Socrealizmi, vrasja “me duar të pastra” në telajot e pikturës

Nga Huzri Hoxha

Të trajtosh një dukuri shumëplanëshe, e cila më tepër se estetike, ishte politike dhe ideologjike, siç është metoda e socrealizmit, nuk është e thjeshtë dhe nuk bëhet me një të rënë të lapsit, pasi studimi, njohja dhe, aq me tepër, përcaktimi etik i doktrinave të ndryshme social-filozofiko-estetike në botën e artit i largohet gjithnjë e më shumë destinacionit dhe objektit shqyrtues fillestar.

Rreth një gjysmëshekulli, artet dhe letërsia shqipe, nën ndikimin e revolucionit bolshevik të tetorit dhe revolucionit dogmatik (anti)kulturor kinez, u vetësakrifikua në “altarin” e ideologjisë së diktaturës së proletariatit, duke prodhuar në vend të artit pankarta të çngjyrosura dhe retorike, ku i thureshin hosanara regjimit komunist dhe njeriut të ri të revolucionit socialist.

Në artet figurative, kjo ishte më shumë se një dukuri asfiksuese, ishte shterpëzuese, klithëse e neveritëse, edhe pse me shumë përpjekje, me një tentativë gati sizifiane, disa piktorë dhe disa piktura syresh ia dolën të shpëtojnë nga “linçimi inkuizicional” i kohës.

Marrshi i socrealizmit nisi në fillim si një vizion romantik për një botë të re, për një art të ri, çfarë është në fund të fundit një kuotë dhe kredo e lakmueshme për çdo artist dinjitoz. Utopia komuniste, me thelbin demagogjik human dhe lirinë hipokrite të individit (që është forma më e maskuar dhe më e rëndë e skllavërisë), futi në një aventurë të pakryue dhe figura e personalitete të forta artistike, me vizion tronditës, si Majakovskin, Sartrin, Pikason, çfarë tregonin se murtaja komuniste kishte tronditur realitetin global të epokës.

Nevoja e ngutshme për ta vënë letërsinë, artet e në këtë kuadër dhe artet figurative nën diktatin ideologjik, që estetika të kthehej në një mjet ilustrativ të realitetit të deformuar të kohës, ishte themeli, mbi të cilin u ngrit dhe lulëzoi socrealizmi, metoda krijuese atrofizuese e çdo krijimtarie dhe busulla orientuese e çdo krijuesi.

Një shoqëri në bunker, e varfër, e depersonalizuar, e barabartë në mizerie, me liderë despotikë dhe anakronikë, me artistë të thirrur nga tornot dhe poligonet e qitjes, vështirë se mund të krijonte një art të vërtetë, siç dhe ndodhi, ku me disa përjashtime, shenja antikonformizmi, disidence dhe notimi kundër rrymës, veçmas nga disa piktorë që kishin mbaruar shkallët në Perëndim, (dhe që paguan çmimin e lirisë së artit të tyre me një kosto shumë të rëndë), gjithçka tjetër pati ngrirë dhe qe vetësakrifikuar në altarin e dogmave të epokës.

Arti është i huaj në një shoqëri, së cilës nuk i lejohet të mendojë dhe të ndiejë të bukurën, ku bukuria e femrës urdhërohet që të vështrohet tek muskujt dhe kominoshet e aksioneve vullnetare dhe dashuria nën ritmin e çmendur të çangës së kooperativës. Nuk mund të bëhet art, kur dëshira për të kërkuar të vërtetën shfaroset me kanune ideologjike.

Nuk bëhet dot art, në një kohë kur çdo formë risie, çdo vijë, linjë, ngjyrë e trajtë pikturale, ndryshe nga Kanuni i socrealizmit, anatemohet dhe shpallet një art heretik, ndërkohë që artisti (piktori) përgatitet për t’u trajtuar në gulaket e radhës.
E veçanta e realizmit socialist në fushën e arteve figurative shqiptare ka të bëjë me faktin se përfaqësuesit më në zë të shkollës shqiptare të pikturës studiuan dhe u profilizuan në vende të ish-kampit socialist, pra sollën në atdhe frymën statike dhe jashtestetike të “doktrinës bolshevike”.

Ky brez i ri artistësh iu bashkëngjit brezit të mëparshëm që kishte kryer shkolla akademike artistike në Perëndim dhe që kishte bërë një tentativë serioze për të përshtatur njëfarësoj skrupujt dhe risitë e botës akademike, në kuadër të shabllonizmit ilustrativ e meditativ, me emocione të stisura të Realizmit Socialist.
Çfarë ndodhi konkretisht? Hapësirat vizuale pikturale, tablotë e piktorëve më në zë u mbushën me pushkë sovjetike, topa sovjetikë, kazma, lopata, shpata, ushtarë e vullnetarë, gra me muskuj prej Vandami dhe fshatarë e punëtorë të militarizuar. Bukuria e humbi destinacionin e saj arketipal dhe u shndërrua në një banderolë të çngjyrosur, ku trumbetohej me nota pamfletiste dhe retorike madhështia e revolucionit të kuq.

Nëse një vepër pikture nuk përshkohej nga filli marksist – leninist, jo vetëm që nuk pranohej në asnjë lloj ekspozite e paraqitjeje, por piktori i nënshtrohej sprovave të kalvarit, nga heqja e të drejtës për të pikturuar, degdisja për vite të gjata në fshat, deri tek internimi apo burgjet politike të kohës.

Tentativat e disa piktorëve për të dalë nga rreshtimi delirant njëshkolonë, u shoqëruan me masa të rrepta ndaj tyre, siç ndodhi në rastet e artisteve Maks Velo, Edi Hila, Edison Gjergo etj., të cilët iu nënshtruan sprovave jashtestetike, nga më absurdet.

Një ndër piktorët më të talentuar që e theu kanonizmin socrealist me një pikturë ndryshe, të cilës i pagoi një çmim të rëndë, ishte Ali Oseku, i cili u dënua në Elbasan me grupin e Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, me akuza për një art dhe kulturë dekadente e jashtë kontureve të realizmit socialist. Gjithashtu, për shkak të pikturave të tij, që nuk komunikonin masivizëm dhe bunkierizëm, u dënua piktori Vladimir Jani. Sadik Kaceli, ndonëse nuk bëri burg, u rrek ta thyente horizontalitetin asfiksues të pikturës së ngrirë të kohës, me fuqinë e një talenti të pazakontë.

Disa piktorë të talentuar si Bajram Mata u degdisën në provincë, ku nën avujt e alkoolit, të shoqëruar me gracka të panumërta dhe keqkuptime nga më ciniket e nga më absurdet, përfunduan keq, të zhgënjyer, të deziluzionuar dhe i dhanë fund jetës në mënyrë tragjike.

Ndihej një nevojë urgjente për ta edukuar “njeriun e ri” me shije mediokre artistike, duke ia ndryshuar kursin të bukurës, njerëzores dhe të madhërishmes, nën ritmet e shfrenuara të një atdhetarizmi fiktiv, që nuk prodhonte asgjë tjetër të hairit, përveçse hipokrizi, stres të kamufluar dhe dyzim kolektiv. Piktura, si dhe artet e tjera, letërsia dhe kultura në përgjithësi, lypsej të bëheshin avangarda e këtij rrënimi total të shoqërisë shqiptare dhe të shpirtit njerëzor dhe kjo ishte vërtetë e trishtë dhe fatale, sidomos për brezin e ri.

Gjoja parimet, mbi të cilat qe ndërtuar metoda e Realizmit Socialist nuk ishin tjetër veçse një shkallmim i artit dhe uzurpim i objektit të tij nga jashtësia, nga dogmatizmi dhe ngrija e madhe, pa limit.

Mediokriteti akademik dhe artistik shprehej në ngushtimin e hapësirave për eksplorim nga diktati i skematizmit artistik, nga dalja në krye e artistëve delitantë dhe të përdorshëm lehtë nga regjimi, duke iu bërë hije talenteve të vërteta dhe vlerave të mirëfillta estetike.

Konkurrimit të vlerave ia zuri vendin arroganca e shefave të studiove e galerive, autoriteti i shefave të partisë dhe të pushtetit komunist në zyrat e artit, që nuk kuptonin asgjë nga piktura, skulptura, muzika, filmi, drama, romani, poezia etj., por kuptonin mirë se çfarë duhet të bënin për të qenë roje vigjilente të revolucionit socialist, për të qenë gjithmonë nën hijen e të mëdhenjve, për të përfituar sa më shumë nga favoret e pushtetit, në dëm të piktorëve dhe artistëve të vërtetë.

Në thelb, tentativa e bunkerizmit të artit në përgjithësi dhe pikturës në veçanti, me anë të metodës së socrealizmit, ishte një atentat ndaj misionit të artit, ose një vrasje “me duar të pastra” e të bukurës në telajo.

Ngrirja gjysmëshekullore në art dhe kulturë e në këtë kuadër dhe në pikturë është një nga ngrirjet me kosto më të rëndë në fatin e shoqërisë shqiptare, pasi goditi shpirtin estetik të kombit, në një tentativë kobzezë për ta ngritur mediokritetin në një “risi” të epokës socialiste dhe në një botëvështrim të “njeriut të ri”.