Shuhet legjenda e folkut amerikan

Richie Havens, këngëtari i muzikës folk i kthyer në legjendë me festivalin e vitit 1969 të rokut në Udstok, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare.  Ai vdiq në shtëpinë e tij në Nju Xhersi për shkak të një ataku kardiak, bëri të ditur agjenti i tij për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Lindur në lagjen Bruklin të Nju Jorkut, Havens ka qenë i famshëm për stilin e tij të veçantë të kitarës dhe të të kënduarit.  Duke kujtuar festivalin e Udstokut pak kohë para vdekjes, ai tha: “Çdo gjë në jetën time është e lidhur me atë koncert”.  Havens është i njohur për versionin e improvizuar të këngës ungjillore “Motherless Child”, e cila evuloi me kalimin e viteve duke u kthyer në “Freedom” dhe njëkohësisht në një himn të vërtetë për gjeneratën e viteve ’60. Së fundmi ai këndoi një version tjetër të këngës në fjalë, që shërbeu si kolonë zanore për filmin e fundit të regjisorit Quentin Tarantino, “Django Unchained”. Në vitin 2010, këngëtari iu nënshtrua një operacioni kirurgjik në veshkë dhe që atëherë nuk u rekuperua kurrë tërësisht për të performuar sërish në koncerte. Ai ka publikuar mbi 25 albume dhe ka regjistruar shumë këngë të cilave u ka dhënë versionin e tij, mes të cilave “Just Like a Woman” e Bob Dylan dhe “Here Comes the Sun” e Beatles.