Shtyhen afati për legalizimet, 100 mijë ndërtime të reja informale

 

Shtyhet afati kohor për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Të gjithë ndërtimet që nuk janë aktualisht objekt i procesit të legalizimit në gjithë territorin e vendit, iu hapet rruga të bëhen të ligjshme. Disa ndryshime dhe amendime të bëra në ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, krijojnë hapësirë ligjore për të bërë legale afro 100 mijë ndërtime pa leje. “Spostimin e afatit të vetëdeklarimit në mënyrë që t’i hapet rruga dhe një kontingjenti 80 mijë deri në 100 mijë ndërtime informale sidomos në fashot e rrugëve e në disa kategori të tjera”, deklaroi Flamur Kuçi, këshilltar i kryeministrit për Legalizimet. Ndërsa drejtori i ALUIZNI-it Kollozi u shpreh: “Ne kemi sjellë këto ndryshime për të bërë të mundur të legalizohen ndërtimet informale të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë. Natyrisht, që, ne e kemi shtyrë më tej propozimin tonë; kërkojmë që të përfshihen në efektet e këtij ligji dhe ato ndërtime që janë realizuar pas vitit 2006, vit dhe datë kur ka hyrë në fuqi ky ligj. Të legjitimojmë dhe legalizojmë mundin, djersën, sakrificat, stresin të qindra e mijëra familjeve shqiptare”. Do të përfitojnë nga këto lehtësira edhe ndërtimet e kryera anës rrugëve nacionale, pasi është hequr respektimi i largësisë nga rruga prej 100 metra. Opozita akuzoi se qeveria i bën ndryshime ligjit sa herë ka zgjedhje dhe se po i hapet rruga legalizimeve edhe mbi rrugë, kolektor etj. “Pse këto ligje vijnë gjithmonë një muaj, dy muaj, tre muaj para çdo procesi elektoral. Meqë është fushatë i fusin një gënjeshtër tjetër dhe e bëni ligj dhe njerëzit të kenë një hapësirë më shumë. Pse nuk u sollën bashkë ndryshimet në ligj kur ne e diskutuam pak kohë më parë në Parlament. Pse institucioni që ju përfaqësoni asnjëherë nuk arriti në këto 8 vjet t’i japi fund ndërtimeve pa leje”, deklaroi deputeti socialist, Blendi Klosi. Deri më tani ALUIZNI ka konstatuar 270 mijë ndërtime pa leje, prej tyre 225 mijë janë kualifikuar, ku 95 mijë prej tyre janë në proces të kalimit të pronësisë dhe 74 mijë të tjera kanë marrë tashmë leje legalizimi.