Statusi, Rama: Të nxitet procesi i reformave

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar , theksoi se është e domosdoshme nxitja e procesit të reformave që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Duke u ndalur tek Gjykata Administrative, kreu socialist nënvizoi se kjo gjykatë është sfidë e madhe, e cila duhet të ndahet me ekspertë të huaj, komunitetin e juristëve dhe komunitetin e biznesit pa dyshim. Në këtë drejtim ai shtoi se komuniteti i biznesit duhet bërë patjetër pjesë e diskutimeve në komisionin e ligjeve. Kreu i PS-së, është ndaluar edhe në heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, ku theksoi se kjo është çështje prioritare dhe se opozita ka shprehur publikisht qëndrimin e saj, por as kjo nuk mund të jetë e shkëputur nga një vizion tërësor mbi reformën në drejtësi. “Zgjedhja është e qartë, drejtësia një shërbim publik të jepet sipas ligjit dhe jo sipas mundësisë për ta blerë atë. Pushteti i sotëm ka zgjedhur që ato të ofrohen sipas mundësisë për ti blerë, ne jemi të vendosur për të kundërtën. Përpjekja e pushtetit të sotëm për të ulur debatin publik dhe për ta kthyer ballafaqimin politik në një ballafaqim konliktual bazuar vetëm në shpifje e deformime, sharje e fyerje për opozitën nuk mund të bëhet në asnjë rast e për asnjë arsye pjesë e agjendës sonë të komunikimit publik. Duhet të komunikojmë intensivisht përditë e më shumë me shqiptarët, me çdo familje të zakonshme të këtij vendi, me çdo faktor të qeverisë për të bërë më të qartë rrugën ku ne dëshirojmë që Shqipëria të hyjë për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Evropian”, vijoi gjithashtu kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Comments are closed.