Sigurimet shëndetësore, shërbimet përfituese

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, në analizën vjetore: Në 5 vjet, u dyfishua fondi për rimbursimin

Barnat dhe recetat me rimbursim, vlera totale e përfitimit. Numri i pensionistëve dhe invalidëve që kanë përfituar nga skema e rimbursimit. Shërbimet e ofruara në qendrat shëndetësore 

“Miratimi i ligjit për sigurimet shëndetësore bëri të mundur jo vetëm transformimin e ISKSH-së në fond sigurimesh, po krijon një përsosmëri të funksionimit të skemës sociale të sigurimeve shëndetësore, si dhe orienton institucionin tonë drejt një mentaliteti të ri në organizimin dhe funksionimin e tij”. Kështu është shprehur në një konferencë për mediat, Elvana Hana, drejtoresha e Institutit të Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor, gjatë prezantimit të analizës vjetore për vitin 2011 të ISKSH-së. Sipas saj, viti 2011 për ISKSH-në ishte një vit i ngjeshur me projekte e programe, në funksion të konsolidimit dhe thellimit të reformave në sistemit shëndetësor. Një nga zhvillimet kryesore gjatë vitit 2011, sipas drejtoreshës së ISKSH-së, ka qenë zgjerimi i konsiderueshëm i përfituesve dhe shërbimeve nga skema e sigurimeve shëndetësore.

Arritjet

Në analizën e zhvilluar dje, Hana tha se gjatë vitit 2011, janë trajtuar rreth 14 000 raste kronike më tepër se në 2010 dhe që mbartin një efekt financiar vjetor shtesë, prej afro 752.000 lekë të reja. “Numri i recetave me rimbursim është rritur me 167 000 receta më shumë se një vit më parë. Është rritur numri i të siguruarve që përfitojnë nga skema e rimbursimit, siç janë: pensionistët dhe invalidët. Gjithashtu, është rritur vlera e recetës së rimbursueshme në 2025 lekë, nga 1831 lekë në 2010 apo me 194 lekë më shumë për çdo recetë. Po ashtu, është rritur vlera e rimbursimit për banorë nga 123 lekë për 2010 në 141 lekë apo 18 lekë më shumë, si dhe është zgjeruar lista me 24 barna të reja, kryesisht në formë dozash apo kombinime të barnave të listës, si dhe disa barna të reja me një impakt rreth 21 milionë lekë për vitin 2011”,- tha Hana. Më tej, drejtoresha e ISKSH-së u shpreh se gjatë vitit 2011 për pacientët që përfitojnë nga skema e rimbursimit, janë përdorur 6.9 miliardë lekë të reja, nga 5.8 që u përdorën në vitin 2010. Pra, krahasuar me një vit më parë, këto shpenzime kanë një rritje me rreth 16 për qind më shumë. Vetëm për barnat e shtrenjta për pacientët, në vitin 2011, janë përdorur rreth 275 milionë lekë më shume se gjatë vitit 2010, ose e shprehur në përqindje 27 për qind më shumë, duke shtuar kështu ndjeshëm numrin e përfituesve nga skema e sigurimeve. Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, gjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të pacienteve që kanë marrë receta me rimbursim. Fondi i përdorur për rimbursim në vitin 2011 është 2 herë më i lartë se fondi i shpenzuar për këtë qëllim në vitin 2006.

Përdorimi i skemës në kujdesin parësor

Instituti i Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor përcakton se numri i personave që kanë përdorur shërbimet shëndetësore në kujdesin parësor është rritur. Për vitin 2011, janë paraqitur për herë të parë për vizitë tek mjeku në QSH rreth 1 077 681 persona ose 93 mijë persona më shumë se në vitin 2010. Ndërsa 421 qendrat shëndetësore të kontraktuara në kujdesin parësor për vitin 2011 janë kryer 6 milion e 750 mijë vizita, rreth 300 mije me shume se në 2010-ën.

“Numri i recetave me rimbursim është rritur me 167 000 receta më shumë se një vit më parë. Është rritur numri i të siguruarve që përfitojnë nga skema e rimbursimit siç janë: pensionistët dhe invalidët. Gjithashtu, është rritur vlera e recetës së rimbursueshme në 2025 lekë, nga 1831 lekë në 2010, apo me 194 lekë më shumë për çdo recetë. Po ashtu, është rritur vlera e rimbursimit për banorë nga 123 lekë për 2010, në 141 lekë apo 18 lekë më shumë, si dhe është zgjeruar lista me 24 barna të reja, kryesisht formë doza apo kombinime të barnave të listës si dhe disa barna të reja me një impakt rreth 21 milionë lekë për vitin 2011.”

Comments are closed.