“Statusi i invalidit”, Ksera: Ligji është integral, nuk diskriminon invalidët

Ministri i Punës, Spiro Ksera gjatë fjalës në parlament theksoi se qeveria shqiptare e konsideron çështjen e aftësië së kufizuar, prioritet kryesor dhe të drejtat e tyre i trajton në kuadrin e të drejtave të njeriut. Po ashtu ai deklaroi se ligji është integral dhe nuk diskriminon invalidët. “Gjatë viteve të fundit në sektorin e aftësisë së kufizur zhvillojnë aktivitetin e tyre një sërë organizatash. Kjo ka bërë që në një hark kohor të shkurtër, qeveria të realizojë transformime ligjore të tilla, kuadri ligjor u mbështet edhe me buxhetin përkatës. Synohet të përgatitet një ligj integral për kategoritë e aftësisë së kufizuar. Pagesa ka nisur në vitin 1993, në vazhdim u miratuan statuse ligjore të veçanta, ligji për statusin e të verbrit, ligji për statusin paraplegjik dhe tetraplegjik. Ligjet janë rregulluar në vite, ato sigurojnë asistencë të veçantë. Gjithashtu komisionet e ngritura për të vlerësuar statusin e personave me aftësi të kufizuar kanë udhëzime selektive për paaftësinë. Qëndrimi i mbajtur mbështetet në qasjet mjekësore ndaj aftësive të kufizuara. Kombinimi i këtyre fakteve sjell ndryshim të madh në mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuar”, u shpreh ministri. Ndërsa deputetja e PS-së, Valentina Leskaj ka deklaruar se me këtë ligj shpërfillen invalidët. “Sot po tjetërsoni një të drejtë të fituar me ligj, nisma juaj është antikushtetuese”, tha ajo. Sipas Leskaj, Presidenti nuk duhet ta dekretojë këtë nismë. Në seancën e sotme parlamentare po diskutohen për dy pr/ligje të fushës sociale “Për statusin e të verbrit” dhe “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik’. Këto të fundit kundërshtohen nga shoqata e personave me aftësi të kufizuar, të cilët kanë paralajmëruar sot dhe një protestë para selisë së parlamentit. Ndërkohë që një përfaqësi e të verbërve ndodhet në seancën plenare pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi dhe pasi kryetarja e Kuvendit pranoi për hyrjen e tyre në sallë.

Comments are closed.