Shqipëri-Brazil, nënshkruhet marrëveshja për ushqimet

Ruli: Institucionalizojmë bashkëpunimin me një ndër vendet lidere në industrinë ushqimore

Sektorët bujqësorë ku do të investohet më shumë. Hartohet strategjia për lehtësirat në shkëmbimet tregtare

Shqipëria nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për prodhimin bujqësor dhe ushqimor me Brazilin. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, me homologun e tij, Mendes Ribeiro Filho. Ky i fundit tha se qeveria braziliane dhe Ministria e Bujqësisë do të mbështesë plotësisht zhvillimin e Shqipërisë dhe do të plotësojë çdo kërkesë që do të vijë nga pala shqiptare në lidhje me lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve, përmirësimin e kuadrit ligjor apo dhe shkëmbimin e eksperiencave. Ndërkohë, nga ana e tij, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, tha se zhvillimi i Brazilit në vitet e fundit është një ndër shembujt më të mirë për t’u ndjekur. “Ky është një rast i mirë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e tregtisë, bujqësisë dhe teknologjive të reja si dhe të mund të konkludojmë marrëveshje mjaft të rëndësishme që i hapin rrugë këtij bashkëpunimi. Unë besoj në mënyrë të veçantë sukseset që ka Brazili në zhvillimin e tij të shpejtë ekonomik. Marrëveshja që ne do të firmosim sot është mjaft e rëndësishme për të institucionalizuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona, të shërbimeve veterinare, të autoriteteve të sigurisë ushqimore, në lidhje me importet e prodhimeve të mishit dhe prodhimeve të tjera. Por besoj që bashkëpunimi ynë i parashikuar në këtë marrëveshje do të shtrihet dhe me gjerë. Shqipëria importon nga Brazili jo vetëm mish, por dhe produkte të tjera të rëndësishme si kafja e sheqeri. Disa vjet më parë, kemi pasur importe dhe eksporte të vogla, por tani shkëmbimet janë rritur dhe mendoj që shumë prodhime shqiptare mund të gjejnë vend në tregjet e Brazilit. Duke ndjekur me vëmendje zhvillimin dhe reformat tuaja, jemi të interesuar që të marrim sa më shumë eksperiencë, sidomos në fushën e zhvillimit blegtoral, ku Brazili nga dita në ditë po merr një rol të rëndësishëm botëror”,- tha ministri Bujqësisë, Genc Ruli. Frymën pozitive të bashkëpunimit e konfirmoi dhe ministri i Bujqësisë, Blegtorisë dhe Ushqimit të Republikës Federale të Brazilit, Mendes Ribeiro Filho, i cili, në prani të mediave, tha se: “Ne jemi takuar dhe folëm për intensifikimin e bashkëpunimit tonë dhe të dy u angazhuam shumë shpejt për të zgjidhur çdo problem që kemi ndeshur dhe arritëm këtu ku jemi sot. Unë besoj që takimet do të vazhdojnë në të gjitha nivelet do t’i zgjidhim të gjitha problemet e vogla që mund të dalin rrugës. Unë ju garantoj se ju do të gjeni miq të mirë te bashkëpunëtorët brazilianë. Të dy palët kështu duhet të mbeten afër njëri-tjetrit, të shkëmbejmë eksperienca, të njohim njëri tjetrin. Të thellojmë marrëdhëniet tona. Kështu do të zgjidhim dhe problemet që kanë dy vendet. Unë nuk kam pasur asnjëherë dyshim që Shqipëria dhe Brazili në fushën e tregtisë do të kenë sukses, dhe jam i bindur që do t’ia arrijmë. Unë jam në dispozicion dhe e gjithë Ministria e Bujqësisë është në dispozicionin tuaj. Për çdo gjë që do të na drejtoheni ne do të ndihmojmë. Ne, brenda pak vitesh, kemi dyfishuar prodhimin në të njëjtën sipërfaqe dhe jemi të gatshëm tua ofrojmë ndihmën tonë për këtë. Ne do të shikojmë dhe përafrimet e legjislacionit, dhe do të ndërhyjmë dhe aty nuk ligjet nuk na lejojnë që të kemi shkëmbime tregtare”. Më pas, dy ministrat nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Republika e Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Blegtorisë dhe Ushqimit të Republikës Federale të Brazilit “Mbi bashkëpunim në Bujqësi”. Në marrëveshjen e nënshkruar mes dy ministrave përcaktohet që do të ketë ndihmesa dhe angazhim nga të dy qeveritë. Kështu, shkëmbimi i materialeve gjenetike, përmirësimi i teknologjive bujqësore, shkëmbimi i eksperiencës në blegtori dhe agropërpunim janë ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshje. Ndër të tjera, është rënë dakord që ekspertë shqiptarë dhe brazilianë të vizitojnë vendet respektive për të shkëmbyer eksperiencat. Një ndër pikat e marrëveshjes së nënshkruar përcakton që do të ketë forma bashkëpunimi dhe kërkimi me ekspertë të dy vendeve. Këto forma bashkëpunimi do të fokusohen në zhvillimin e fermave blegtorale, krijimin e lehtësirave dhe ngritjen e infrastrukturës bujqësore e blegtorale. Shumë shpejt pritet që të organizohen trajnime, seminare dhe konferenca me temë blegtorinë. Gjithashtu, pritet të hartohet një strategji për lehtësirat në shkëmbimet tregtare. Në këtë strategji do të përfshihet organizimi i panaireve tregtare, promovimi i tregtisë dhe organizimi i takimeve tregtare.

Comments are closed.