Shtanga “ngre” imazhin e Shqipërisë

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Vetëm pak kohë më parë dukej thuajse e pabesueshme, që një aktivitet i tillë, me përmasa gjigande, të organizohet në Shqipëri, për shumë arsye, por tani ky është një realitet i bukur për t’u shijuar. Shtanga shqiptare ka sjellë gjithë Europën në Tiranë, duke organizuar për herë të parë kampionatin kontinental në peshëngritje për meshkuj dhe femra, duke ngritur lart imazhin e Shqipërisë. Dhe këtë më mirë se askush e realizon peshëngritja. Sot është dita e tretë e kampionatit të 92-të europian të peshëngritjes për meshkuj dhe i 26-i për femra. Pallati i sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet është kthyer në adresën më të “klikuar” ditët e fundit, pasi jehona e ketij kampionti europian të peshëngritjes po merr dhenë, ku nuk mungojnë, jo vetëm nga pala shqiptare, por edhe drejtuesit më të larte europianë. Para pak muajsh Shqipëria ishte në “listën e zezë” të peshëngritjes europiane dhe botërore për shkak të dopingut, ku edhe rrezikohej të përjashtohej për një afat të pacaktuar. Por ardhja e “frymës së re” dhe pozitive në krye të peshëngritjes shqiptare, me në krye presidentin e saj Elez Gjozaj, përmbysi gjithçka në favor të vendit tonë. Në këto kushte dukej tabu organizimi i një kampionati të tillë në Shqipëri, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe e kaluara është harruar shumë shpejt. Mbi 400 sportistë pjesëmarrës në këtë veprimtari të rëndësishme dhe 35 shtete, pa llogaritur këtu edhe mjaft vizitorë të tjerë apo turistë, i kanë dhënë një vlerësim maksimal gjithçkaje që kanë me sy këto ditë në Shqipëri, ku falë shtangës, imazhi në rritje i vendit tonë në arenën ndërkombëtare, i kalon kufijtë sportiv. Pra përmes sportit, Shqipëria këto ditë është në fokus të të gjithë mediave më të njohura europiane dhe botërore, duke përcjell një imazh tepër pozitiv për vendin tonë.

Antonio Urso-presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes

Duke marrë shkas nga dita e parë dhe e dytë e kësaj veprimtarie kaq madhështore të permasave europiane, presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso ka vlerësuar me nota maksimale organizimin e këtij kampionati në Shqipëri, ku një gjë e tillë u arrit brenda një kohe rekord prej më pak se tre muaj. “Së pari dua të falenderoj presidentin e peshëngritjes shqiptare, z.Elez Gjoza, i cili mori përsipër organizimin e kampionatit europian brenda një kohe fare të shkurtër, në më pak se tre muaj. Gjithçka është perfekte deri tani dhe në përsosmëri të shkëlqyer. Unë mendoj se Shqipëria, me këtë organizim të shkëlqyer, e ka fituar medaljen e parë në këtë europian. Ky është një “ogur” i mirë, jo vetëm për peshëngritjen shqiptare, por për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Shqipëria ka 40 vjet që nuk organizon një aktivitet të tillë, por që tani ka nisur të shkruhet një faqe e re në historinë e peshëngritjes europiane. Ceremonia e hapjes dhe dy ditët e para të këtij kampionati e kanë treguar një gjë të tillë, ku vlerësimet kanë qenë maksimale, edhe përtej kontinentet tonë. Konfederatat e ndryshme botërore na kanë falenderuar për mënyrën e organizimit të këtij kampionati në Shqipëri, që sipas vlerësimeve të tyre, gjithçka ka qenë një spektakël i vërtet. Kujtoj se kampionatin e fundit europian e kanë ndjekur një numër prej 55 milion njerëzish, por kampionati i tanishëm po shënon një rekord të ri, pikërisht falë organizimit perfekt dhe transmetimit televizim që është i një cilësie të lartë”, – ka dhënë vlerësimin e tij, ditën e djeshme, në një konferencë për shtyp, presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Antonio Urso.

Elez Gjoza- Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes

Rreth tre muaj më parë, kur mori konfirmimin nga Federata Europiane e Peshëngritjes për të organizuar një kampionat të tillë në Shqipëri, presidenti i shtangës shqiptare, Elez Gjoza, duket të ketë pasur, jo vetëm që kohën e lirë nuk e ka njohur fare, por edhe orët e gjumit i ka pasur të numëruara. Mbi të, rëndonte një barrë shumë e madhe, madje më e madhe se sportëstëve, që garojnë, pasi do të organizonte në një kohë rekord kampionatin europian, e mbi të gjitha për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe për t’u treguar të gjithë ndërkombëtarëve se vendi ynë dhe shqiptarët janë ndryshe. Janë mikëpritës dhe bujarë dhe dinë të organizojnë edhe veprimtari të tilla të përmasave ndërkombëtare. Gjoza meriton një “bravo” të madhe sepse bëri mrekullinë në pak javë. “Në radhë të parë dua të falenderoj mediat për pasqyrimin e gjithë këtij aktiviteti me shumë realizëm, por edhe përgatitjet për këtë kampionat. Gjithashtu dua të falënderoj edhe presidentin e peshëngritjes europiane, mikun tonë, Antonio Urso, për mbështetjen dhe çdo gjë tjetër të dhënë për shtangën shqiptare. 3 muaj më parë i garatova federatës europiane se do të organizojmë kampionatin europian në Shqipëri dhe them se deri tani e kemi realizuar në mënyrë të shkëlqyer. Për këtë ndihem shumë mirë së bashku me të gjithë “aksesorët” e tjerë mbështetës, ku përveç federatës shqiptare të peshëngritjes, është MTKRS-ja, presidenti i Republikës, Bujar Nishani, biznesmenë të ndryshëm, e të tjerë. Që nga marrja e këtij zotimi nuk mund të kem fjetur më shumë se 2-3 orë gjumë në natë, pasi, përveç se ishte një privilegj, ishte edhe një përgjegjësi e madhe për të organizuar një aktivitet të tillë me përmasa ndërkombëtare. Tani shpresoj që vendi ynë të zërë vendi nderi, por edhe të nderohet me medaljet e para, ku pritet një gjë e tillë nga Romela Begaj, Daniel Godelli, Briken Calja apo edhe ndonjë tjetër”,- ka deklaruar dje, Elez Gjoza, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, duke një ish-peshëngritës dhe rekordmen në vendin tonë.

Akademiku Gudar Beqiraj- Kryetari i Komitetit Organizator të këtij europiani

Ka provuar më parë shumë emocione, ka përjetuar mjaft mbresa, por ka kaluar edhe momente të bukura në turne apo aktivitete të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi edhe vetë ka qenë një ish-sportistë cilësorë, por emiconet që po përjeton në këtë europian, për akademikun, njëkohësisht edhe kryetar i komitetit organizator të europianit të 92-të, Gudar Beqiraj, janë të pakrahasueshme.  “Ka qenë një sukses i madh për mua dhe gjithë familjen e peshëngritjes shqiptare organizimi i këtij europiani në Shqipëri. Ardhja në krye të shtangës shqiptare i Elez Gjozës, solli një frymë të re, e cila po pasqyrohet me shumë produktivitet në këtë kampionat, i cili nuk ka asgjë mangut dhe çdo gjë është në përsosmëri të plotë. Është një organizim i shkëlqyer, që mund ta krahasoj me kulmin e karriëerës sime të deritanishme. Ky kampionat është një vlerë dhe imazh shumë pozitiv edhe për Shqipërinë në të gjitha drejtimet në arenën ndërkombëtare”, – ka mbyllur prononcimin e tij, akademiku Gudar Beqiraj.

Sot, dita e shqiptarëve

Në ditën e tretë të kampionatit europian do të jetë radha e shqiptarëve për të konkuruar. Pikërisht nga ora 17.00 deri në orën 20.00 do të konkurojë për femra, Romela Begaj, që pretendohet të shpallet kampione Europe dhe për meshkuj Daniel Godelli dhe Briken Calja. I pari ka shanse të mëdha për të marrë medalje ari, ndërsa i dyti të futet në zonën e medaljeve. Nuk përjashtohet edhe ndonjë surprizë nga konkurentët e tjerë shqiptarë sot dhe në ditët në vazhdim, kur Shqipëria si ekip synon të grumbullojë pikët e duhura për t’u renditur mes shteteve më të mira.

 

 

Nga MEJDAN ZHIVANI

 

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here