Tafaj: Nuk ka treg për të diplomuarit

Problemet që shfaqen në arsimin profesional

Ndonëse para një viti është miratuar ligji për arsimin profesional, ky lloj arsimi vazhdon të shfaqë probleme të mëdha. Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka pranuar se shqetësimi kryesor lidhet më faktin se nxënësit shqiptarë që mbarojnë arsimin profesional, nuk arrijnë të gjejnë një vend pune, ndërkohë që dhe sektori privat nuk i përkrah ata. “Së pari, Shqipëria nuk shquhet për një traditë të pasur në arsimin dhe formimin profesional. Pra, nuk ka trashëguar një traditë të tillë, tregu i punës në Shqipëri nuk është një treg, i cili e stimulon realisht arsimin profesional. Sektori privat, për shkak se ne dilnim nga një ekonomi e centralizuar, edhe ai vetë filloj të zhvillohej. Pas arsimit profesional, ende nuk është krejt i vetëdijshëm për rolin parësor që ka në zhvillimin e arsimit profesional”,- tha Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit. Një ngërç tjetër, u shpreh Tafaj, ka sjellë edhe integrimi i sistemit të Bolonjës në arsimin e lartë. Nxënësit e shkollave të mesme vendosen përpara një dileme, se midis cilit sistem të përzgjedhin për të ardhmen e tyre. “Futja e Bachelor-it 3-vjeçar, sigurisht, si në të gjitha vendet e tjera, edhe në Shqipëri, ka shkaktuar një lloj dileme, që do të thotë: Nëse unë mbaroj një shkollë profesionale 4-vjeçare dhe kam përfunduar për teknikë, po kam bërë dhe një maturë dhe çfarë përfitoj më shumë me një Bachelor, ose duhet të preferoj më tepër gjimnazin dhe Bachelor dhe kursej 2 vjet më shumë, ndërkohë që matura e arsimit profesional më kushton 4 vjet”,- tha Tafaj. Sipas statistikave zyrtare që raportojnë zyrtarët, regjistrimet në arsimin profesional janë rritur me 10 për qind, krahasuar me dy vite më parë. Ndërkohë, një sfidë tjetër në këtë arsim, është dhe modernizmi i infrastrukturës, ndërkohë që pritet ndërtimi i 5 shkollave të reja profesionale.