Mediu: Reforma zgjedhore duhet të garantojë barazinë e votës

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu shprehet kundër  përdorimit të formulave në sistemin zgjedhor që i marrin deputetët partive të tjera. Për kreun e republikanëve, sistemi zgjedhor duhet të jetë i tillë që vota të shkojë për partinë që është hedhur dhe jo të shkojë për partitë e mëdha. Ndërsa ka folur në një takim me gratë republikane, Fatmir Mediu nënvizoi rëndësinë e përfshirjes më të lartë të grave në proceset vendimarrëse.  Në këtë drejtim ai tha se do t’u propozohet strukturave që PR-ja të ketë edhe një grua bashkëkryetare. Mediu tha se propozimi i formulave dëmtuese në sistemin zgjedhor dëmtojnë edhe kuotën e grave. “Nëse do të shmanget një konkurrim i drejtë i subjekteve politike, nëse do të ndërtohen formula brenda sistemit zgjedhor për t’i rrëmbyer deputetë një partie apo një partie tjetër, kjo padyshim jo vetëm do të cënojë atë që quhet kuotë, por do të cënojë përfaqësimin e drejtë të votës së qytetarëve dhe të zonjave që vijnë në kuvend nga vota e qytetarëve.  Mendoj se ka ardhur koha për të pasur  vërtetë zërin e përfaqësuesve të grave në PR, niveli që duhet të ketë edhe një bashkëkryetare grua në struktuarat e Partisë Republikane”, nënvizoi Mediu. Kreu republikan foli edhe sa i përket çështjes së pronës, çështje kjo e debatuar mes republikanëve dhe demokratëve në qeverisje. “Ne nuk e kërkojmë pronën private si një çështje politike, por si çështje e të drejtës, nuk ka nevojë që ne të përfaqësojmë veten se ku ne jemi të përfaqësuar, por sa realisht të drejtat tona janë përfaqësuar”, u shpreh ai.

 

Comments are closed.