Si të shërojmë veshkën e sëmurë. Bimët mjekësore duhet të përdoren me këshillën e mjekut urolog

Sëmundjet e veshkave janë të shumëllojshme, me klinika të veçanta dhe për pasojë, edhe barnat që përdoren, formulat farmaceutike janë të ndryshme. Mirë është që i sëmuri të drejtohet të mjeku dhe pas këshillimit me të, mund të vazhdojë të përdorë një sërë recetash me bimë mjekësore. Më të dobishme janë gjethet e reja të mështeknës, të cilat duhet të imtësohen mirë. Merret një lugë gjelle nga këto gjethe dhe përvëlohen në 200 ml ujë të porsavaluar. i hidhet me majë thike pak sodë bikarboni dhe përzihet. Ena mbulohet dhe nga masa pihet disa herë në ditë nga një lugë gjelle nga ky çaj. Shërimi zgjat një kohë të gjatë me këtë dozë.

Efekte pozitive në shërimin e veshkave kanë dhe bimë të tjera si kombinimet e mështeknës dhe rrushit të arushës, shtohet borzilok, këpujë dhe barratje. Në rastet kur i sëmuri vuan dhe nga tensioni i lartë, ai duhet të hajë çdo mbrëmje dhe 2 thelpinj hudhre dhe herë pas here të pijë çaj blini apo çaj bjeshke. Më me efekt është konsideruar çaji nga rrushi i arushës, duke i shtuar dhe gjethe mështekne. Këto lloj çajrash gjenden të gatshme në farmaci. Por një çaj i tillë mund të përgatitet dhe nga vet i sëmuri, sipas recetës së mëposhtme. Përzihen në pjesë të barabarta, nga një lugë gjelle masë e grimcuar, gjethe nga rrushi i arushës, lule mëllage e bardhë, mustaqe misri, të cilat përzihen bashkë dhe lihen disa minuta në një litër ujë të porsavaluar. Pasi ftohet, masa kullohet dhe pihet tri herë në ditë nga një gotë çaj.

Me mjaft rezultat ka qenë dhe kombinimi i rrushit të arushit me gjethe mështekne si dhe gjethe sherebeli në pjesë të barabarta.

Në Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut përdorin me mjaft efekt dhe recetën që përgatitet me bishta vishnje apo qershie, fara shalqiri, rrënjë të kalmuthit gjembor, anisi, majdanozi, fruta boronice, rrënjë thundërmushke, kurup të plepit të bardhë. Në vendin tonë përdoret me shumicë dhe përgatitja e frutave të boronicvës, por duhet kujdes për dozën, pasi ende nuk është e përcaktuar qartë dhe njerëzit abuzojnë në shtimin e dozës, duke menduar se sa më shumë bar të hedhin do të ketë më shumë efekt, në një kohë që nuk është ashtu. Doza duhet të respektohet me rigorozitet për disa lloj bimësh, ndonëse ka dhe bimë që nuk paraqet problem shtimi i sasisë.

Si të shërojmë infeksionet e veshkave

Sëmundjet e veshkave janë akute dhe kronike. Dhimbjet nga veshka e sëmurë janë të mëdha dhe i sëmuri ndjen siklet të madh, ndaj duhet të marrë me çdo kusht mjekim. Recetat me bimë mjekësore janë shumë rezultative, por i sëmuri nuk mund të mjekohet pa marrë më parë miratimin e mjekut urolog.

Çajrat japin ndihmesë të madhe në shërimin e veshkave., Në farmacitë tona gjinden tërë çajrat që ne rekomandojmë. Një recetë e pëlqyeshme realizohet me përzierjen 30 gram gjethe mështekne dhe fara lini, 10 gram gjethe hithre, dredhëzash, manaferrash dhe mjedrash. Të gjitha imtësohen dhe përzihen. Merren tri lugë nga përzierja dhe zihen në një gjysmë litër ujë për 5 minuta. Mirë është të zihen në ujë të distiluar. Ena mbulohet dhe pas 20 minutash kullohet dhe pihet gjatë ditës në vend të ujit. Kura vazhdon tri ditë. Çaji mund të ëmbëlsohet dhe me pak mjaltë. Ditën e katërt bëhet pushim. Pastaj tri ditë përsëri vazhdon kura dhe me radhë deri në 20 ditë. Pra, tri ditë kurë, një ditë pushim.

Një tjetër recetë bëhet me përzierjen e 30 gram gjethe mështekne dhe dardhe, 15 gram fara lini dhe gjethe borziloku, 10 gram këpujë, të cilat përzihen dhe veprohet njëlloj si në recetën e mësipërme.

Me rezultat të pëlqyeshëm është dhe përzierja 40 gram fara lini, 30 gram gjethe mështekne, 10 gram këpujë dhe po kaq gram borzilok si dhe të njëjtën sasi me rrënjë kalmuth gjembor. Përpunimi bëhet njëlloj si më sipër.

Edhe përzierja me 20 gram borzilok, po kaq bisht luani, lule balsami, këpujë dhe vjollca trengjyrëshe.

Një tjetër recetë bëhet me 10 gram gjethe mështekne, borzilok, rrush arushe, 10 gram lule mëllage të zezë, po aq fruta e majdanoz, rrënjë grami, rrënjë kalmuthi gjembor dhe veprohet si më sipër.

Si mund të lehtësojmë urinimin

Personat që kanë probleme me çrregullimin e urinimit e kanë të nevojshme përdorimin e barnave mjekësore e bimore, pasi me anë të urinës dalin nga organizmi një sërë substancash toksike dhe në rastet kur ato nuk evakuohen në kohë thithen nga organizmi dhe shkaktojnë helmim të tij.

Për veshkat e sëmura dhe urinimin e parregullt, personi duhet të paraqitet te mjeku për këshillim. Urologu është në gjendje të përcaktojë qartë se cilat janë çajrat që duhet të përdor i sëmuri, pasi ato mund të jenë të ndryshme për persona të veçantë në vartësi të diagnozës.

Megjithatë, disa nga çajrat më të përdorshme janë:

Dy lugë gjelle plot me gjethe mështekne, e cila përvëlohet në një litër ujë të porsavaluar. Ena mbulohet dhe lihet 10 minuta. Pas kësaj, kullohet dhe do të shohim që është krijuar një lloj çaji, si ai i kamomilit. Pihet tri herë në ditë nga një gotë e vogël. Fëmijët që e kanë të vështirë të durojnë erën e mështeknës, mund ta ëmbëlsojnë çajin me pak mjaltë.

Një tjetër formulë është hedhja në një gjysmë litri ujë të tri lugë gjelle me gjethe të grimcuara të mështeknës, të cilat zihen për 3 minuta. Pastaj hiqet nga zjarri dhe lihet me enë të mbuluar deri sa të shkojë temperatura 40 gradë. Atëherë hidhte me majë të thikës pak sodë bikarboni. Lihet 6 orë, përzihet me lugë dhe kullohet.

Edhe pipëzat e mështeknës janë me efekt të mirë. Ato mblidhen në pranverë, pak para zhvillimit të gjethes dhe përdoren të njoma ose të thara nën hije. Pipëzat përmbajnë 4 për qind vaj eterik, të këndshëm e të balsamuar me erë të mirë.

Mund të përzihen dhe 30 gram pipëza dhe gjethe mështekne si dhe 10 gram kore nga druri i mështeknës dhe po aq rrënjë nga kalmuthi gjembor, të njëjtën sasi majdanoz dhe fiqirues. Tre lugë nga përzierja zihen në një gjysmë litër ujë për 5 minuta dhe më tej veprohet, si në recetën e parë.

Shërim të shpejtë jep dhe receta me 25 gram rrënjë të imtësuara sapunika, po qa nga kalmuthi gjembor. Përzihen mirë dhe zihen për 5 minuta në një gjysmë litri ujë. Kur fillon të vlojë, shtohen dhe 5 kokrra të kaltra dëllinje dhe po aq nane. Hiqet nga zjarri, mbulohet dhe pas dy orësh kullohet dhe pihet gjatë ditës, i ndarë në tri doza, para buke.

Një tjetër formulë bëhet me 25 gram këpujë, po kaq barrate, gjethe mështekne. Merren tri lugë nga përzierja dhe zihen 3 minuta në një gjysmë litër ujë dhe pas tri orësh kullohet dhe ndahet në tri racione, duke u pirë para buke.

 

Comments are closed.