Shqipëria në Europianin e Mundjes

Kombëtarja shqiptare e mundjes do të përfaqësohet me 5 sportistë në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ceremonia e hapjes së këtij aktiviteti do të zhvillohet sot, ndërsa kampionati përfundon më 11 mars. Federata e Mundjes ka bërë të ditur edhe delegacionin që do të përfaqësojë vendin tonë në këtë eveniment, ku spikat mungesa e Sahit Prizrenit. 29-vjeçari, që një vit më parë u shpall nënkampion i Europës, në stilin e lirë të peshës 60 kg, në kampionatin e zhvilluar në Gjermani, nuk do të jetë I pranishëm në Beograd për shkak të një viroze gripale, sipas shpjegimit zyrtar të FSHM-së. Drejtuesit e këtij institucioni kanë bërë të ditur se Prizreni do të vazhdojë përgatitjet për të arritur normën kualifikuese në Lojërat Olimpike, “Londër 2012”. Ndërkohë, nga pesë mundësit me të cilët do të përfaqësohet Shqipëria në Europianin e këtij viti, tre konkurrojnë në stilin e lirë: ata janë Fatjon Bare i Tiranës, dhe Egzon Shala e Islam Islamaj të Durrësit. Ndërkohë, dy konkurrentët e mundjes klasike, pra në stilin greko-romake janë Ergys Mirukaj i Partizanit dhe Miraldo Ndoka i Besëlidhjes. Paraqitja e skuadrës në këtë kampionat shërben mbi të gjitha për të përcaktuar numrin e sportistëve për turnetë kualifikues.