Speciale/ Leje qëndrimi me pikë dhe marrëveshja e integrimit

Nga 10 marsi, të gjithë ata që kanë mbërritur në Itali duhet të nënshkruajnë “Marrëveshjen e Integrimit mes shtetit dhe të huajit”. Në rregullore parashikohet që marrëveshja e integrimit të nënshkruhet nga të gjithë të huajt mbi moshën 16 vjeç që vijnë në Itali, nga çasti kur rregullorja të vijë në fuqi. Të gjithë të huajt që kanë tashmë një leje qëndrimi e gjenden në Itali janë të përjashtuar. Një dhuratë me shpërthim të vonuar e qeverisë “Berluskoni”: e parashikuar nga paketa e sigurisë e vitit 2009, u deshën tre vjet për ta sjellë në fuqi. Gjithçka që duhet të dini mbi marrëveshjen e integrimit dhe leje qëndrimin me pikë.

Pikët e leje qëndrimit kontrollohen online 

Për të njohur në çdo çast sa pikë ke mund të lidhesh me acordointegrazione.dlci.interno.it. Ja udhëzimet e Ministrisë së Brendshme për konsultimin e portalit. Nënshkrimi i marrëveshjes së integrimit është vetëm hap i parë, më i thjeshti, që duhet të bëjnë të huajt që vijnë në Itali, nga 10 marsi 2012. Pjesa e vështirë vjen pas nënshkrimit, kur do të duhet të respektohen angazhimet e nënshkruara dhe të mos kryhet asnjë shkelje. Në sistemin e ri në fuqi, nga 10 marsi 2012, për të gjithë të ardhurit e rinj në Itali, çdo sjellje e të huajve do të matet me kredite apo pikë, që do t’i jepen apo do t’i hiqen sipas rastit. Të gjithë e nisin jetën e tyre në Itali, me 16 pikë që brenda dy vjetëve duhet të bëhen të paktën 30. Kush nuk ia del ka vetëm një vit kohë për t’ia arritur, përndryshe dëbohet. Dy tabela të detajuara shpjegojnë si mund të fitohen e si humben kreditet, por nuk do të jetë e nevojshme të shënohen të gjitha në një bllok për të ditur sa pikë keni mbledhur. Duke u lidhur me portalin acordointegrazione.dlci.interno.it të Ministrisë së Brendshme është e mundur në çdo çast të mësohet sa pikë ke e sa të mungojnë akoma për të përmbushur detyrimin e marrë me nënshkrimin e marrëveshjes. Për të hyrë në portal, herën e parë duhen përdorur të dhënat e përkohshme të marra nga Kuestura o nga Sporteli Unik pas nënshkrimit të marrëveshjes, që lejojnë kompletimin e procedurës së regjistrimit. Për hyrjet e mëpasshme mund të përdoren e-mail-et dhe fjalëkalimi personal, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Brendshme.

Edhe imigrantët u japin lamtumirën certifikatave

Nga viti i ardhshëm, edhe të huajt nuk duhet të bashkëngjisin më certifikatat në origjinal kërkesave të tyre për lejet e qëndrimit apo për të tjera praktika që kanë të bëjnë me qëndrimin e tyre në Itali. Ashtu siç ndodh tashmë për italianët dhe komunitarët, edhe imigrantët e huaj do të mund të vetëdeklarojnë të gjitha të dhënat që administrata publike mund të verifikojë vetë. Kjo risi përmbahet në projektin e ligjit të konvertimit të dekretit mbi thjeshtëzimet që sot po miratohet në Dhomën e Deputetëve. Teksti, mbi të cilin qeveria kërkon votëbesimin, duhet të kalojë edhe në Senat për të marrë miratimin përfundimtar përpara se të hyjë në fuqi. Për të kuptuar më mirë rëndësinë e kësaj risie, është e udhës të bëhet një hap pas. nga një janari 2012 është në fuqi një normë që ndalon Administratën Publike të kërkojë certifikata, nëse të dhënat që ato përmbajnë gjenden në bankat e tyre të të dhënave. Kështu që ajo duhet të mjaftohet me deklaratat zëvendësuese, pra me vetëcertifikimet. Por entuziazmin e imigrantëve që menduan se mund t-i kursenin vetes para e radhë e frenoi një qarkore e ministrisë së Brendshme nga fundi i janarit. Sqaron se sidoqoftë mbetet në fuqi një normë e Tekstit Unik mbi Dokumentacionin Administrativ dhe në rregulloren e zbatimit të Tekstit Unik mbi Imigracionin sipas së cilës ““qytetarët e shteteve jo anëtare të BE-së me qëndrim të rregullt në Itali, mund të përdorin deklaratat zëvendësuese, me përjashtim të rasteve të parashikuara nga dispozitat që përmbajnë ligjet dhe rregulloret e lidhura me imigracionin dhe statusin e të huajit”. Pak rreshta, por shumë të rëndësishëm. Kjo do të thotë, për shembull, që nevojiten akoma certifikatat kartotekës së Gjykatës dhe ato të çështjeve penale në ngarkim për të kërkuar kartën e qëndrimit, po ashtu edhe certifikata e “përshtatshmërisë së strehimit” për bashkimin familjar. Sipas të njëjtit parim, të papunët që kërkojnë leje qëndrim për pritje punësimi duhet të vazhdojnë të paraqesin certifikatën e regjistrimit në zyrën e punësimit dhe studentët që duan të përtërijnë lejen e tyre duhet të paraqesin certifikatën e regjistrimit në universitet. Por mjafton vetëcertifikimi për të gjitha rastet e tjera që nuk kanë të bëjnë me çështje të imigracionit. Kështu, për shembull, nëse një i huaj kërkon të bëjë abonimin për mjetet publike të qytetit ku jeton, nuk ka nevojë të marrë certifikatë rezidence, por mjafton të deklarojë vetë se ku banon. Tani, gjatë konvertimit të dekretit të thjeshtëzimeve, një amendament i paraqitur nga Partia Demokratike ka hequr edhe përjashtimet e parashikuara nga Teksti Unik mbi Dokumentacionin Administrativ dhe nga rregullorja e zbatimit të Tekstit Unik mbi Imigracionin. Prandaj “shtetasit e vendeve jo anëtare të BE-së, me qëndrim të rregullt në Itali, mund të përdorin deklaratat zëvendësuese” edhe për praktikat e parashikuara nga burokracia e imigracionit. Por kjo risi është lënë të hyjë në fuqi nga 1 janari 2013. ndërkaq, Ministria e Brendshme dhe ajo e Administratës Publike do të përcaktojnë se si Kuesturat e Prefekturat të përftojnë sa më lehtë të dhënat që u nevojiten. Moratoriumi është i domosdoshëm, sepse tani, pa një lidhje mes bankave të të dhënave, do të rrezikohej (në mënyrë paradoksale) zgjatja e mëtejshme e kohës së përpunimit të praktikave. Një kuesturë që përpunon një leje qëndrimi për studime, për shembull, për të verifikuar vetëdeklaratën, duhet t’i kërkojë universitetit, t’i nisë të dhënat mbi provimet e dhëna nga studenti që ka paraqitur kërkesën, duke bllokuar praktikën deri në marrjen e një përgjigjeje. Nga viti i ardhshëm, duket se gjithçka do të zgjidhet me një konsultim të bankës të së dhënave në kompjuter.

Sportelet unike. Kush do të administrojë marrëveshjen e integrimit?

Marrëveshja e integrimit dhe leja e qëndrimit me pikë do të kthehen në realitet, pas pesë muajve, por ndërkaq, pyetja se si do të administrohet e gjithë burokracia shtesë që ato sjellin me vete, kërkon përgjigje. Veçanërisht, duke mbajtur parasysh që rregullorja e mbërritur në gazetën zyrtare përcakton që ajo të administrohet “me burimet njerëzore, instrumentale dhe financiare të disponueshme me legjislacionin në fuqi, pa shpenzime të reja e më të larta për financat publike”. Me një fjalë, teorikisht, ky revolucion duhet të jetë me kosto zero për administratën publike. E megjithatë, detyrimet rriten jashtë mase, kryesisht për sportelet unike për imigracionin. Këto zyra duhet të administrojnë nënshkrimin e marrëveshjes nga anë e imigrantëve të sapoardhur në Itali dhe të organizojnë kurse të shkurtra të edukimit qytetar. Por problemi i vërtetë do të mbërrijë pas dy vjetëve, kur do t’u duhet edhe të vlerësojnë përparimet e bërë nga çdo i huaj, të mbledhin e të heqin pikë e të administrojnë testin e italishtes dhe të edukimit qytetar. Nuk duam të mendojmë që si gjithnjë do të jenë “klientët”, imigrantët e rregullt, ata që do të vuajnë këtë situatë, duke pritur edhe më gjatë se sot marrjen e dokumenteve të qëndrimit. A mund t’i bëjnë të gjitha këto me “burimet njerëzore, instrumentale dhe financiare në dispozicion”? e bukura është që, kur marrëveshja e integrimit të hyjë fuqi, nuk do të ketë qenë vetëm Maroni që ka lënë zyrën e tij. Me përjashtim të ndonjë të papriture të radhës, në fund të vitit 2011, do të kenë shkuar në shtëpi edhe të gjithë punonjësit e përkohshëm të imigracionit, 650 vetë që prej vitesh punojnë me kontrata të përkohshme e që përfaqësojnë shtyllën kurrizore të sporteleve unike. Shumë prej tyre, javën e shkuar, kanë ndjekur me ankth miratimin përfundimtar të ligjit të stabilitetit. Shpresonin, në fakt, që në amendamentin e madh të paraqitur nga qeveria të kishte edhe dy rreshta për ta, që të shpëtonin vendet e tyre të punës. Por u zhgënjyen. “Në vrullin e shkurtimit të shpenzimeve në sektorin publik nën komisariatin e BE-së goditet edhe ajo që nuk është shpenzim i kotë, por një pasuri që duhet vlerësuar e që në të vërtetë duhet kthyer në burim të qëndrueshëm, pikërisht për detyrën delikatë që kryejnë e që duhet të mbetet shtetërore. Ministri Maroni në aktin e tij të fundit ka treguar indiferencë të plotë për fatin e 650 punonjësve dhe të shërbimit të ofruar nga struktura të rëndësishme të Ministrisë” thotë Antonio Crispi, sekretar kombëtar i Fp Cgil. Brenda fundit të vitit do të shumëfishohen alarmet dhe manifestimet për shpëtimin e 650 punonjësve, por mungesa e plotë e fondeve dhe normat e reja mbi qarkullimin e punonjësve shtetërorë (që teorikisht duhet të lejojë administratën publike të mbyllë vrimat në zyrat e saj më problematike duke zhvendosur personelin nga zyrat që kanë më pak punë) të lënë të mendosh që beteja do të jetë e ashpër. E ndoshta, edhe në këtë rast, fjalën e fundit mund ta thonë gjykatësit. “Puna e Sporteleve Unike shtohet, dhe duan të çojnë në shtëpi ata që duhet ta kryejnë” komenton Alessia Pantone, bashkëthemeluese e Komitetit në të cilin janë organizuar punonjësit e paqëndrueshëm. “Ndërkaq – shton – 60 për qind prej nesh ka paraqitur ankimim në gjykatën e punës për t’u punësuar me kontratë të pakufizuar në kohë. Kemi bërë një konkurs publik dhe prej vitesh kryejmë një punë që nuk mund të quhet më emergjencë”.

 

 

 

Comments are closed.