Shtyhet për më 12 mars, vendimi i gjykatës për tragjedinë e Gërdecit

Gjykata e Tiranës ka shtyrë për në datën 12 mars, vendimin për tragjedinë e Gërdecit. Prokurorët Genci Qano, Petrit Bica, Altin Dumani dhe Marjeta Zaimi kanë kërkuar masën e dënimit maksimal për tre të akuzuarit kryesor, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, të cilët akuzohen për veprën penale të vrasjes, ndërkohë që nën akuzën e shfrytëzimit të postit të detyrës kanë kërkuar masa të tjera burgimi për ish-funksionarë të lartë shteti. Organi i akuzës ka kërkuar masën e burgut të përjetshëm për ish-drejtorin e ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari si dhe një gjobë prej 2 milion lekësh dhe përjashtim nga e drejta për të ushtruar funksione shtetërore dhe publike. 4 vjet më parë, në tragjedinë e Gërdecit, humbën jetën 26 persona, dhe mbi 300 të tjerë u plagosën si dhe u dëmtuan shumë banesa e biznese.