Sot në mbrëmje, Barcelona përballë Milanit

Sot në mbrëmje do të luhet ndeshja më e rëndësishme e Ligës së Kampioneve, ku dy skuadrat e para gjysmëfinaliste, Barcelona-Milan do të përballen mes tyre. E cilësuar si një finale e parakohshme, spektakli është i garantuar me dy prej skuadrave që luajnë futbollin më të bukur në Europë. Barazimi 0-0 në çerekfinalen e parë të luajtur në “San Siro” nuk le vend për parashikime, megjithëse kuotat e basteve favorizojnë Barcelonën. Trajneri spanjoll, Pep Guardiola deklaroi se do të luajnë një ndeshje të vështirë kundër një prej skuadrave më të mëdha të Europës. “Kam përshtypjen se Milani do të shënojë dhe për këtë arsye ne duhet të shënojmë më shumë se një gol”, ka thënë Guardiola, shqetësimi i vetëm i të cilit është forma e Xavi Hernandez. Optimist, por i vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj ndeshjeje është shfaqur trajneri i Milanit, Masimiliano Allegri. “Kjo është një ndeshje historike. Është gjithmonë spektakolare kur luan Milani dhe Barcelona. Ata janë favoritë, por ne do të japim maksimumin për t’u kualfikuar”, ka thënë Allegri. Milani do të zbresë sërish në fushë i kushtëzuar nga dëmtimet e shumta. Mungon Thiago Silva dhe Van Bommel, por Allegri ka një “as nën mëngë”. Ai është Alexandre Pato. Braziliani është rikuperuar nga dëmtimi i gjatë dhe është gati për të luajtur në sfidën më të rëndësishme të sezonit.

Comments are closed.