Spitalet, kostot për shërbimet shëndetësore

Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana: Protokollet e mjekimit, me kostot reale të shërbimeve

Të dhënat e para të ISKSH-së: Synojmë të lidhim pagesën e spitaleve me shërbimin ndaj pacientëve. Kostoja mesatare për Shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme, për Shërbimin e Obstetri-Gjinekologjisë, për Shërbimin e Patologjisë dhe për Pediatrinë e Përgjithshme

Për një protokoll mjekimi në një shërbim të caktuar në spitale, pacientët duhet të paguajnë një kosto të llogaritur më parë. Aktualisht, ISKSH ka llogaritur kostot për katër shërbime kryesore; kirurgji, gjinekologji-obstetri, patologji dhe pediatri. Por këto kosto ndryshojnë nga spitalet rajonale, në raport me ato bashkiake. Në këto të fundit, pacientët, edhe pse marrin një shërbim jo shumë cilësor, paguajnë më shumë. Në një prononcim për mediat, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, u shpreh se ka ardhur koha që protokollet e mjekimit që po hartohen për spitalet, të bazohen në kostot reale të shërbimeve mjekësore. “Pas një pune 3-vjeçare të ISKSH-së për matjen e kostove të disa shërbimeve kryesore, mendojmë se ka ardhur koha të gjenden zgjidhjet për ndryshimin e mënyrës së financimit në spitale, duke u bazuar në protokollet që po hartohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe aktorët e tjerë, të cilat duhet të bazohen në kostot reale të shërbimeve”,- tha Hana. Në zbatim të reformës në shërbimin shëndetësor parësor, tha Hana, ISKSH-ja ka kontaktuar me ofruesit e shërbimeve duke marrë informacion real mbi gjendjen aktuale, duke iniciuar ngritjen e strukturave të reja administrative, plotësimin e tyre me personel të kualifikuar si: (qendra e kostos, qendra e përpunimit të të dhënave statistikore, ngritja e zyrës se informacionit dhe recepsionit). “Në funksion të marrjes dhe përpunimit elektronik të të dhënave të pacientit, ISKSH-ja ndërtoi softin kompjuterik të llogaritjes së kostos, sipas shërbimeve mjekësore dhe diagnozave, duke e instaluar në 39 spitale të kontraktuara, duke realizuar për herë të parë përpunimin e të dhënave të kartelës së pacientit në mënyrë elektronike”,- tha drejtoresha e ISKSH-së. Më tej, ajo shtoi se pas një pune tepër intensive, për herë të parë është bërë e mundur llogaritja e kostove dhe të treguesve tekniko-ekonomikë, indikatorëve të vlerësimit të performancës në shërbimet spitalore në 6-mujorin e parë 2011, të spitaleve të kontraktuara. Kështu, disa tregues të llogaritur janë:

– Kosto mesatare për rast.

– Kosto mesatare për rast, për 4 shërbime kryesore që zënë pjesën kryesore në totalin e shpenzimeve te aktivitetit spitalor, si, (Kirurgji, Gjinekologji-Obstetrikë, Pediatri dhe Patologji).

– Kosto mesatare per diagnoze sipas klasifikimit ndërkombëtar ICD 9.

– Kosto mesatare për ditë qëndrimi.

– Koston e plote për shërbimet mbështetëse (laborator, imazheri, urgjencë, etj).

– Treguesit mbi ditë-qëndrimin mesatar të pacienteve në spitale, sipas shërbimeve të ofruara.

– Përcaktimin dhe kostifikimin e diagnozave më frekuente (në spitalet e qarkut dhe bashkive).

  Indikatorët e performancës

Një ndër synimet e ISKSH-së, në zbatim të reformës në shërbimet spitalore është dhe përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve të ofruesve që kanë kontrata me ISKSH-në. “Prej tre vitesh në kontratat tona me ofruesin, kemi aplikuar indikatorë për të vlerësuar performancën e shërbimeve spitalore. Këto lloj indikatorësh janë në përputhje me standardet e aplikuara sot, në vendet europiane. Në të ardhmen, synimi i ISKSH-së është lidhja e metodave të financimit të Spitaleve me ofrimin e paketave të shërbimit dhe realizimin të indikatorëve të performancës, si një mekanizëm, i cili do të ndikojë në sigurimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit mjekësor ndaj pacientit”,- përfundoi drejtoresha e ISKSH-së.

Box

Kostot për shërbimet kryesore

Kosto për 4 shërbimet më kryesore – (spitale bashkiake):

Kosto mesatare/ rast në Shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme është 55 000/ lekë.

Kosto mesatare/ rast në Shërbimin e Obstetri-Gjinekologjisë është 37.3 000/ lekë

– Kosto mesatare /rast në Shërbimin e Patologjisë / është 48.1 000/ lekë.

Kosto mesatare/ rast në Shërbimin e Pediatrisë së Përgjithshme është 34. 000/ lekë.

Kosto për 4 shërbimet kryesore – spitalet e qarkut

Kosto mesatare/ rast ne shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme është 46.8 000/ lekë.

Kosto mesatare/ rast në Shërbimin e Obstetri-Gjinekologjisë është 34.000 /lekë.

Kosto mesatare për rast në Shërbimin e Patologjisë është 37.000/ lekë.

Kosto mesatare/ rast në Shërbimin e Pediatrisë së Përgjithshme është 32.8 000/ lekë.

Comments are closed.