Supersfida e çerekfinales së Champions, Milan përballë Barcelonës

Shorti i hedhur mesditën e sotme në Nion të Zvicrës, vendosi që supersfida e çerekfinales së Champions, të jetë Milan-Barcelona. Të dy ekipet u përballën më parë edhe në fazën e grupeve, me italianët që barazuan 2-2 në “Camp Nou”, përpara se të humbnin me rezultatin 1-3 në fushën e tyre. Pas ndeshjeve të 1/8 së finales, në çerekfinale të garës më të madhe evropiane për klube janë kualifikuar: Real Madridi, Barcelona, Chelsea, Milani, Bayern Munichu, Marseille, APOEL-i dhe Benfica. Ndërkohë që shorti mund të konsiderohet me fat për tre ekipet e tjera të mëdha të përfshira në garë, të cilat nuk u përplasën me njëri-tjetrin, por me “surprizat” e mbërritura deri në tetëshe. Shorti përcaktoi edhe rrugën e skuadrave drejt gjysmëfinaleve. Kështu, fituesja e Milan-Barcelona do të përballet me fituesen e Chelsea-Benfica. Kjo do të thotë se në gjysmëfinalen e dytë, është i mundur një çift potencial midis Real e Bayern. Sfidat e para çerekfinale do të zhvillohen me 27 dhe 28 mars, ndërsa ndeshjet kthyese më 3 dhe 4 prill. Takimet e para gjysmëfinale (Marseille/Bayern – APOEL/Real Madrid dhe Benfica/Chelsea – Milan/Barcelona) do të zhvillohen më 17 dhe 18 prill, ndërsa përballjet kthyese më 24 dhe 25 prill. Finalja e këtij edicioni do të zhvillohet në “Allianz Arena”, në Mynih, në datën 19 maj. Tërheqjen e shortit e ka bërë sekretari gjeneral i UEFA-s, Gianni Infantino dhe ambasadori i takimit final, Paul Breitner.

Sfidat çerekfinale

1. APOEL Nicosia-Real Madrid

2. Marseille-Bayern Munchen

3. Benfica-Chelsea

4. Milan-Barcelona

Shorti i gjysmëfinaleve

Fituesja 3-Fituesja 4

Fituesja 1-Fituesja 2