Studentët e arteve, “rrëfime nga vendi i shqiponjave”

“Rrëfime nga vendi i shqiponjave” është motoja që ka bashkuar një grup studentësh të Universitetit të Arteve në një ekspozitë me punime në grafikë dhe skulpturë në Galerinë e Vogël në Tiranë. Punët përpiqen të flasin për situata të caktuar të së shkuarës apo të tashmes duke pasur në qëndër fenomene ngacmuese për artistët e rinj. “Janë elemente shqiptare që vijnë në mënyra të ndryshme. Secili nga ne ka sjellë diçka nga frymëzimi i tij, ka sjellë punë të ndryshme e cila na bashkon me vendin tonë”, thotë studenti Ledian Roçi. “Ornamentet  kostumografisë tonë janë aq të bukura siç është një trup femre aq femëror. Është lënë shumë pas dore nga të rinjtë e sotëm dhe nuk e njohin mjaft mirë kostumografinë tonë që është veçanërisht shumë e bukur”, u shpreh Zana Rropulli, studente.  “Në të kundër të asaj çfarë bën politika, mundohet ti trajtojë pak ftohtë gjërat. Kurse kjo është aspirata e vetë popullit tonë që e tregon qartë dëshirën për të qenë ikonë”, thotë Andi Xhema, student. Ekspozita e cila solli mediume dhe forma të ndryshme synon që të vërë në pah talentin që spikat nga këta 10 studentë. Kuratori i ekspozitës Genc Mulliqi i ka zgjedhur këto krijime më së shumti për idetë origjinale të secilit.