Ekonomi

Sistemi bankar ul numrin e punonjësve. Priten shkurtime të tjera

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Profesionistë ka, por nuk ka punë!

Nëse shpresoni të filloni punë në një bankë, do të keni të vështirë. Prej dy vitesh sistemi bankar rezulton në tkurrje përsa i përket numrit të degëve, por edhe marrjes së punonjësve të rinj, ndërsa e ardhmja duket edhe më pak premtuese. Pak banka po zgjerohen, ndërsa të tjera janë në stanjacion, por ka dhe nga ato që po shkurtojnë personelin. Për më tepër që numri i bankave në vend pritet të reduktohet.

Të dhënat e Shoqatës së Bankave bëjnë të ditur se numri i punonjësve në sistemin bankar në fund të muajit shtator ishte 6909 persona. Numri i punonjësve është ulur me 41 persona përgjatë këtij viti, në raport me fundin e 2016-s. Reduktimet më të mëdha të stafit i ka shënuar Raiffeisen, me 80 persona. Edhe Pro Credit, që po investon në teknologji për të reduktuar kontaktin me klientët, ka shkurtuar personelin me 23 persona.

Këto humbje janë neutralizuar disi nga Credins, që ka marrë 51 persona në punë përgjatë këtij viti. Tirana Bank dhe Union e kanë shtuar personelin përkatësisht me 8 dhe 7 persona, ndërsa në bankat e tjera lëvizjet kanë qenë minimale.

Në fund të muajit shtator, sistemi bankar kishte 494 degë, 9 më pak se në dhjetor 2016. Raiffesien ka mbyllur 3 degë, Pro Credit ka reduktuar 5 degë dhe Alpha Bank ka mbyllur një.

Sistemi bankar u rrit me shpejtësi pas vitit 2005 dhe deri në 2008-n ai e kishte dyfishuar personalin. Por pas vitit 2008, kur u godit nga kriza financiare globale, bankat po tregohen më të maturuara, si në drejtim të zgjerimit, ashtu dhe të shtimit të personelit.

Aktualisht sistemi bankar është në një fazë konsolidimi, teksa një pjesë e bankave është në shitje. Kjo mund të sjellë një shkurtim të mëtejshëm të personelit.

Veneto Banka është në process përthithjeje nga Intesa SanPaolo, në linjë me procesin që ndodhi me bankat mëmë përkatëse në Itali. Kjo e çon numrin e bankave nga 16 në 15 dhe pritet që ky numër të reduktohet edhe më tej.

Prej disa muajsh, NBG Albania është në shitje. Shoqëria e sigurimeve Eurosig, Banka Amerikane e Investimeve (ABI) dhe Banka e Parë e Investimeve (FIB) janë tre institucionet financiare që dorëzuan ofertat për blerjen e NBG-së. Së fundmi mësohet se fituesja është ABI, por transaksioni duhet të marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës.

Vitin e ardhshëm edhe banka të tjera të dalin në shitje. Një prej tyre është Tirana Bank, një tjetër me kapital grek, në linjë me strategjinë e bankave me kapital grek për të ulur ekspozimin e tyre në Ballkan. / Monitor.al

Nëse ja vlen, ndaje me miqtë...
Share on Facebook
Facebook
0Pin on Pinterest
Pinterest
0Tweet about this on Twitter
Twitter
Share on LinkedIn
Linkedin

Comment here