Sigurimi i makinave, kostoja në bazë të rrezikshmërisë

 

Publikohen rregullat e reja që do të ndiqen për siguracionin e makinave. Shqiptarët do të paguajnë siguracion individual për makinat në bazë të historikut të tyre personal dhe rrezikshmërisë që paraqesin në rrugë. Nëse je përfshirë në aksidente, je i moshuar apo ke një makinë të vjetër, do të duhet të paguash më shumë për sigurimin e automjetit. Të paktën këto forma të reja propozon Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për sigurimin e makinave, duke u përafruar me sistemin e siguracionit që në shumë vende të tjera ka rezultuar me përgjysmim të aksidenteve.  Në një prononcim për mediat, Enkelejda Shehi,drejtore e AMF-së shprehet se “Këto çmime të jenë të tarifuar drejt dhe kjo pritet të sjelli një reduktim të aksidenteve. Këto tarifa të lidhen me përvojën e tij personale, mënyrën se si ai e realizon drejtimin e mjetit, parametrat e mjetit, me moshën dhe me disa specifika për të sjellë një çmim që është ai i duhuri për personin që drejton makinën”. Projekti i propozuar është hartuar me asistencën e Bankës Botërore dhe mbi bazën e përvojave të vendeve evropiane. Primi i sigurimit të mjetit individual ka pasur rezultate mjaft pozitive në këto vende dhe ka disiplinuar në maksimum drejtuesit e automjeteve.