradita e përpunimit të leshit mban krijime të vërteta të artit popullor në veshjet tradicionale, xhubleta, çakshire, në plotësimin e nevojave për shtroje etj.
Mulliri blojës me ujë është një objekt i vogël, por me një mjeshtëri të madhe. Nëpërmjet një tubi me dalje të ngushtë bie ujë me forcë mbi disa fletë (helika) horizontale të një boshti vertikal, që del mbi dyshemenë e mullirit dhe kalon ndërmjet dy gurëve si rrota, ku i sipërmi rrotullohet me shpejtësi të madhe e i poshtmi qëndron në vend. Pranë gurëve mbahet me shtanga koshi i drithit, i cili ngushtohet poshtë në një vrimë që lëshon ngadalë drithë në një lugë të vogël.
Në mullirin e Jasanoves (Selcë), është realizuar frenimi automatik, ku njëri skaj lidhet me një dru me veshë dhe vendoset në fund të koshit dhe tjetri lidhet me mekanizmin frenues. Kur drithi mbaron, del litari nga koshi dhe freni menjëherë pengon fletët.

Identiteti kulturor – Traditat folklorike
Bukuria folklorike në Kelmend është e mahnitshme. Krijimtaria artistike gojore, muzikore, koreografike dhe dramatike, është e pasur dhe e larmishme. Me këngë kelmendasi vuri fëmijën në gjumë, i këndoi dashurisë, bëri dasmën, shkoi në luftë, përshkroi ngjarjet luftarake dhe përcolli për në banesën e fundit me këngë vaji. Me valle shprehu gëzimet e hidhërimet e jetës dhe me legjenda, përralla, tregime humoristike, me fjalë të urta, gjëegjëza kaloi netët e dimrit dhe u la brezave vlera të mëdha edukative. Këngë e valle i ekzekutoi me tingujt e ëmbël të lahutës, të çiftelisë, të fyellit e të tepsisë.

Disa elemente kryesore të folklorit të kësaj zone janë:

– Këngët e djepit ua këndojnë fëmijëve kur i vënë në gjumë. Në to shprehen dëshirat e nënës për fëmijën e saj djalë apo vajzë.

– Këngët e dasmës janë mjaft të larmishme dhe u këndojnë bukurisë së çiftit. Bashkë me to këndohen edhe këngë të tjera dashurie, trimërie etj. Këngët e dashurisë në Kelmend kanë lirikë të pasur e të bukur erotike. i këndohet dashurisë së dëlirë e të sinqertë të djalit e të vajzës, elegancës dhe bukurisë së vajzave.

– Këngët kreshnike përfshijnë shtresën më të lashtë të krjimtarisë së popullit dhe dëshmojnë jo vetëm lashtësinë e banorëve, por edhe autoktoninë e pandërprerë në trojet e tyre ku ndodhen sot. Vend kryesor zë konflikti i ashpër midis shqiptarëve dhe shkjeve (sllavët e jugut) e osmanëve. Shpesh këngët marrin karakter fantastik, ku dalin besime e zakone të lashta dhe bëma me forca mbinjerëzore, të mbrojtura nga qëniet mitologjike. Këngët u dedikohen ngjarjeve historike, guximit dhe trimërisë së banoreve dhe rezistencës së tyre kundër pushtuesve.

– Folklori koreografik shprehet nëpërmjet valleve të ndryshme epike dhe lirike.
Vallja e shpatave kërcehet nga dy burra që mbajnë në dore shpata dhe imitojnë ndeshjen e dy kundërshtarëve.
Festa më tipike është Dita e Logut. Ajo organizohet për festën e bajrakut (Shna Prende), e cila shfaq në mënyrë të mrekullueshme gjinitë themelore të folklorit në Kelmend. Logu fillon me një këngë ‘maja krahu’, pastaj merr një gjallëri të veçantë nga lahutarë e kërcimtarë, që zëvendësojnë njëri-tjetrin duke krijuar një mjedis mjaft tërheqës, duke vazhduar me lojën e bajrakut, lojën e shamisë, gjuajtjen e shenjës dhe mbyllet me vallen e shpatave.

Identiteti kulturor – Dita e Logut
Në vite në zonën e Kelmendit ka egzituar një log që dikur quhej ‘Logu i Nuseve’. Fillimet i ka në ritet fetare, që zhvilloheshin në kishat e fshtarave Selcë, Vermosh, Vukël. Banorët vinin nga gjithë zona në meshën e shenjtë. Mbas meshës njerëzit dilnin dhe aty rreshtoheshin të gjitha nuset e atij viti, veshur me veshje tradicionale plot ngjyra dhe zbukurime. Ndërkohë hapej një log ku kërcenin vallen tradicionale të zonës, që quhet Vallja e Logut. Vazhdonin me kengë e kërcime dhe vlerësonin nusen më të bukur. Pra këtu e ka zanafillën edhe Logu i Bjeshkëve, që bëhet çdo vit në muajin gusht, në vendin e quajtur Qafa e Predelecit, në Kelmend.
Në vitet në vazhdim u trashëgua dhe filloi të bëhej festë e madhe, e cila organizohet çdo vit e më bukur.
Nuset e zonës, sipas traditës janë veshur me kostum kombëtar kur kanë nusëruar, por njëkohësisht me të njëjtin kostum kanë marrë pjesë edhe në Logun e Bukurisë. Kostumet kombëtare janë veshur disa mijëra vjet më parë. Ato punoheshin me vekë (tezgjah). Ky log ishte mënyra më e mirë për shpalosjen e bukurisë së kostumeve popullore, valleve e këngëve popullore-një paradë e traditës kulturore të zonës.

Kësaj feste iu dha një rëndësi e veçante në vitet e demokracisë. Ajo u emërtua Logu i Bjeshkëve. Në vitin 1998 morën pjesë 5 vajza dhe bukuroshja fituese e këtij Logu ishte Liljana Rrukaj nga Tamara.Në vitin 1999 moren pjesë 8 vajza dhe pjesëmarrja e njerëzve në këtë festë ishte më e madhe. Edlira Rrukaj nga Broja ishte fituese këtë vit.
Pas këtij viti njerëz brenda dhe jashtë Shqipërisë filluan të vijnë për të festuar bashkë me kelmendasit Logun e Bjeshkëve. Në vitin 2000 përsëri organizohet Logu i Bjeshkëve nga Komuna Kelmend, numri i vajzave (9) dhe pjesëmarrja e popullit sa vjen e shtohet për të kënduar e kërcyer në këtë festë. Fituesja ishte File Lumaj nga Vermoshi. Kjo ditë dhe kjo festë mbeten për Kelmendin një ndër festat më të bukura. Deri ne at] kohë. Në vitin 2001 morën pjesë vetëm 3 vajza dhe fituese ishte Zamira Vaçaj nga Tamara.
Në vitin 2002 morën pjesë 5 bukuroshe, nga të cilat 2 nga trevat shqiptare Plava e Gucia. Fituesja ishte bukuroshja nga Vermoshi Shpresa Vushaj.
Në vitin 2003 pjesëmarrja ishte më e mirë dhe fituese doli Eltona Vushaj nga Vermoshi.
Në vitin 2004 ishte një organizim më i mirë dhe një pjesëmarrje më e madhe . Morën pjesë 11 bukuroshe, ku fituese doli Marjeta Vuktilaj nga Vermoshi.
Në vitin 2005 bukuroshja fituese doli Verzana Pëllumbaj.
Në vitin 2006 kurorëzohet një nga logjet më të bukura të organizuara në këtë vend, me një pjesëmarrje shumë të mirë : 21 vajza, 5 nga të cilat nga Plava e Gucia. Fituesja e këtij viti ishte bukuroshja nga Selca Emanuela Hysaj.
Viti 2007 karakterizohet nga një organizim akoma më i mirë nga Komuna Kelmend, por një ndihmë të madhe në këtë drejtim dha Shoqata Kulturore ‘Jehona e Kelmendit’, e themeluar në tetor të 2006, e ndihmuar nga Projekti Zhvillimit Rural i Integruar në Kelmend. Mbas një koncerti festiv prej 3 orësh, bukuroshja fituese e këtij Logu u shpall Ejona Volaj nga Tamara.

Vendbanimet – Vermoshi
Përfaqëson fshatin më verior të Shqipërisë. Shtrihet në bazën e gjerë dhe të rrafshët të luginës së Vermoshit. Lugina ka lartësi 1,055 m.
Disa nga objektet më të rëndësishme janë: lugu i varur akullnajor i Skropatushës, kanioni i Gercarit, shkëmbinjtë e rrudhosur gjatë rrugës për në Lepushë, shpella karstike e Jaçicës. Klima është malore e ftohtë (me borë dhe ngrica) në dimër, kurse verës mbizotëron një klimë e këndshme si pranverë.
Lugina përshkohet nga një rrjedhje e qetë me veçoritë e një lumi fushor. Kudo gjenden burime me ujë të freskët e të shëndetshëm që dalin aty këtu. Rreth 1.5 milion m3 ah dhe pishë e zezë mbulojnë në mënyrë të dendur luginën.

Bjeshkët e Vermoshit (Sefercë, Smutiroga, Lugu i Dolit, Perbica, Grebeni etj.) dhe livadhet e kullotat janë të pasura. Këtu gjenden më shumë se 30 lloje bimësh mjeksore dhe aromatike dhe një numër i madh kafshësh.
Në 1998 fshati numëronte 1430 banorë. Ata erdhën nga Selca nga fundi i shekullit XIX. Banorët morën pjesë në shumë beteja kundër turqve dhe malazezëve. Ky fshat është vendlindja e patriotëve si: Mem Smajli, Prek Cali etj. Fshati është i shpërndarë në 5 lagje. Banorët e tij banojnë në shtëpi 2-3 katëshe prej guri. Në pjesën ballore të shtëpisë gjendet një ballkon mbi trarë të dalë nga muratura përgjatë ballit të banesës, kurse brenda gjenden mjedise me dritare, të rregulluara me shije artistike dhe me kushte të përshtatshme higjieno-sanitare. Punimet prej druri dhe leshi janë të njohura. Banorët ruajnë traditën për veshjet popullore. Drejtimi kryesor i ekonomisë familjare është blegtoria (rreth 380 krerë gjedhë dhe 1800 dhen). Pyjet dhe kullotat i lënë pak vend bujqësisë (115 ha). Patatja është bima që kultivohet më shumë. Ka ndërtesa që funksionojnë si bare, restorante e hotele, dyqane, shkollë fillore, qendër shëndetësore dhe një kishë në qendër të fshatit.

Vendbanimet – Lepusha
Lepusha është një fshat i vogël malor në Kelmend. Emri i saj rrjedh nga një bimë barishtore me lule të verdha, që quhet Lepushtra (Caltha palustris), që rritet me shumicë në fshat. Fshati përbëhet nga 4 grupime shtëpish, që shtrihen në dy pellgje ujëmbledhëse: në atë të Vermoshit dhe në atë të Cemit, në lartësinë mbi 1260 m. Lepusha vlerësohet si kryevepra e natyrës së Kelmendit dhe si “perlë” e Alpeve Shqiptare.
Male të larta (Kontrasti më i theksuar këtu është peizazhi alpin i bllokut të Shenikut në Bjeshkët e Namuna me atë të maleve të tjera përreth) me 5,297 ha kullota të gjelbra dhe pyje rriten këtu. Fshati laget përherë nga përroi i quajtur Sheu i Lepushës.
Bie kaq shume borë në dimër, saqë trashësia e saj ka arritur deri në 425 cm, më e larta në vendbanimet shqiptare.
Banorët e parë u vendosën në Lepushë në fillim të shekullit të XX. Ata erdhën nga Vukli dhe Nikçi. Në fund të Luftës së Dytë Botërore në Lepushë numëroheshin 18 ekonomi, kurse më 1998 numëroheshin 495 banorë. Dega kryesore e ekonomisë është blegtoria dhe klutura që mbillet më tepër është patatja. Përpunimi artizanal i drurit është një tjetër burim ndihmës për ekonominë e banorëve.
Në Lepushë( Predelec) gjenden njësi tregtimi dhe shkolla 8-vjeçare. Kjo qafë ka qenë një vend i rëndësishëm për kuvendet e mbarë kelmendasve dhe për festimin e përvitshëm të Shën Prendes (Logu bjeshkëve) .
Lepusha është një vend i mrekullueshëm me potenciale për zhvillimin e turizmit malor për alpinizëm, rrëshqitje mbi borë, për njohjen e florës, gjuetinë e kafshëve të egra etj.

Vendbanimet – Selca
Ky fshat shtrihet atje ku lugina e Selcës është më e zgjeruar dhe më pjellore, midis maleve të Lerthit e Koshticës dhe Golishit e Dubinës. Eshtë një vendbanim i vjetër që përmendet në dokumentet e vjetra që nga shekulli XV. Deri në vitin 1935 ishte qendra e Kelmendit. Në mars 1998 numëronte 1,187 banorë.
Fshati përbëhet nga 11 grupe shtëpish, por është e pamundur të gjendet nje pikë, qoftë kjo edhe majë mali, nga e cila të jepet mundësia t’i vështrosh ato përnjëherësh. Bie në sy shembulli tipik i banesës dykatëshe në zonë, që i përket gjysmës së dytë të shek. XIX, që dallon për shameshin gjatë gjithë ballit të saj, për dritare me fashaturë dërrasë, për dollap muri, si dhe për nje fashaturë të thjeshtë në nivelin e dritareve.
Ka një shkollë nëntëvjeçare në lagjen Dobrinjë, një kishë, qendër shëndetsore dhe njësi tregëtare.
Drejtimi kryesor i ekonomisë është blegtoria e bujqësia. Numërohen rreth 2200 dhen dhe lloje të tjera kafshësh.
Ekonominë e ndihmon edhe grumbullimi i bimëve të ndryshme mjeksore, ndonëse pylli varfërohet në krahasim me pellgun e Vermoshit. Selca ka shumë shkëmbinj dhe fare pak toka bujqësore: 38.1 ha, ku mbillet misër, patate dhe perime. Në drurët frutorë rriten arra, kumbulla verore, mollë, thana, fiq, mana e hardhi. Fiku dhe mani, si kufi të sipërm të tyre, kanë Selcën. Si bimë e rrallë njihet vjollca e veçantë (Speciosa).
Në Selcë ka disa objekte të rëndësishme turistike. Krejt papritur një kanion i bukur me përmasa të konsiderueshme, që banorët e quajnë “Gerrle” shfaqet midis shtëpive dhe arave të mbjella me një gjerësi aq të vogël, sa kurorat e drurëve vende-vende afrohen nga njëri breg në tjetrin. Kur bien shira të rrëmbyeshme, përplasjet e mëdha të ujit mbi shkëmbinjtë shkaktojnë dallgë të larta dhe një zhurmë të mbytur në thellësi të kanionit.
Në Pepaj takohet një grup gurësh me forma mjaft interesante, për shkak të veprimtarisë erozive. Speleologu ka çfarë të eksplorojë në Selcë: shpellën e Pogonicës, Gradit, Rrugës, Zgorolicës, Pollogës, Vllojakut, Pajës, Turçinit, etj.
Nga toka shpërthejnë lirshëm burimet ujore dhe nga malet zbresin vrullshëm ujëvarat. Kryevepra e ujëvarave të Kelmendit dhe ndoshta e të gjithë vendit është ajo e Sllapit.
Banorët e Selcës kanë marrë pjesë aktive në luftën për liri dhe independencë.
Mbi mburojën e paprekshme shkëmbore të Greçës rreth 300 m të lartë, ndodhet një lëndinë me bar të butë bjeshke. Në anë të këtij mjedisi gjelbëron edhe një ah gjigand, nga rrënjët e të cilit dalin trungje të mëdha dhe nga degët e tij të gjera formohet një kurorë e rregullt estetike. Nën hijen e tij burrat u mblodhën dhe hartuan memorandumin drejtuar Portës së Lartë për njohjen e kombësisë shqiptare me administratë e shkollë shqipe.
Betejat antiturke u zhvilluan tek qafa e Kestecit dhe Suka e Mkushit. Aty në Zall te Bruzit, trimëresha e këtyre anëve, Nora e Kelmendit vrau pashain turk. Këtu është vendlindja e Dedë Gjerit, Nikë Lekës, komandantë të pamposhtur në luftërat për liri.

Vendbanimet – Tamara
Tamara është qendra administrative e Kelmendit që më 1935. Shtrihet buzë Cemit të Selcës, aty ku Cemi i Selcës bashkohet në një lumë të vetëm me Cemin e Vuklit, në lartësi 235 m mbi nivelin e detit. Emri i fshatit vjen nga Tamara, e shoqja e Vezirit të Shkodrës, me fondet e së cilës u ndërtua në gjysmën e dytë të shek.XVIII një urë e re mbi Cemin e Vuklit, 75 m. Kjo urë mori emrin e Tamarës dhe po këtë emër mori edhe fshati i mëvonshëm.
Më parë Tamara ka qenë kullota dimërore e Selcës, kurse më vonë qendër administrative. Më 1945 kishte 19 ekonomi me 116 banorë, me 8.6 ha. Ndërsa sot, në këtë sipërfaqe toke (8.7 ha) ka rreth 500 banorë. Banorët e fshatit janë të ardhur nga Selca, Vukli, Broja, Kozhnja etj.
Eshtë një fshat i vendosur në një gropë të thellë rreth 1000 metra poshtë majave të maleve.
Qendra ka shtëpi dhe apartamente banimi. Në mes tyre është shkolla e mesme, me një kënd të mirë sportiv, dhe, më tej, spitali dykatësh i zonës, kisha, dyqane, bar-restorante etj.
Drejtimi kryesor ekonomik është blegtoria. Aty ka dhen, lopë dhe njëthundrakë. Nga bimët pëmendim kultura si: misër, jonxhë dhe perime. Gjithashtu rritet: fiku, kumbulla, mani, pjeshka, thana dhe hardhia.
Dimri në Tamarë është relativisht i ftohtë dhe vera e nxehtë. Masat e ngrohta ajrore që vijnë nga Shiroku nuk lejojnë ashpërsimin e klimës si në pjesët e tjera të Kelmendit. Në këtë fshat rrallë zë bora, ndonëse vendbanimi është në thellësi të maleve. Këtë gjë e tregon edhe bimësia, kryesisht mesdhetare me sherbelë e trumzë dhe dushqe të ndryshme, duke munguar ahu dhe pisha si drurë karakteristikë për luginat alpine. Të zë syri gjatë luginës shegë të egra. Lumi i jep bukuri fshatit. Në Cem mund të gjuhet troftë e mrekullueshme.
Disa shpella, si: Nënfateshë, e Bunëve të Maçurkut, Lugjeve te Bardhit, etj., i përkasin kohës parahistorike të Arbërit.
Shpella me turistike deri tani është ajo e Malqe Gradës, 1,165 m mbi nivelin e detit, me gjatësi rreth 310 m.

Vendbanimet – Broja
Shtëpitë e fshtatit janë të vendosura në lugje e gropa të çrregullta, në të majtë të bashkimit të Lumit Cem me Cemin e Vuklit. Qendra e Brojës është një tarrace e gjelbër 700 m e lartë, e cila ngjan me një ballkon natyral për të dyja luginat e Cemit. Një brez i zhveshur shkëmbor 5.5 km i gjatë dhe 40 m i trashë mbështjell skajet e tarracës, duke e bërë atë të duket si një kështjellë e sigurtë me mure të paarritshme. Jashtë tarracës së Brojës gjenden lagje të tjera: Kotobuqi zë një lug tërthor të shpatit. Kalca është mbi një rrafshinë të bukur përballë Vuklit, Rahovica, që shtrihet mbi deluvionet e një sqetulle malore, kurse Grabomi, ku vizitori shkel së pari tokën e Kelmendit.
Sipas dokumenteve të shkruara më 1497, mendohet që fshati Leshoviq me 23 shtëpi ka qenë vendosur aty ku është Broja sot. Banorët e sotëm e njohin veten të ardhur nga Nikçi, në fund të shek XIX. Sipas tyre, Broja ka qenë dikur bjeshkë e Kastratit, por iu dhurua Nikçit për mbështetjen që i bëri Kastratit, kur u sulmua nga malazezët. Më 1998, Broja numëron 714 banorë.
Këtu takohet banesa tip “kulle”, e cila mban veçori arkitektonike në ndërtim, me funksione banimi dhe mbrojtjeje. Në fshat ka shkolla fillore, njësi tregtimi, kisha e rikonstruktuar, si dhe kisha e Këshillit të Mirë në Grabom. Këtu afër ndodhet edhe një shpellë e cila njihet nga banorët si vend i shenjtë. Në fshat ka shumë shpella të tjera me vlera e rëndësi për speleologët dhe historinë.

Drejtimi kryesor i ekonomisë është blegtoria dhe bujqësia. Zhvillimi i tyre është i kufizuar për faktin se bjeshkët ( Bjeshkët e Namuna) janë larg, kurse toka bujqësore është e kufizuar (28.6 ha). Pyjet (ah, dushqe, shkurre) me një volum total prej 743,975 m3 kanë një rëndësi të madhe.

Vendbanimet – Kozhnja
Banorët që ërdhën nga Vukli, Nikçi e Dibra janë vendosur në këto troje në fillim të shek.XIX. Shpella si ajo e Lule Gjokës kanë dhënë dëshmi arkeologjike për vendbanime të hershme parahistorike. Sot fshati ka 231 banorë, të cilët merren kryesisht me blegtori.(dhën dhe shi). Dhia e Kozhnjës është e përmendur në Kelmend dhe më gjerë. Nga koza (dhi) ka shumë mundësi të ketë mbetur edhe emri i fshatit. Kurse tokë bujqësore ka vetëm 10.5 ha, që kultivohet kryesisht me misër dhe perime. Megjithkëto, në fshat të kap syri fenomene turistike të rralla. Kozhnja e Thellë është një lagje që të habit. Ajo është një gropë e thellë, me gjatësi 750 m dhe gjerësi afro 500 m, që mbërthehet me mure të fuqishme shkëmbore nga çdo anë. Muret shkëmbore, mbi 1,100 m të lartë nga tabani i gropës, lënë mbi Kozhnjë të Thelle rreth “një hektar” qiell. Ky fenomen duket se ndodh për shkak të mospajtimit të shtresave carbonatike me moshë të ndryshme.
Speleologët gjejnë shpella me vlerë (Shpella e Shnikut, Sternikut të Konjës së Thellë, Duhanit etj) dhe arkeologët (shpella e Lulë Gjoka, e Fratit) etj.

Vendbanimet – Vukli
Fshati Vukël shtrihet aty ku lugina e Vuklit merr përmasat e një pellgu. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një popullim të hershëm në këtë vend, të paktën që në periudhën e neolitit.
Në dokumente të shkruara në vitin 1497, Vukli njihej me emrin Shpaja, me 4 katunde dhe 112 shtëpi. Për herë të parë, emri Vukël përmendet në vitin 1671. Ky emër vjen nga Vukë, kreu i ardhur nga Vuthaj.
Në fillim të shekullit XIX Vukli kishte 94 familje dhe më 1998 kishte 1311 banorë.
Shtëpitë e bardha alpine, të vendosura në grupe nga baza e luginës deri në shpatet e maleve në sfond të gjelbër e gri, kanë një pamje të bukur. Ato janë një e dykatëshe, me mure të forta guri dhe me mbulesë tjegulle. Zakonisht takohet banesa karakteristike e zonës me ballkone (shameshin) e shkallë druri dhe ato të fundshekullit XIX, shtëpi dykateshe me dy mjedise banimi sipër dhe dy poshtë, me hyrje të drejtperdrejtë nga jashtë në të katër mjediset e banimit, pa ndërlidhje të brendshme. Dy shkallët anësore të saj lidhen me shameshinin, dyert jane të harkuara, dritaret të mbështjella me fasho druri dhe një çardak për mbajtjen e ushqimeve të freskëta.
Drejtimi kryesor i ekonomisë është blegtoria. Bjeshkët (Gjarpëri, Koprrishti, Berizhdoli etj) janë të pasura në kullota verore, ku kullosin më shumë se 1600 krerë dhen.
Si dhe në fshatrat e tjerë, toka bujqësore është e kufizuar. Këtu kultivohet misër, fasule, patate, perime dhe fruta (arra, kumblla, qershi).
Shpellat dhe burimet karstike janë të shumta. Disa shpella, si: ajo e Lule Ndreut, Prehareve etj., flasin me gjuhën e historisë, të tjera, si: shpella e Gjarperit, Borës, Shterris (Shtylle), Humit (Stepëz), kanë dukuri karstike. Të tjera presin të eksplorohen. Shpellat e Vushës dhe Shkëmbinjtë e Gurrës së Gegëve ofrojnë vlera turistike.
Burimet, Kopotet e Huteve në Llugë, Jazvina dhe Pepusha, formojnë mjedise mjaft të këndshme e çlodhëse.
Klima është shumë e shëndetshme, ndaj gjallëron jeta në këtë vend.

Vendbanimet – Nikci
Eshtë një fshat që shtrihet në krye të Cemit të Vuklit dhe rrëzë majës së Shenikut (Bjeshkët e Namuna), në një gropë të thellë me lartësi 600 m mbi nivelin e detit. Sipas dokumeteve të shkruara, ky fshat është përmendur për herë të parë në 1671 nga banorët që erdhën nga Vuthajt, të kryesuar nga Deli Nika, prej nga supozohet të ketë marrë edhe emrin fshati. Në dekadën e parë të shekullit XIX, egzistonin 154 shtëpi, kurse më 1998 numërohen 538 banorë. Kryesisht janë të besimit katolik dhe një pjese jo e vogël janë myslimanë. Banorët kanë marrë pjesë aktive në luftërat shekullore për liri e pavarësi, duke i dhënë Kelmendit figura të shquara, si Turk Shabin, Uc Turkun etj.
Këtu gjenden gjurmet e banesës më të vjetër të zonës, që i përket gjysmës së dytë të shek.XIX.
Drejtimi kryesor i ekonomisë është blegtoria (gjedhë, dhen e dhi) dhe më pak bujqësia (vetëm 37.1 ha tokë bujqësore që mbillet me misër, patate, perime dhe fruta)
Këtu gjen shumë burime të ftohta si akull, ku ndonjëri arrin prurjen deri 1000 l/orë (i Komanit, Ledit, Lujve, Radoshit etj).
Ujërat kanë formuar shumë shpella karstike, si Skurra e Gjackës, që ka tërhequr deri tani vëmendjen edhe të speleologëve e studiuesve të huaj; ujëvara e Vizhnës dhe puset e bukur karstikë gjatë rrjedhjes së përroit, shkëmbinjtë e zgavëruar të Niklit, Gurin e Gjatë etj.
Rëndësia turistike e shpellave rritet, sepse nga ky fshat mund të ngjitesh në Bjeshkët e Namuna. Kur del në Qafë të Dobracës, lartësohet nga e djathta Forca e Kelmendit, një mrekulli e vërtetë e natyrës dhe një monument i rëndësishëm i historisë së banorëve. Ajo përbën një pllakë të fuqishme gëlqerore, me pjerrësi mesatare ndaj fshatit dhe me formë vezake, afro 1000 m gjatësi dhe rreth 450 m gjerësi. Mbi të gjenden ahe dhe pisha dhe në mes të saj del një burim i ftohtë ujor, mbi 20 m lartësi. Nga lindja ka vetëm një hyrje, që mund të mbrohet shume lehtë në rast nevoje.
Në këtë vend, në vitin 1638, janë mbledhur kelmendasit për t’u mbrojtur nga pushtuesit turq. Rezistenca dhe vuajtjet e tyre janë përmendur nga shumë studiues të huaj, sidomos nga J. Hahni në punimin: ‘Studime shqiptare’, 1854.

Jeta në Kelmend – Situata soc. ekonomike
Mjedisi gjeografik në Kelmend është i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik, pasi siguron kushtet e nevojshme për zhvillimin e blegtorisë, është i pasur në rezerva pyjore dhe bimë mjeksore, në rezerva të mëdha ujore, minerale, në vende turistike dhe pasuri kulturore.
Por luftërat shekullore me pushtues të huaj, vendimi i padrejtë për kufijtë më 1913, izolimi dhe mungesa e infrastrukturës dhe reformat socialiste të regjimit komunist (kolektivizimi i bujqësisë, centralizimi i ekonomisë dhe izolimi i vendit etj) e lanë Kelmendin në prapambetje të mëdha. Me pak fjalë, situata e vështirë ekonomike ishte rezultat i përpjekjeve për vendosjen e socializmit, duke u mbështetur në forcat e veta, nën udhëheqjen e diktaturës komuniste edhe në malësi.

Jeta në Kelmend – Bujqësia
Kelmendi ka gjithsej 304.8 ha tokë bujqësore ose 0.18 ha tokë për familje, tregues këta nga më të ultit e vendit tonë. Kjo sipërfaqe është shpërndarë në 5560 ngastra të vogla.
Megjithatë, kelmendasi nuk e ka lënë asnjëherë pas dore bujqësinë. Në mesjetë ata kanë mbjellë kryesisht grurë e elb.
Pas Luftës së Dytë Botërore, bujqësia hyn në rrugën e shndërrimeve të përgjithshme: reforma agrare, kooperimi socialist dhe pronësia shtetërore mbi tokën. Tipi i ekonomisë që u zgjodh nga.politika ekonomike e shtetit ishte kooperativa bujqësore.
Kolektivizimi i bujqësisë filloi në 1966 dhe përfundoi në 1967. Në 1974 u kalua në bashkimin e kooperativave të fshatrave në një kooperativë të vetme në 4 sektorë me 44 brigada, nga të cilat 28 i kishte bujqësia, 1 frutikultura, 10 blegtoria dhe 5 ndërtimi.
Menaxhimi i këtij sistemi përbëhej nga një piramidë burokratike e kësaj ekonomie, që kishte 133 vetë, nga brigadieri deri tek kryetari, me pagë fikse. Disa investime u bënë për ndërtimin e kanaleve, për plehrat kimike, herbicidet dhe pesticidet, për mbjelljen e hibrideve me aftësi prodhuese. U shtua sipërfaqja e tokës bujqësore nga tarraca pa kriter që dëmtuan dushqe, livadhe e kullota. Sipërfaqja e tokës bujqësore arriti në 1053 ha.
Megjithatë, ekonomia nuk doli nga prapambetja, pasi të ardhurat mesatare vjetore për frymë nuk siguruan asnjëherë nevojat jetike të banorëve, për shkak të rrugës së shtrembër, të ndjekur nga regjimi komunist, si: likujdimi i pronës private dhe krijimi i kooperativës bujqësore, mbivlerësimi i bujqësisë dhe nënvleftësimi i blegtorisë, ndërhyrjet e pamatura në mjedisin gjeografik, mbajtja e popullsisë në fshat me aktivitet bujqësor, aparati i fryrë burokratik i drejtimit etj.
Ndryshimet demokratike sollën ripronësimin e pronarëve privatë. Ata mbollën patate misër perime dhe pemë frutore.

Jeta në Kelmend – Blegtoria
Kelmendi historikisht është njohur si një vatër e rëndësishme e përvojës blegtorale në Shqipëri. Kjo përvojë është përdorur deri vonë edhe në tregtimin e kutive të qumshtit me mbishkrimin ‘Kelmendi’. Zhvillimi i blegtorisë mbështetej në shtegtimet blegtorale: verës në kullotat e bjeshkëve dhe dimrit në fushat e gjera të ultësirës Veriperëndimore.
Krijimi i kooperativave bujqësore, sidomos: kolektivizimi i blegtorisë, tufëzimi i bagëtive, shfrytëzimi i kullotave nga ekonomi të tjera si dhe nga mbjelljet me patate, kufizimi i përvojës së shtegëtimeve blegtorale, asgjesimi i një numri krerësh me reformën,- të gjitha këto e dëmtuan blegtorinë dhe bënë që prodhimi blegtoral të zhvillohej me ritme të ulta.
Në vitin 1991 u kalua në privatizimin e blegtorisë dhe blegtoria u vlerësua si një sektor parësor. Aty gjenden: 1410 krerë gjedhë, 8130 dhen, 3400 të dhirta, 408 njëthundrakë, 920 derra dhe 700 shpendë. Numri i bagëtive për 1 km2 është 4, mjaft më i vogël se mesatarja e Shqipërisë (22), kurse numri i dhenve për 1000 banor, është (1271), më i madh se mesatarja e vendit (583).
Shtegtimet blegtorale, si traditë e hershme, përbëjnë sot një fushë të rëndësishme dhe interesante.
Shpërndarja e bagëtisë në kullotat me bar të bjeshkës, ku ushqimi është i bollshëm, mjelja e tyre dhe përpunimi i produkteve të qumshtit, lojrat e fëmijëve, udhëtimi në male etj.-të gjitha këto mbartin vlera ekonomike dhe turistike.
Vlerat e bjeshkës i sheh edhe në fytyrat e shëndetshme të fëmijëve. Prindërit i marrin fëmijët në bjeshkë për shëndet dhe për t’ju ushqyer atyre dashurinë për gjënë e gjallë.

Jeta në Kelmend – Arsimi
Kelmendasi është arsimdashës. Për këtë, P.Bogdani u përpoq të hapte shkolla shqipe për kelmendasit në shek. XVII. Edhe në vitin 1911, në Memorandumin e Greçes, midis 12 kërkesave drejtuar qeverisë turke, gjendet edhe ajo e lejimit të hapjes së shkollave shqipe. Edhe Nopça, më 1910, shkruante për kelmendasit se shumë prej tyre kanë mësuar të shkruajnë e lexojnë me iniciativën e tyre, pa ndjekur ndonjë shkollë.
Në vitin 1932, në Vermosh u hap shkolla e parë shqipe për Kelmendin. 30 nxënësit e regjistruar në shkollën fillore ndoqën mësimet nën hijen e një molle. Më pas, mësimet vazhduan në shtëpitë e disa fshatarëve. Pjesa më e madhe e fëmijëve mësoi shkrim e këndim, por vajzat nuk e ndoqën shkollën për shkak të zakoneve frenuese kanunore.
Gjatë vitit 1940-1941, fshatarët ndërtuan 2 shkolla, në Selcë e Nikç, por asnjëra prej tyre nuk funksionoi.
Pas Luftës, në kuadrin e reformave socialiste, u hapën disa shkolla fillore dhe u organizuan disa kurse kundër analfabetizmit.
Në vitin 1945-1946 filloi mësimet shkolla fillore në Nikç me 23 nxënës dhe u rihap shkolla e Vermoshit, ndërprerë në vitin 1940. Po në vitin 1946 u hapën shkolla të tjera në Selcë, Brojë e Vukël.
Në 1960 u hap shkolla e parë 7 vjeçare në Selcë. Në 1976 u hap shkolla e mesme në Tamarë, me profil zooteknik, me 19 nxënës në sistemin e ditës dhe 31 në atë të mbrëmjes.
Shkolla e mesme e Tamarës e ka ndryshuar profilin e saj disa here. Kështu, nga shkolla zooteknike në fillim, u kthye ne zooveterinare më 1979, përsëri zooteknike më 1983, agrozooteknike më 1987 dhe në shkollën e mesme të përgjithshme më 1991.

Deri në vitin 1997, nga kjo shkollë kanë mbaruar 638 nxënës. Më 1997, krahina kishte 9 shkolla fillore, 6 shkolla 8-vjeçare dhe një të mesme me 919 nxënës e 65 mësues. Rreth 87% e popullsisë së arsimuar ishte me arsim 8-vjeçar, 10% me arsim të mesëm dhe 3% me arsim të lartë. Brezi i ri ka prirje për të mësuar gjuhë të huaja.

Jeta në Kelmend – Shëndetësia
Në të kaluarën mjeksia në Kelmend mbështetej tek mjekët popullorë. Vetëm në vitin 1946 u hap një ambulancë në fshatin Selcë. Më 1960, në Tamarë hapet një spital i thjeshtë. Në 1961, shkoi në Kelmend mjeku i parë nga Shkodra. Më 1969 hapet farmacia e parë dhe më 1971 fillon punën një dentist.
Spitali i ri i krahinës u hap në vitin 1976 në Tamarë, me shtëpi lindjeje, agjenci farmaceutike dhe repart dentar. Në këtë kohë krahina kishte spital, farmaci, klinikë dentare, si dhe 3 qendra e 5 pika shëndetsore të shpërndara në çdo fshat, ku shërbenin 23 kuadro. Katër prej tyre ishin mjekë, ndërsa të tjerët ndihmësmjekë, mami, infermierë, farmacistë dhe laborantë. Një vit më pas, përveç spitalit, numëroheshin 5 qendra shëndetsore, 4 shtëpi lindjeje dhe çdo fshat kishte ambulancë. Në zonë shërbenin gjithsej 30 kuadro të mesëm e të lartë.
Në vitin 1997 u bë rikonstruksioni i spitalit, duke e pajisur edhe me mjete të nevojshme. Krahas spitalit (me repart patologjie, pediatrie e shtëpi lindjeje) krahina ka dhe dy shtëpi lindjeje (Vermosh e Vukël), ku shërbejnë dy mjekë, 11 infermiere e mami të profilit ose me kurs pas shkollës së mesme, 5 infermiere, po me kurs pas shkollës së mesme, një ndihmësfarmacist privat dhe një laborant për spitalin.
Disa vite më parë aktiviteti shëndetësor i spitalit për një vit mund të përmblidhej: 300 shtrime me qëndrim 7-ditor, 46 lindje, rreth 3,500 vizita ambulatore, 10-11 mijë shërbime mikrokirurgjikale e inxheksione, mbi 1,800 shërbime stomatologjike, 300 vizita urgjente dhe 60 të sëmurë, dërguar për ndërhyrje urgjente tek kirurgu ose për kompetencë te specialisti.

Mjekët numërojnë 30 lloje sëmundjesh, që njihen ose shfaqen në mënyrë sporadiku në krahinë, ku sipas grup-sëmundjesh, veçohen sëmundjet neuropsikiatrike, të aparatit të frymëmarrjes, të zemrës etj.

Jeta në Kelmend – Transporti
Bashkë me vendbanimet morën formë edhe rrugët për kalimtarë dhe kafshë. Rruga më e vjetër tregëtare vinte nga Kopliku, Leqet e Hotit dhe Podgorica, lugina e Trieshit duke u bashkuar në një të vetme në Grabom, vazhdonte nga lugina e Cemit të Selcës, Qafë e Predelecit Guci, Plavë e deri në Pejë. Kjo ishte situata e transportit pas Luftës së Dytë Botërore. Ne vitin 1948 u ndërpre komunikimi i kelmendasve me tregjet tradicionale Guci e Podgoricë për shkak të prishjes së marrëdhënieve shqiptaro jugosllave.
Si rrjedhim Kelmendi mbeti pothuaj plotësisht i izoluar nga pjesët e tjera të vendit, pasi komunikimi bëhej vetëm me Shkodrën nga rruga e vështirë për kafshë e Leqeve të Hotit.
Deri në vitin 1968 Kelmendi ishte pothuaj i izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Njerëzit nuk lejoheshin të kalonin nga pjesa e kufirit me Malin e Zi. Për këtë arësye ata ishin të detyruar të kalonin nëpër një shteg shumë të vështirë bagëtish, që kalonte nga Leqet e Hotit në Shkodër.
Në 1968 transporti automobilistik u bë i nevojshëm për funksionimin e kooperativave bujqësore, shfrytëzimin e pyjeve, mbrojtjen strikte të kufijve. Më vonë, vetë banorët punuan për përhapjen e rrjetit rrugor në gjithë fshatrat lidhën vendbanimet e tyre me një rrjet rrugësh. U hapën rrugë të reja për shfrytëzimin e pyjeve dhe vendburimeve të mineraleve. Në 1973, në Vermosh mbërriti autobuzi i parë. Rrjeti i rrugëve arriti gjatësinë 257 km, nga të cilat 71 km të paasfaltuara dhe shërbejnë për lidhjen e fshatrave, kurse 176 km janë rrugë pylli.
Aktualisht transporti automobilistik mbështetet plotësisht në sektorin privat dhe mbi 40 mjete transportojnë mallra e udhëtarë.
Libra dhe studime – Libra për Kelmendin
Studimi i zonës së Kelmendit ka filluar në shekullin e e kaluar. Të parët që shkelën në tokat e Kelmendit kanë qenë studiuesit e huaj P.Coronelli, A.Boue, A.Viquesnel, E.Liebert, K.Steinmeci, J.Cvijic dhe më pas A.Baldaçi, F.Nopça, E.Durham, LDorfler, B.Bauer, P.Gilione e të tjerë.

Veprat e tyre kane te dhëna të ndryshme mbi natyrën e Shqipërise se Veriut, ku bën pjesë edhe Kelmendi, dhe mbi trashëgiminë kulturore të banorëve. Ata shkruan me nderim e simpati për virtytet e larta të malesorëve, duke i konsideruar alpet vend përrallor. Por, nga te gjitha studimet e kryera, veçohen ato te gjeologut të madh, paleonlologut te shquar dhe të albanologut të njohur hungarez, Dr. Franc Nopça. Ky autor, me dije e kulturë të gjithanshme, përshkruan në tërësi pasurinë kulturore të Shqiperise së Veriut dhe është i pari që ka bërë rajonizimin e Alpeve, duke dalluar më vete Malësinë e Madhe.

Për Alpet, ku hyn Kelmendi, janë mbrojtur dy disertacione: Alpet Shqiptare – studim morfologjik, me 1994, nga Gj.Gruda dhe Veçoritë morfometrike të pellgjeve ujëmbledhese në Alpet Shqiptare, me 1988, nga K.Talani.

Libri i parë, me titull Kelmendi – gjenealogjia e familjes Nikçi, botohet në Pejë më 1989, nga H.Gjonbalaj.
Tashmë, grupe autorësh kanë pasqyruar Kelmendin në veprat madhore kombëtare, si: Historia e Shqipërise, Gjeologjia e Shqipërisë, Gjeografia Fizike e Shqipërisë, Klima e Shqipërisë, Hidrologjia e Shqipërisë, Flora e Shqipërisë dhe Fjalori Enciklopedik Shqiptar.

Në vitin 1998 u botua libri me titull Kelmendi-vështrim gjeografik e turistik, nga Prof.As.Dr. Gjovalin Gruda dhe Prof.As.Dr. Selman Sheme.
Këtë vit u botua edhe libri Morfometria e pellgjeve ujëmbledhëse në Alpet e Shqiperise nga Prof.As.Dr. Rifat Talani, ku edhe Kelmendi zë vendin e vet.

Kreshta historie ne Kelmend,
shkruar nga Halil Puçpapaj, botuar më 2003.
Kelmendi…drite..hije
me autor Rush Gragu, botuar më 2001
Prek Cali Kelmendi dhe Kelmendasit,
shkruar nga Dr. Luigj Martini, botuar më 2005
Profili i Komunës së Kelmendit – Malësi e Madhe
pergatitur nga Cafod Albania.
Malësia e Kelmendit – Monografi
shkruar nga Kolë Progni, e botur më 2000
Ky libër ka qënë mjaft i vlefshëm për përgatitjen e përmbajtjes së websit-it të Kelmendit.
Nëpër kapitujt e tij autori jep një informacion të detajuar rreth Kelmendit, historisë, natyrës, traditave dhe potencialeve që ofron ky vend.
Vëzhgime iliro-shqiptare,
Kjo vepër është cilësuar si një ndër burimet më të rëndësishme të informacionit mbi Shqipërinë, e cila është hartuar nga dr. Ludvig von Thallóczy, por edhe me pjesëmarrjen e ekspertëve më të njohur të historisë shqiptare dhe asaj të Evropës Juglindore si K. Jerièek, M. Suflay, Th. Ipen, E. C. Sedimayr, J. Ivaniè, E. Koracson, B. Pech e K.Thopia etj. Mes rreshtave të tre kapitujve të veçantë, autori argumenton edhe prejardhjen shqiptare të fisit hungarez të Klementinëve, të Petervaradit nga fisi shqiptar i Kelmendit.

Lexoni edhe: