Tadiç: Hapat e mëtejmë të dialogut, përcaktues në anëtarësimin e Serbisë në BE

Presidenti serb, Boris Tadiç ka vlerësuar se data e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE ka gjasa të caktohet deri në fund të këtij viti, por kjo varet më së shumti nga hapat e mëtejmë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. “Ajo varet nga aftësia e Serbisë për të bërë hapat e mëtejmë në dialog me Prishtinën. Kriteret janë të përcaktuara qartë dhe kanë të bëjnë më së shumti me telekomunikacionin dhe energjetikën, si dhe me sistemin e drejtësisë. Kemi kornizat e qarta për qasjen në dialog. Kemi ofruar edhe një plan katërpikësh, i cili është i qartë dhe mund t’i zgjidhë të gjitha problemet, edhe të ardhmen e dialogut për çështje teknike”, ka deklaruar Tadiç, pas takimit me presidentin austriak, Heinz Fischer. Po ashtu, Tadiç ka theksuar se është veçanërisht i rëndësishëm fakti që Serbia ka një plan të qartë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe se propozimin e saj ia ka paraqitur bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk ka pasur reagime negative. “Besoj se pas zgjedhjeve do të krijohen rrethana të reja sa i përket qasjes së dialogut lidhur me zgjidhjen e problemit të Kosovës. Ky problem duhet zgjidhur me besimin se mund të gjendet një zgjidhje funksionale dhe mbrojtja e interesave evropiane, ngaqë Serbia dhe Kosova janë në Evropë dhe cilido lloj jostabiliteti ka pasoja në kontinent”, tha ai. Ndër të tjera Tadiç theksoi se Kosova është e vetmja pikë mospajtimi mes Serbisë dhe Austrisë. Serbia ka të drejtën e plotë që të mbrojë integritetin e saj territorial me rrugë paqësore dhe diplomatike. Fischer mbështet Serbinë në rrugën e saj integruese, duke theksuar se është përparim në dialog, sidomos me marrëveshjen e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale.

Comments are closed.