Spahiu: Demontimi i municioneve të tepërta përfundon në 2013-ën

Nga 92.651 ton municione, që përllogariteshin në vitin 2009, kanë mbetur për t’u asgjësuar rreth 38.845 ton municione, prej të cilave 26.000 ton do të eliminohen gjatë vitit 2012

Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Ekrem Spahiu, i shoqëruar nga zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, gjeneral brigade Zyber Dushku, dhe shefi i Shtabit të Brigadës Logjistike, kolonel Perikli Tiko, doli dje, në një konferencë për shtyp, ku nëpërmjet një raporti të hollësishëm, bëri prezent për publikun punën e bërë deri tani nga strukturat e Forcave të Armatosura për demontimin e municioneve të tepërta. Që nga viti 1992, theksoi z. Spahiu, Forcat e Armatosura administronin rreth 194.000 ton municione luftarake, të depozituar në qindra magazina, depo e tunele dhe të shpërndarë në të gjithë vendin. Në vitin 2009, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm hartuan planin e veprimit për asgjësimin e 92.651 ton municione të llojeve e kalibrave të ndryshëm, të cilat kishin mbetur nga regjimi i së kaluarës. Sipas z. Spahiu, kjo sasi municionesh ishte kryesisht prodhim rus i viteve 1945–1960, kinez i viteve 1961–1976 dhe prodhim shqiptar i viteve 1967–1992. Rreth 95 për qind e tyre kishte një vjetërsi prodhimi mbi 40-vjeçare, në një kohë që, sipas specialistëve dhe ekspertëve të vendeve të tjera, jetëgjatësia e municioneve është 15–20-vjeçare. “Fillimi i reformave në vitin 1992, ristrukturimi në vazhdimësi i Forcave të Armatosura dhe reduktimi i njësive e reparteve ushtarake, bëri që municionet të përqendrohen në depot më të afërta, duke i tejmbushur ato mbi kapacitetet depozituese, si dhe duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë. Ndërkaq, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kërkonte rishikimin e standardeve të kompletimit me municion të FA-ve, ruajtjen, depozitimin dhe administrimin e tyre, si dhe forcimin e sigurisë dhe eliminimin e premisave për ngjarje të padëshiruara”, – theksoi, ndër të tjera, zv/ministri i Mbrojtjes Shqiptare. Për të realizuar me sukses këtë detyrë, nënvizoi z. Spahiu, u desh një koordinim më efiçent në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përmirësimi i bazës ligjore për zbatimin e kësaj detyre të rëndësishme. Me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u ngrit Bordi Drejtues për Asgjësimin e Municioneve të Tepërta në Forcat e Armatosura. Ky bord ngriti grupin e punës për përgatitjen e Planit të Veprimit për asgjësimin e municioneve të tepërta dhe detajimin e të gjitha hapave që do të ndërmerreshin për trajtimin e këtyre municioneve, me synim eliminimin e gjithë sasisë së municioneve të tepërta brenda vitit 2013. Në vijim të fjalës së tij, zv/ministri Spahiu shpjegoi metodat e përcaktuara për asgjësimin e municioneve të tepërta, siç janë asgjësimi me demontim industrial në uzinat ushtarake, asgjësimi me detonim dhe djegie të hapur në poligone, reduktim i sasisë së municioneve nëpërmjet qitjes dhe garave të qitjes, si dhe eksport i municioneve nëpërmjet shitjes ose dhurim vendeve partnere. Duke veçuar disa nga arritjet kryesore, z. Spahiu u shpreh: “Në vitin 2010 u asgjësuan 20.653 ton municione të tepërta, 2.000 ton municione më të rrezikshme, u eliminua një sasi prej 157 ton lëndë plasëse e tipit RDX (nga të cilat 47 ton janë asgjësuar nga FA-të dhe 110 ton janë eksportuar), u ngritën dhe u adaptuan 4 linja të reja të demontimit industrial në uzina, u miratuan me ligj edhe 6 poligone të tjera shtesë. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit me partnerët u bë i mundur nga OSBE-ja, sigurimi i një sërë pajisjesh për demontimin industrial të municioneve, ndërkohë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-ve u bë financimi për asgjësimin e 3.000 ton municioneve. Gjatë vitit 2011, u shkatërruan 26.613 ton municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, nga 25.000 ton që ishin planifikuar. Ndërsa sasia totale e municioneve të asgjësuar gjatë viteve 2009-2011, është 53.806 ton. Ndërkohë, në kuadër të reformimit të FA-ve, sasia në total e municioneve që kanë mbetur tepër dhe për asgjësim gjatë periudhës 2012-2013, është rreth 38.845 ton municione, prej të cilëve 26.000 ton do të eliminohen gjatë vitit 2012”. Një vend të veçantë në fjalën e z. Spahiu zuri puna që po bëhet dhe do të vijojë të bëhet për realizimin e demontimit të municioneve të tepërta të mbetura gjatë vitit 2012 dhe deri në përfundim në vitin 2013.

Comments are closed.