Shpëtoni “Republikën” e Kosovës

Nga Bordi i Drejtorëve i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Trembëdhjetë vjet pasi fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë përfundoi fushatën e gjenocidit të Sllobodan Millosheviçit kundër shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999, dhe katër vjet pas “pavarësisë së mbikëqyrur” që filloi në vitin 2008, ne ndihemi të detyruar që publikisht të adresojmë përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike në Kosovë. Të gjithë faktorët janë të përgjegjshëm: komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të gjejë një zgjidhje politike të drejtë dhe të qëndrueshme ndaj konfliktit shqiptaro-serb. Udhëheqësja kosovare ka dështuar të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e republikës. Dhe elita serbe, nëpërmjet fushatës lobuese multimilionëshe dhe mbështetjes së strukturave paralele në Kosovën Veriore ka qenë e suksesshme në përpjekjet e tyre për ta destabilizuar Kosovën dhe një pjesë të madhe të rajonit. Me vetëm një kundërshtim në formë retorike boshe nga Perëndimi, Beogradi ka arritur ta kontrollojë Kosovën Veriore, që nga viti 1999. Në ndërkohë, Serbia kurrë nuk është vënë para drejtësisë për okupimin dhjetëvjeçar të Kosovës, të pasuar nga krimet e luftës dhe shkatërrimi në Kosovë. Fokusi i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara në vitin 2012 – tani, në një shtytje përfundimtare për të zgjidhur konfliktin mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për të dale nga rajoni – është në pjesën veriore të Kosovës, ku qëllimi i përsëritur shpesh i Beogradit për ta bërë “de juro” ndarjen “de facto” të kësaj ane me shumicë serbe po i afrohet suksesit gjithnjë e më shumë. Beogradi ka qenë i suksesshëm në bindjen e shumicës së komunitetit ndërkombëtar, se minoriteti serb në veri është në rrezik. Në realitet, konflikti në veri, gjithmonë ka qenë për qëllimet ekspansioniste të Serbisë. Qysh kur trupat e Millosheviçit pushtuan Kosovën, në vitin 1998, qëllimi i fundit i Serbisë ka qenë gjithmonë ndarja e veriut, njësoj si në Bosnje, ku Serbia ishte në gjendje të krijojë enklavën etnike serbe të quajtur Republika Srpska.

Presioni i pasluftës mbi Kosovën dhe pranimi i tij nga politikanët kosovarë

Udhëheqjes politike në Kosovë i është bërë presion, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, për të kënaqur perëndimin, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e Serbisë. Fatkeqësisht, elita politike kosovare bëri pak për t’u rezistuar kërkesave që iu bënë asaj, për shkak të një besimi përtacor se Shtetet e Bashkuara, gjithmonë do t’i përfaqësojnë interesat e Kosovës. Në mënyrë që të fitonte “pavarësinë e mbikëqyrur”, në një vend me 92 për qind shqiptarë dhe 5 për qind serbë, Kosova pranoi kompromise nëpërmjet “Planit të Ahtisaarit” dhe masave të tjera, duke përfshirë:

  • Ndërrimin e emrit shqiptar të “Republic of Kosova”, në atë serb “Kosovo”
  • Heqjen e flamurit shqiptar dhe pranimin e një flamuri dhe himni nacional për Kosovën që janë pa kuptim kulturor dhe historik
  • Dhënien serbëve të Kosovës më shumë të drejta se çdo minoritet etnik në Evropë, duke përfshirë shtetësi të dyfishtë, krijimin e lidhjeve direkte mes komunave serbe në Kosovë dhe Beogradit, marrjen njëkohësisht të fondeve të pataksueshme nga Serbia, si dhe atyre nga qeveria e Kosovës, dhe marrjen e 10 vendeve të rezervuara për serbët nga 120 vende në Parlamentin e Kosovës, përveç atyre vendeve, ata mund t’i fitojnë përmes zgjedhjeve
  • Dhënien e “statusit ekstraterritorial” dhe të pataksuar manastireve dhe kishave ortodokse serbe, edhe pse, shumë prej tyre ishin, së pari, pjesë e kulturës shqiptare dhe mbroheshin prej shqiptarëve.

Problemet e brendshme politike dhe ekonomike të Kosovës

Mungesa e një qeverie të fortë demokratike, rritja e korrupsionit, sundimi i pamjaftueshëm i ligjit dhe shtypit të lirë, papunësia e lartë, bashkë me zhvillimin e vogël ekonomik dhe institucionet e edukimit, me cilësi nën standardet ndërkombëtare, e kanë bërë të vështirë për vendin që t’i mbrojë interesat e saj në skenën ndërkombëtare. Shumë prej këtyre janë rezultat i Kosovës nën protektoratin nëntëvjeçar dhe katër vite pa pavarësi të vërtetë – duke e lënë atë në limbo në fushën ekonomike, politike, dhe sociale dhe të pambrojtur ndaj ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Mirëpo, pjesë e fajit duhet të bjerë mbi udhëheqjen dhe publikun shqiptar për arsyet në vijim:

  • Ekziston një indiferencë dhe pavullnetshmëri nga ana e shumë kosovarëve të aftë e të edukuar që të bëhen pjesëmarrës aktiv në procesin demokratik
  • Ekziston pothuajse një përkulje totale e publikut dhe klasës politike ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe përfaqësuesve të tjerë perëndimorë në Prishtinë. (Nuk duhet të ketë iluzion se Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera perëndimore do të jenë në gjendje të zgjidhin problemet e shqiptarëve kosovarë). Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të përkujdesen për Kosovën shpesh përdoret si një shfajësim nga politikanët dhe profesionistët shqiptarë që të mos punojnë për t’i zgjidhur problemet e Kosovës dhe kjo duhet të ndalet.
  • Ekziston një mungesë gjithnjë në rritje e interesit për të zgjidhur kauzën kombëtare shqiptare në Kosovë dhe si rrjedhojë një mungesë empatie ndaj shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë dhe Çamëri.

Ne besojmë se politikanët që nuk janë duke ruajtur dhe mbrojtur interesat e shumicës, duhet të largohen përmes votave dhe që kosovarët duhet të rimarrin aftësinë për të zhvilluar shtetin në barazi me homologët e tyre në pjesët tjera të botës që duan të sigurohen se përgjegjësia dhe transparenca janë baza e jetës së tyre civile.

Pika kthesë: bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, të sponsorizuara nga BE-ja

Bisedimet Prishtinë-Beograd, që filluan nën sponsorizimin e Bashkimit Evropian, në mars të vitit 2011, ishin me qëllime “teknike,” por diskutimet mbi statusin final (qëllimi kryesor i Serbisë) janë tani prioritet. Bisedimet, që deri në një shkallë ishin krijuar për të ndihmuar Serbinë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, duke e prezantuar atë si një komb i përkushtuar për stabilitetin rajonal, u ndërpriten vjeshtën e kaluar pas konfrontimeve të serbëve të mbështetur nga Beogradi në veri për shkak të përpjekjeve të Prishtinës për të shtrirë autoritetin e saj në të gjithë territorin e Kosovës, lanë një polic shqiptar të vrarë dhe katër ushtarë të NATO-s dhe 16 civilë serb me lëndime të rënda. Kryeministrja gjermane Angela Merkel, në një devijim principial nga shtetet e tjera anëtare të BE-së, u përgjigj duke bllokuar Serbinë nga marrja e statutit të vendit kandidat, dhjetorin e kaluar dhe insistoi që barrikadat e ngritura nga serbët lokalë, në të gjithë veriun duhet të hiqeshin dhe të gjitha strukturat paralele ilegale në Kosovën Veriore duhet të shuheshin para se bisedimet për anëtarësim në BE të fillonin. Me bisedimet Prishtinë-Beograd, gati për të filluar në Mars (kur BE-ja prapë planifikon të votojë mbi pranimin e Serbisë), Beogradi vazhdon hapur të refuzojë njohjen pavarësinë e Kosovës dhe ende nuk ka tërhequr mbështetjen politike dhe financiare për strukturat paralele ilegale në Kosovën Veriore. Për më tepër, serbët në Kosovën Veriore mbajtën një referendum ilegal me 15 shkurt, ku 99.7 për qind të votuesve votuan kundër pranimit të legjitimitetit të qeverisë së Prishtinës. Pranimi i Kosovës në forumet rajonale, deri më tani të bllokuar nga serbët, do të jetë fokusi i takimit në Bruksel, në Mars. Gjatë javëve të diplomacisë fluturuese, negociatorët perëndimorë janë përpjekur ta bindin Prishtinën se mund të arrijë të pranohet në forumet rajonale nëse është e gatshme të identifikohet si “Kosovo” pa fjalën “Republikë” dhe me një “fusnotë” që i referohet rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara duke e identifikuar Kosovën si krahinë të Serbisë nën protektoratin e KB-ve, si dhe deklaratës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që konfirmon ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës.

  • Ne besojmë se Kosova nuk duhet të pranojë ta shlyejë fjalën “Republikë” para emrit të saj; nuk duhet të pajtohet që të referencojë rezolutën 1244 të KB-ve, e cila u shfuqizua kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore me 17 shkurt të vitit 2008. Që nga përfundimi i luftës, Kosovës i është kërkuar që ti bëj Serbisë lëshime. Është koha për Kosovën që të tërheq vijën këtu.
  • Ne besojmë se Kosova nuk duhet të vazhdojë bisedimet me Serbinë derisa ajo të njoh pavarësinë e Kosovës. Bisedimet e tanishme (për të cilat pala shqiptare kurrë nuk është dashur të pajtohej pas pavarësisë) nuk do të sjellin paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Evropën Juglindore përderisa Serbia refuzon të njoh shqiptarët kosovarë si palë e barabartë dhe të njoh sovranitetin e Kosovës.
  • Ne besojmë se qeveria e Serbisë duhet të kthejë trupat e pagjetur të shqiptarëve kosovarë të cilët u transportuan me kamionë me frigoriferë dhe u varrosën në dhe rreth Beogradit, kur lufta përfundoi në qershor të vitit 1999 dhe të paguajë dëmshpërblimet e luftës.
  • Përderisa ne besojmë se nuk duhet të ketë privilegje të veçanta për minoritetin serb në Kosovë, ne gjithashtu, besojmë se të drejtat e tyre duhet të mbrohen fuqishëm, ashtu si janë mbrojtur të drejtat e popullsive turke, rome dhe ashkalinjve në Kosovë. Pas nënshtrimit ndaj okupimit brutal ushtarak dhjetëvjeçar dhe pastrimit etnik e gjenocidit dyvjeçar në duart e forcave ushtarake dhe paramilitare të Slobodan Millosheviçit, shqiptarët kosovarë duhet të jenë në frontin zhvillimit të të drejtave të njeriut në Evropë.

Marrëdhënia shqiptare me komunitetin ndërkombëtar

Shqiptarët e respektojnë dhe u besojnë Shteteve të Bashkuara, për shkak të rolit historik të Presidentit Woodrown Wilson, në themelimin e shtetit sovran të Shqipërisë, në fund të Luftës së Parë Botërore, kur Rusia dhe fuqitë europiane ishin të përgatitura t’i copëtonin të gjitha trojet shqiptare. Megjithatë, me luftën në Afganistan dhe krizën në Lindjen e Mesme, është koha që të pranojmë se Shtetet e Bashkuara kanë çështje shumë më urgjente në axhendën e saj të politikës së jashtme dhe nuk mund të mbështetemi në të që të përcaktojë të ardhmen e Kosovës. Është koha që të pranojmë se administratat amerikane nuk kanë vepruar gjithmonë në interes të popullit të Kosovës. U desh njëzet vjet lobim në kongresin amerikan nga ana e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane që të bindnim Presidentin e atëhershëm George W. Bush, që të mbështesë deklaratën e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Dhe do të duhet një tjetër përpjekje në kongresin amerikan (dhe në parlamentet e pesë shteteve anëtare të BE-së që refuzojnë të njohin Pavarësinë e Kosovës), që të përfundohet konflikti shqiptaro-serb dhe t’i sillet Kosovës pavarësia e vërtetë. Përderisa administrata e Obamës ka mbajtur qëndrimin publik se ndarja “de facto” e Kosovës Veriore nuk duhet të bëhet “de jure”. Ajo nuk ka marrë ndonjë veprim për të mbështetur këtë qëndrim. Në realitet, administrata e Obamës ka zgjedhur që të marr një vend prapa karshi Evropës kur vjen puna te Kosova dhe Ballkani.

  • Ne besojmë se udhëheqja politike dhe publiku kosovar duhet fuqimisht të kundërshtojë ndarjen e veriut, e cila, në formën e saj, “de facto” ishte produkt i spastrimit etnik të shqiptarëve në Mitrovicë nga paramilitarët serb, të mbështetur nga Beogradi. Për më tepër, nuk ka nevojë që të krijohet një entitet special në veri, kur shumica e serbëve të Kosovës (80 000 prej gjithsej 120 000) jetojnë në Mitrovicën Jugore dhe në pjesë të tjera të Kosovës.
  • Udhëheqja politike e Kosovës duhet të sfidojë përpjekjet e Beogradit për të krijuar mbështetje ndërkombëtare për planin “Ahtisaari Plus,” që kërkon të avancojë statusin e serbëve në veri duke krijuar një entitet politik autonom, përderisa i dhunon të drejtat civile dhe njerëzore të popullatës shqiptare shumicë në Serbinë jugore – në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Shpëtojeni “Republikën”

Që nga viti 1986, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nën udhëheqjen e Joseph DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit (duke filluar në vitin 1994), ka bërë një kontribut të madh për promovimin e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar në Ballkan dhe në gjithë botën. Ne do të vazhdojmë të punojmë për zgjidhjen e kauzës shqiptare kombëtare dhe për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Evropën Juglindore. Edhe një herë, Kosova është bërë problemi dhe sfida kryesore e kombit tonë. Ne shpresojmë se shqiptarët, në të gjithë botën, do të kontribuojnë kohën, talentin profesional dhe resurset e tyre që të ndihmojnë në shpëtimin e “Republikës” së Kosovës.

Bordi i Drejtorëve, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Nga Luan Mazreku