Smartphone kuleta ime

Me celularin mund të bësh shumë gjëra: të shkruash mesazhe, të dëgjosh muzikë, të lundrosh në internet dhe natyrisht të telefonosh. Së shpejti ai mund të zëvendësojë edhe portofolin tonë. Pagesa mobile është e ardhmja.

A e dini ju se çfarë është shkruar në një kartëmonedhë 100 euro? Ose më thjeshtë, në një kartëmonedhë 5 euro? Edhe nëse nuk e gjeni menjëherë përgjigjen, kjo mungesë e vogël njohurish falet, sepse gjithnjë e më shumë kartëmonedhat po zhduken nga jeta jonë e përditshme. Në këmbim dikush njeh shumë mirë numrin e kartës së kredisë. Pagesa pa para në dorë po bëhet gjithnjë e më e pranishme, vazhdimisht punohet për sisteme dhe aparate të reja pagese. Një prej tyre gjendet në xhepat tanë, telefoni inteligjent, smartphone. Por a janë pagesat mobile vetëm një modë e re, apo e ardhmja?

Ka shumë mënyra për të shpenzuar para. Duhet vetëm t’i kesh, por kjo është temë tjetër. Që tani ne mund të administrojmë në “cloud” kartat tona të kredisë përmes Google Wallet, apo Paypal dhe mund të kryejmë pagesa pa para në dorë në të gjithë botën. Një teknologji tashmë e konsoliduar, Near Field Communication (NFC), në shqip: komunikacioni në afërsi, kërkon ta ndryshojë përsëri sistemin e pagesave, ta bëjë atë më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të sigurt. NFC është një kanal përçimi, një lidhje pa kabllo e aparateve: aktualisht zhvillimet e reja parashikojnë çipe NFC, të cilët mund të skanohen me një aparat lazer dhe që inkorporohen në smartphone. Klienti e mban telefonin e tij para një terminali në arkë dhe kryen pagesën. Edhe në kartat e kredisë apo debisë mund të inkorporohen çipe të tilla. Tregu për sistemet mobile të pagesës, të quajtura edhe U-Commerce, përjeton një konkurrencë të fortë. Shumë firma, ndër të cilat start-ups, sipërmarrje telekomunikacioni apo institute financiare, duan të hyjnë në këtë segment. “Pagesa mobile është më shumë se një tendencë moderne. Falë përhapjes tejet të madhe të telefonave inteligjentë dhe tablets, qarkullimi mobil i pagesave po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, blerjet në internet po përqendrohen gjithnjë e më shumë tek celularët dhe E-Commerce po shndërrohet në M-Commerce (mobile commerce)”, thotë Mandfred Krüger, shef i ConCardis GmbH, një firmë e cila ofron shërbime për sistemin e pagesave pa para në dorë