Speciale/ MASH: Kandidatët mund të aplikojnë për konvertimin e diplomës gjatë muajve prill-maj Maturantët e diplomuar jashtë, formulari për aplikim

Dosja e plotë me dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët për Maturën Shtetërore. Si mund të vërtetohet zyrtarisht njohja e gjuhës shqipe. Procedura për zhvillimin e provimeve të detyruara 

Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë mbaruar shkollën e mesme jashtë vendit dhe që duan të ndjekin studimet universitare në vendin tonë, duhet të aplikojnë pranë ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për njehsimin e diplomave. Sipas rregullores së MASH-it, këta kandidatë duhet të dorëzojnë dokumentet për konvertimin e diplomës gjatë periudhës prill-maj. Vetëm pasi të kenë ndjekur këtë procedurë, kandidatët mund të konkurrojnë në universitetet e të gjithë vendit. Përveç ekuivalentimit të diplomave, udhëzimi i MASH-it përcakton hollësisht rregullat që duhen ndjekur nga aplikantët për t’u regjistruar në Maturën Shtetërore, me qëllim që t’u nënshtrohen provimeve të detyrueshme dhe me zgjedhje. Udhëzimi i ri i MASH-it përcakton afatet kur do të mund të jepet provimi i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë që vërteton se kandidati që konkurron në maturë zotëron këtë gjuhë. Konkretisht, në udhëzimin e MASH-it thuhet se “Për shqyrtimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë diplomën e shkollës së mesme të fituar jashtë shtetit, në lidhje me njehsimin e dokumenteve shkollore, ngrihet një Komision i Posaçëm në MASH, me urdhër të ministrit, i cili merret me shqyrtimin e dokumenteve dhe procedurat që duhet të ndjekin të interesuarit. Gjithashtu, udhëzimi i ri përcakton edhe periudhat kohore të njehsimit të diplomave të shtetasve shqiptar dhe të huaj që kanë fituar diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit të jetë:

a) Prill-maj, për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet me kohë të plotë në IAL.

b) Gusht – shtator. Për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet në programet e studimit me kohë të shkurtuar në IAL

c) Gusht – dhjetor. Për të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kërkojnë të vazhdojnë studimet në programet e studimit në IAL.

Dokumentet që duhen dorëzuar

Për njehsimin e diplomave shtetasit e interesuarit duhet të paraqesin në MASH kërkesën dhe dokumentacionin e mëposhtëm:

– Dëftesën/diplomën, së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të shkollës, përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuara.

– Fotokopjen e dokumentacionit të identifikimit

– Shtetasit e huaj duhet të paraqesin lejen e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar)

Po ashtu, shtetasit shqiptarë apo të huaj që kanë fituar diplomë të shkollës së mesme jashtë shtetit dhe duan të ndjekin programet e studimit universitar dhe jo universitar në institucionet e arsimit të lartë duhet të paraqesin dokumentet plotësuese:

a) Kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në IAL;

b) Dokumentin zyrtar nga vendi që vijnë, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera i jep të drejtën e të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jo universitare në vendin ku kanë studiuar;

c) Certifikatën e njohjes së gjuhës shqipe. Zotërimi i gjuhës shqipe vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së pranimit që zhvillohet mbi bazën e programet për të huaj në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe përjashtohen të gjithë ata shtetas, të cilët kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucionet arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe ose shtetasit që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar.

 

Si do të veprojnë kandidatët që nuk kanë dhënë Gjuhën dhe Matematikën

Në rastet ku komisioni i posaçëm në MASH, për njehsimin e diplomave të shkollës së mesme të fituar jashtë vendit, vlerëson shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe kërkojnë të vijojnë studimet në IAL publike dhe private, nuk kanë dhënë provimet të një vlefshme të Maturës Shtetërore, të japin si provime të detyruara gjuhën shqipe dhe letërsinë (ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje e konceptuar sipas standardit të testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë) dhe Matematikës, si dhe provimet me zgjedhje. Në këtë rast, komisioni i posaçëm përllogarit notën mesatare të shkollës së mesme. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit dhe kanë dhënë provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, komisioni i posaçëm duhet: Të përllogarisë notën mesatare, të ekuivalentojë me shifër dhe fjalë notat e provimeve të detyruara. Në rastet kur vlerësohet se shtetasit shqiptar i kanë kryer të gjitha detyrimet e Maturës Shtetërore ose kanë dhënë provime pranimi për në Universitete ose shkollat e larta jo universitare të vendit nga kua i vjen, Komisioni i Posaçëm duhet:

Të llogarisë notën mesatare

Të ekuivalentojë me shifër dhe me fjalë notat e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje dhe të përcjellë dokumentet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve.

Comments are closed.