Studimet jashtë vendit, kriteret për bursë

Speciale/ Ministria e Arsimit dhe Shkencës: Kandidatët që mund të aplikojnë për çdo program

Procedura e aplikimit për studime të pjesshme në nivelin Bachelor dhe Master, në studimet pasuniversitare ose në fushën e kërkimit, në Doktoraturë, në program të plotë dhe të pjesshëm, vizita kërkimore dhe kurse verore. Dokumentet dhe afatet për aplikim

Të gjithë kandidatët që duan të përfitojnë bursa studimi jashtë vendit duhet të plotësojnë dosjen me dokumentet e kërkuara, si dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara për t’u listuar si fitues. Kështu, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njofton se “qeveria hungareze ofron bursa studimi universitare, pasuniversitare ose në fushën e kërkimit, si dhe bursa për kurse vere, në universitetet publike të Hungarisë. Sipas MASH-it, Ambasada Hungareze në Tiranë njofton se është shpallur programi i bursave për shtetasit e huaj, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet universitare, pasuniversitare, ose në fushën e kërkimit, si dhe në kurse vere pranë Universiteteve Publike të Hungarisë, për vitin shkollor 2012-2013, për kategoritë si: studime të pjesshme në nivelin Bachelor dhe Master (3-10 muaj); studime pasuniversitare ose në fushën e kërkimit (3-21 ditë ose 1-10 muaj); studime në Doktorature (PHD,) program i plotë ( 36 muaj); studime në Doktorature (PHD, program i pjesshëm 1-12 muaj); studime në postdoktoraturë dhe në fushën e kërkimit (1-10 muaj, vizita kërkimore (3-21 ditë, ose 1-10 muaj), si dhe kurse vere (2-4 javë).

Studime të pjesshme në nivelin Bachelor dhe Master (3-10 muaj)

Për këto bursa mund të aplikojnë studentë të nivelit të parë (Bachelor) ose studentë të Nivelit të Dytë (Master), për programe të ndryshme studimi. Për këto lloj studimesh, preferohen studentë që studiojnë ose punojnë në fushën e gjuhës dhe të letërsisë hungareze ose studentë të regjistruar në programet e studimit: mjekësi e përgjithshme, stomatologji, farmakologji, veterinari, arkitekturë dhe drejtësi. Kërkohet që kandidatët e interesuar të kenë përfunduar të paktën 2 semestra në institucionet e arsimit të lartë të vendit të tyre. Mosha e rekomanduar duhet të jetë deri 30 vjeç.

Studime pasuniversitare ose në fushën e kërkimit (3-21 ditë ose 1-10 muaj)

Për këtë kategori bursash të gjithë të interesuarit duhet të jenë të pajisur me një diplomë të nivelit Master. Gjithashtu, aplikantë që janë në vazhdim të studimeve rekomandohen në programin e Doktoraturës, por që dëshirojnë të kryejnë kërkime për tezën e studimit në PhD. Studentët që përfshihen në këtë nivel studimi, nuk përfitojnë kredite. Mosha e rekomanduar është deri në 40 vjeç.

Studime në Doktoraturë (PHD) program i plotë (36 muaj)

Për këtë lloj programi mund të aplikojnë vetëm studentë që zotërojnë gjuhën Hungareze. Bursa jepet me kusht për ata kandidatë që i nënshtrohen provimit para pranimit në universitet për programin PhD. Mosha e rekomanduar është deri në 35 vjeç.

Studime në Doktoraturë (PHD, program i pjesshëm 1-12 muaj)

 

Në këtë grup mund të aplikojnë vetëm ata studentë që janë të regjistruar për programin e doktoraturës në universitete të akredituara të vendit të tyre, ose në një vend tjetër të huaj, por jo në Hungari. Aplikantët nuk duhet të jenë më shumë se 35 vjeç.

Studime në postdoktoraturë dhe në fushën e kërkimit (1-10 muaj)

Aplikantët duhet te kenë titullin Doktor ose një gradë të barasvlershme. Mosha e rekomanduar është deri më 45 vjeç.

Vizita kërkimore (3-21 ditë, ose 1-10 muaj)

Aplikantët duhet të jenë asistentë profesorë, profesorë ose kërkues të nivelit të lartë dhe të kenë minimalisht titullin “Doktor i Shkencave”.

Kurse vere (2-4 javë)

Nga ana e kandidatëve mund të aplikohet deri në 3 (tre) kurse referuar listës së Bordit Hungarez të Bursave “Summer Courses 2012”. Ndërsa bursa akordohet vetëm për një kurs. Lista e kurseve që mbulohen me bursë gjendet në faqen www.scholarship.hu. Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve dhe dokumentacionit me postë dhe e-mail është data 26 prill 2012. Për një informacion më të detajuar për mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, si dhe të regjistrimit përkatës online referojuni adresës së mëposhtme: Balassi Institute, HSB Office; 1519 Budapest, Pf. 385; Phone: +36 1 384 9009; Fax: +36 1 343 6489; web-site: www.scholarship.hu

 

E drejtë studimi për programin Master në Studime Europiane, Hungari

Qendra e Studimeve Europiane, pranë Fakultetit të Ligjit në Universitetin Szeged (Hungari), ofron të drejtë studimi në Programin Mater në Studime Europiane për studentët e interesuar frëngjishtfolës të Europës Lindore dhe Qendrore. Ky program studimi është dy-vjeçar. Qendra për Studime Evropiane është e lidhur përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit me Institutin e Studimeve Politike të Lilas (Francë) dhe Universitetit të Louvain-la-Neuve (BELGJIKË) dhe ka partneritet me universitetet e tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, një në Universitetin e Bukureshtit (Rumani), Universiteti i Timishoara (Rumani), Universiteti i Lodz (Poloni), etj. Kjo qendër është e mirënjohur për aktivitetet e veprimtaritë ndërkombëtare që zhvillon dhe për mundësinë që ofron për Master të njohur në nivel europian, në gjuhën franceze. Masteri në Studime Europiane ofron mundësi diplomimi të dyfishtë. Pra, me të njëjtin program masteri, studentët do të mund të pajisen me diplomë masteri edhe nga Instituti i mirënjohur i Lilës në Francë. Ndërsa nga Universiteti tjetër partner, atij të Louvain-la-Neuve, vijnë profesorë të shquar për të drejtuar kurse të programit gjatë kohëzgjatjes së masterit. Qëllimi i këtij programi është që të sigurojë një qasje multidisiplinore për çështjet evropiane duke kombinuar aspektet historike, ekonomike, ligjore dhe politike. Studentët do të fitojnë një pamje të plotë të integrimit evropian, zhvillimin e saj dhe politikat e saj, duke thelluar karakterin specifik dhe identitetin në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Kriteret për aplikim

Çdo qytetar i interesuar për ndjekjen e këtij programi studimi, i cili zotëron diplomë Bachelor (me 180 kredite) ose një diplomë ekuivalente me të, sipas ligjit, në degët drejtësi, shkenca politike, në fushën administrative, ekonomike dhe sociale, studime ndërkombëtare, ekonomi, shkenca humane ose me përvojë profesionale të vlefshme, mund të paraqesë kërkesën pranë institucionit, shoqëruar edhe me një letër përcjellëse. Më pas, për vlerësimin e aftësive linguistike në gjuhën franceze, kandidatët do i nënshtrohen një interviste. Tarifa e studimit pranë këtij masteri është 300 000 FT për semestër. Ky kurs përgatit studentë për ndërtimin e një karriere evropiane në profesione si jurist evropian, këshilltarë/ekspertë evropianë, për ata që duan të kryejnë aktivitetet ndërkombëtare apo në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, në kompanitë private si në OJQ, në ndërkombëtare apo organizatave evropiane, apo në shërbimin publik etj. Për informacione më të plota, lutem konsultohuni me faqen zyrtare të internetit në: http://www.masteretudeeuropeenne.eu.

Dokumentet që duhet të paraqesin të interesuarit

Të interesuarit duhet të paraqesin dokumentet e poshtëshënuara:

Një letër motivuese aplikimin;

CV të detajuar;

– Formularin e regjistrimit të plotësuar dhe të nënshkruar;

– Transkriptet ose formacionin profesional;

– Në rast se kandidati nuk ka ende transkriptin përfundimtar, duhet të paraqesë një letër konfidenciale mirënjohjeje të menaxherit të vitit të kaluar të kursit, duke detajuar aftësitë e kandidatit për të ndjekur studimet;

– Dy letra rekomandimi nga dy profesorë;

– Një certifikatë njohurie në nivelin B2 për gjuhën franceze. Përndryshe, aftësitë në gjuhën frënge do të vlerësohet gjatë intervistës. Këto dokumente duhet të dërgohen para datë 13 prill 2012, përmes postës në adresën: Ministria e Arsimit dhe Shkencës; Rruga e Durrësit Nr. 23, AL 1001, Tiranë.

Bursa për studime universitare në Republikën Sllovake

Në bazë të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit në fushën e arsimit, qeveria e Republikës së Sllovakisë ofron një bursë studimi universitare në nivel Bachelor/ Master për shtetas shqiptarë që dëshirojnë të studiojnë në institucionet shtetërore të arsimit të lartë të Republikës së Sllovakisë, për vitin akademik 2012-2013.

Fushat e studimit, në të cilat ofrohet kjo bursë janë:

1. Biznes dhe administrim;

2. Shkenca fizike;

3. Ekologji dhe shkenca mjedisore;

4. Arkitekturë dhe Inxhinieria;

5. Inxhinieria e Ndërtimit, manufakturë dhe komunikim;

6. Agrikulturë;

7. Pylltari;

8. Veterinari;

9. Menaxhimi i ujit;

10. Shkenca mjekësore;

11. Kirurgji dentare;

12. Shkenca Farmaceutike;

13. Shkenca shëndetësore jo-mjekësore

Dokumentet që duhen paraqitur

Të interesuarit për këto bursa studimi duhet të dërgojnë me postë deri më datë 20.04.2012 në Drejtorinë e Integrimit Europian në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dokumentet e mëposhtme:

1. Formulari i plotësuar i kandidatit me një fotografi me ngjyra;

2. Kërkesën për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë. Në kërkesë të jepet një adresë kontakti e-maili dhe numër telefoni;

3. Vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria/Zyra Arsimore e rrethit përkatës;

3. Fotokopjen e kartës së identitetit;

4. Fotokopjen e pasaportës;

5. Raportin mjekësor për aftësi studimesh;

Kushtet për fitimin e bursës, përshkrimi i detajuar i degëve studimore dhe formularët e aplikimit gjenden në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Sllovakisë: www.minedu.sk; www.studyin.sk; www.portalvs.sk.

 OSMAN DEDJA