Sigurimi motorik, sipas historikut të aksidenteve

Është në kaos të plotë prej disa muajsh tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik në Shqipëri. Kështu, kompanitë që operojnë në këtë treg në sinkron ulin dhe ngrenë tarifat sipas dëshirës. Ndërkohë, që tarifat për sigurimin vjetor të makinës aktualisht kanë prekur një minimum historik prej rreth 5 mijë lekë, një shumë që nuk arrin të mbulojë as çerekun e dëmit. Ekspertët mendojnë se kjo është shkaktuar nga kompanitë e vogla, që duan të fitojnë terren përmes çmimeve të ulëta. Ndërkohë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore kanë përfunduar një projekt 2-vjeçar me synim që secili të paguajë sigurimin e makinës bazuar në historikun e aksidenteve apo shkeljeve të rregullave të qarkullimit, në zonën e banimit dhe në karakteristikat e mjetit. Ky sistem ju është rekomanduar kompanive për t’u ndjekur, por zbatimi i plotë do të jetë një proces, pa një afat të prerë kohor. Ndonëse, tregu i sigurimeve në përgjithësi po kalon një nga momentet më kaotike, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare vijon të raportojë shifra pozitive. Kështu, vetëm për tre muajt e parë të vitit vlera totale primeve arriti në pak më shumë se 2 miliardë lekë, ose 12% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, tregu vijoi të mbetet i orientuar kryesisht tek segmenti i jo-jetës, që sollën rreth 88% të vëllimit të përgjithshëm të primeve. Shtysa kryesore për rritjen e tregut në këtë periudhë ka ardhur nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik dhe kryesisht falë rritjes së çmimit të tyre në fund të vitit. Por, numri i dëmeve të paguara në aktivitetin e jetës ka vijuar në rënie, ku kompanitë në treg kanë paguar vetëm 77 dëme.