Shqipëria përfaqëson Kosovën, marrëveshja në shtetet pa ambasadë

Shqipëria do të përfaqësojë Kosovën në shtetet ku ajo nuk ka përfaqësi diplomatike. Shtetasit kosovarë me banim në Greqi, Spanjë, Rumani dhe Egjipt do t’u drejtohen ambasadave shqiptare për t’u pajisur me pasaportat kosovare apo për të marrë shërbime të tjera. Efektet financiare për Shqipërinë, në këtë rast, do të kenë kosto zero, pasi të gjitha pajisjet dhe materialet do të financohen nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkohë që ambasadat shqiptare do të kryejnë vetëm shërbimet. “Tregu është i vogël për secilin vend, po nëse ne shkojmë duke ndihmuar njëri-tjetrin me vendet e tjera të vogla rreth e qark rajonit, pa asnjë dyshim do të jetë me përfitim për të gjithë. Sepse nëse mbrohet një biznes si në Shqipëri, si në Mal të Zi, si në Kosovë, si në Maqedoni, Brazil apo Argjentinë, vende të largëta ku shtetet tona nuk mund të ketë secili shërbimet e tyre pa asnjë dyshim përfitimi është i të gjithëve”,- tha Fatos Beja, kryetar i Komisionit të Jashtëm. Kosova në të gjithë Europën ka gjithsej 21 përfaqësi diplomatike. Këto ditë në Prishtinë ndodhet një delegacion nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila diskuton me palën kosovare mbi shtetet e para ku do të aplikohet kjo marrëveshje.