Tafaj: 80 për qind e nxënësve që kanë mbaruar arsimin profesional janë të punësuar

Ministri Tafaj, në Panairin Ndërkombëtar të Shkollave të Mesme Ekonomike

Në Tiranë është çelur për herë të parë një panair i shkollave të mesme profesionale ekonomike, jo vetëm nga vendi ynë, por edhe nga 5 shtete të tjera të rajonit. Të pranishëm në këtë panair kanë qenë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, dhe Ambasadori austriak, Florian Rauning. Pas falënderimeve për përfaqësuesit më të lartë austriakë, ministri Tafaj theksoi se ky panair i shkëlqyer është një ngjarje për shkollat ekonomikë dhe mësuesit e tyre, për arsimin profesional si sfidë kryesore e arsimit. “Ne duhet të bëjmë shumë më tepër, të investojmë shumë më tepër, që ai të zhvillohet shumë më shpejt. Në mënyrë të veçantë, tani, me kalimin e krizës ekonomike financiare, në mbarë botën, po shihet me shumë vëmendje roli i zhvillimit të arsimit dhe formimit profesional në rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë. Mjaft vende, madje dhe nga më të fuqishmet, janë kthyer dhe po studiojnë me vëmendje modelin dual për ta përshtatur atë me kushtet e tanishme dhe të zhvillimit të ekonomisë në tërësi dhe arsimit në mënyrë të veçantë. Ne kemi fatin e madh që bashkëpunojmë me shumë partnerë dhe, në mënyrë të veçantë, me qeverinë austriake, e cila që prej viteve ‘90-të e në vazhdim, ka mbështetur fuqishëm arsimin profesional”,- tha Tafaj. Ministri Tafaj ftoi nxënësit e klasave të 9-a dhe prindërit e tyre të mendojnë dhe të zgjedhin arsimin e mesëm profesional, me qëllimin që kur nxënësit të jenë në moshën 18-19 vjeç, do të kenë mësuar një profesion, do të jenë aftësuar për tregun e punës dhe do ta kenë më të lehtë për të vazhduar shkollën e lartë. “Sot, 80 për qind e nxënësve që kanë mbaruar shkollat profesionale në Shqipëri, janë të punësuar. Nxënësit e viteve të 4-a në shkollat e mesme turistike në të gjitha rrethet e Shqipërisë, janë të gjithë në punë. Ne po investojmë për arsimin profesional, po ndërtojmë 7 shkolla të reja profesionale që e rrisim kapacitetin me 15 për qind në sistem. Kemi një rrjet konviktesh që u vihet në dispozicion nxënësve të zonave të thella, gjithashtu kemi një paketë bursash për nxënësit e arsimit profesional. Më e rëndësishmja është se për shkollat profesionale po përkthejmë tekstet më të mira të shkollave të huaja, programet po përmirësohen dhe po orientohen më mire për tregun e punës”,- u shpreh ministri i Arsimit dhe Shkencës. Në përfundim, Tafaj theksoi se me mbështetjen e partnerëve, qeveritë austriake, gjermane, zvicerane, italiane, holandeze dhe shumë partnerëve të tjerë po riorientojmë drejt tregut të punës për të realizuar një kualitet shumë të mirë të nxënësve për punësim.

Comments are closed.