“Lonley Planet”: Shqipëria, surpriza e vitit për turizmin

Mediat ndërkombëtare e citojnë si destinacionin më të kërkuar

Turizmi shqiptar po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha në mediat ndërkombëtare. Në vitin 2011, Shqipëria ishte në vendin e parë e përzgjedhur nga australiania “Lonley Planet”, si destinacioni më i përzgjedhur nga vizitorët e huaj. E në të vërtetë ashtu ndodhi, gjatë vitit të kaluar vendi ynë dyfishoi numrin e turistëve krahasuar me vitin 2010, dhe kjo gjë u vu re jo vetëm në pikun e sezonit turistik në verë, por përgjatë gjithë vitit. Sipas të dhënave zyrtare të BSH-së, zyrës kombëtare të statistikave dhe Ministrisë së Turizmit, më shumë se 4 milionë turistë të huaj vizituan territorin shqiptar nga veriu në jug, me një rritje prej 18,7 për qind kundrejt 2010-ës. Ndërkohë, viti 2012 shënon një tjetër vit pozitiv në parashikimet për sektorin e turizmit. Shqipëria e cituar nga shumë media dhe agjenci të huaja turistike, pritet të jetë në top listën e vendeve më të kërkuara. Të dhënat e para në këtë fillim viti kanë treguar se Shqipëria ka qenë surpriza e këtij viti për sa u përket prenotimeve për të kaluar pushimet verore. Pak kohë më parë, aeroporti më i madh i Londrës, “Stansted”, raportoi se në kërkimet e bëra për destinacionet e pushimeve më të përzgjedhura nga britanikët, Shqipëria ishte destinacioni më i prenotuar, për shkak të pamjeve mahnitëse. Ndërkohë, një nga agjencitë ndërkombëtare të udhëtimeve, “Walks Worldwide”, për këtë vit ka shtuar dy data të tjera drejt Shqipërisë, pas kërkesës së jashtëzakonshme për udhëtime drejt Bjeshkëve të Nemuna. Përgjegjësi për hulumtimin dhe krijimin e “Walks Worldwide Trekking”, “Mark Knoëles” komenton se Shqipëria është surpriza e vërtetë më e madhe për ne, për këtë vit, duke shtuar se kërkesat për udhëtime drejt këtij vendi janë të larta. Malet janë spektakolare, të pandotura dhe të padepërtueshme. Kjo zonë e largët e Europës mund të krahasohet lehtë me destinacionet më të largëta dhe ekzotike, sikurse ecjet në rajonet e Himalajës, komenton agjencia. Për 2012-ën, Shqipëria është vlerësuar në vendin e parë për turizëm nga një prej revistave dhe guidave turistike më të mëdha të SHBA, “Frommer’s”. Në një listë të publikuar së fundmi revista shkruan se Shqipëria është destinacioni më i mirë në të gjithë botën për tu vizituar këtë vit. Raporti cilësi-çmim jep mundësinë për pjesën më të madhe të turistëve për të vizituar mrekullitë e rivierës shqiptare shkruan kjo media. Revista amerikane e cilëson bregdetin shqiptar, si një nga bukuritë natyrore me një diferencë të madhe nga ajo kroate për qetësinë që të ofron dhe koston e ulët. Plazhet me rërë të bardhë, ujërat e kristalta, fshatrat me shijen tipike të Mesdheut, shkruan “Frommer’s” e bëjnë atë të jetë ndryshe. Ekspertët e turizmit thonë se në Shqipëri është më e lehtë të kryesh aktivitete në hapësirë, shkruan revista amerikane, duke përmendur eksplorimet malore, pishat, ullinjtë e kështjellat mesdhetare. “Frommer’s” e ka konsideruar Borshin si një nga vendet më të nxehta ku mund të zbulosh përveç plazheve edhe objekte antike të romanëve, grekëve e venecianëve. Por vendi i vogël i Ballkanit është një nga më të kërkuarat për udhëtime për vitin 2012. FT e ka quajtur Shqipërinë si një nga perspektivat më interesante për udhëtimet emergjente. Gjithashtu, vendi ynë është nominuar nga “TravelMSN”, si një nga denstinacionet më të nxehta për këtë vit. Cox&Kings, një nga shoqëritë më të vjetra të udhëtimeve në botë, e ka pozicionuar Shqipërinë në vendin e katërt për këtë vit, në listën e tyre prestigjioze. Sipas kësaj agjencie, peizazhi shqiptar përshkruhet si një bukuri që vret, malet të egra, plazhet e pandotura me rërë të bardhë por edhe vargmalet të mistershme. “TravelMSN” shkruan se bota po zgjon ngadalë potencialin natyror dhe historik të këtij vendi. Por për t’u theksuar është edhe fakti se fqinjët tanë italianët sipas agjencisë “Viaggi news”, kanë nisur prenotimet e para qysh në fillim të vitit për të kaluar pushimet në 2012-ën. Shqipëria dhe Kroacia janë nga më të përzgjedhurat në Europë. Ata kanë vlerësuar jo vetëm bregdetin dhe natyrën e virgjër të Shqipërisë por edhe sitet arkeologjike dhe fshatrat piktoreskë ku mund të zhytesh në zbulime të traditave të bukura lokale.

Comments are closed.