Sulmi në Afganistan, Nën/tetar Peçi në gjendje të mirë shëndetësore

Nga Spitali Ushtarak Amerikan, në zonën e Landstuhlit të Gjermanisë, Nën/tetar Aleksandër Peçi vazhdon të përcjellë për miqtë e të afërmit lajme të mira dhe foto ku duket qartë se gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar nga dita në ditë. Kjo tregon që gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm, por ende nuk ka një lajm zyrtar se kur ai mund të vijë në Shqipëri.

Në dy fotot e publikuara në faqet e tij zyrtare të rrjetit social të Facebook-ut, njëra tregon situatën e rëndë shëndetësore, në të cilën ka qenë më parë Nën/tetar Peçi, që nuk është një foto shumë optimiste, ndërsa në fotot e tjera tregon se ai tashmë mund të qëndrojë edhe në këmbë dhe të pozojë me miqtë e tij. Gjatë këtyre ditëve, ai ka pritur e përcjellë në këtë spital mjaft shqiptarë, të cilët i kanë dhënë atij përkrahje dhe mbështetje për ta përballuar situatën e rëndë shëndetësore. Në fotot ku ai duket më mirë më shëndet, miqtë e tij i kanë uruar mirëseardhjen në Shqipëri, por komenti i Peçit ka qenë se as ai vetë nuk e di se kur do të kthehet në atdhe.