Categories
Ekonomi

Paga minimale në Shqipëri, më e ulëta në Europë

Paga minimale në Shqipëri është 211 euro, ndërsa në Maqedoni 240 euro, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen janarit 2019. Por, ndonëse në vlerë absolute, paga minimale në Shqipëri është sa 89% e asaj në Maqedoni, një individ me një pagë minimale në Shqipëri, mund të blejë vetëm sa 75% e volumeve të mallrave dhe shërbimeve që blihen në Maqedoni.

Shqipëria ka jo vetëm pagën më të ulët në rajon dhe BE në vlerë absolute, por sidomos diferenca është shumë e lartë sipas Standardeve të Fuqisë Blerëse, një njësi e Bashkimit Europian, që bën të mundur krahasimin midis shteteve, duke eliminuar diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve dhe duke matur sa njësi mallrash e shërbimesh mund të blesh për të njëjtën vlerë parash.

Ata që paguhen me pagë minimale në vendin tonë, blejnë më pak volume të mallrave dhe shërbimeve edhe se më pak të paguarit e rajonit. Kjo nënkupton se paraja ka shumë më pak vlerë në Shqipëri, për shkak të çmimeve të larta të produkteve në raport me të ardhurat.

Eurostat ka përllogaritur nivelin e pagave minimum në vendet e Bashkimit Europian, vendeve kandidate, si dhe Turqisë dhe ShBA-së, duke u bazuar në Standardin e Fuqisë Blerëse PPS.

Në 2019-n një shqiptar me pagë minimale, të përcaktuar sipas ligjit, merr në fund të muajit 389 PPS. Paga minimale në Shqipëri shprehur me Standardin e Fuqisë Blerës është sa 75% pagës minimale në Maqedoninë e Veriut.

Me metodën e Standardit të Fuqisë Blerëse, paga minimale në Maqedoninë e Veriut përllogaritet rreth 509 PPS në muaj, në Malin e Zi 525 PPS në muaj, ndërsa në Serbi 578 PPS në muaj.

Sipas fuqisë blerëse, Turqia ka një pagë minimale rreth 3 herë më të madhe se Shqipëria. Eurostat ka llogaritur se paga minimale në Turqi është 1,177 PPS në muaj. Kjo do të thotë se me pagën minimale në Turqi mund të blesh tre herë më shumë volume mallrash dhe shërbimesh. Paga minimale në Turqi është 422 euro, pra dyfish sa ajo e Shqipërisë në vlerë absolute, por që realisht vlen tre herë më shumë.

Eurostat i ka grupuar në 3 grupe të mëdha vendet anëtare të Bashkimit Europian sipas nivelit të pagës minimale.

Në grupin e parë janë përfshirë vendet me pagë minimale të ulët. Bullgaria ka pagën më të ulët ndër vendet anëtare, me 577 PPS në muaj. Më pas renditet Letonia me 591 PPS, Estonia me 691 PPS, Çekia me 743, Sllovakia dhe Kroacia me 745 PPS dhe  Hungaria me 765 PPS në muaj.

Në grupin e dytë paga minimale varion nga 800-933 PPS në muaj. Në këtë grup përfshihen vendet si Greqia, Portugalia, Rumania, Malta, Spanja dhe Polonia.

Në vendet me pagat më të lartë, ku sipas Eurostat varion nga 1059-1646, bëjnë pjesë vendet me industri të zhvilluar. Luksemburgu ka pagën më të lartë me 1646 PPS në muaj, e ndjekur pas nga Gjermania me 1497 PPS dhe Holanda me 1442 PPS.

Në Danimarkë, Itali, Qipro, Austri, Finlandë dhe Suedi, Eurostat ka shpjeguar se nuk ka një pagë minimale të përcaktuar nga shteti.

Standardi i Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard PPS) është një referencë artificiale e një njësie monedhe të përbashkët, e përdorur nga Bashkimi Europian, e cila eliminon diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve. Pra, njësia matëse PPS të lejon që të blesh të njëjtën sasi të mirash dhe shërbimesh në të gjitha shtetet.

Kjo njësi të jep mundësin që të krahasosh në volum indikatorët ekonomik midis shteteve. Agregatet e shprehur në PPS janë të përllogaritur duke pjesëtuar agregatin e shprehur në çmime korrente dhe në monedhën kombëtare me Barazinë e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Parity PPP).

Fakti që monedha shqiptare ka pak vlerë tregohet dhe tek të dhënat e tjera të Eurostat, për shpenzimet për ushqime. Sipas këtyre të dhënave, për Shqipërinë, shpenzimet nominale për ushqime, përbënin 31% të prodhimit e brendshëm bruto (GDP- që mat prodhimin e ekonomisë në një vit, apo dhe të ardhurat që sigurohen nga puna dhe pronat).

Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, shpenzimet për ushqime në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit janë shumë më të larta. Për mesataren e BE-së, ky tregues është vetëm 6% e GDP-së, ku më i larti është në Rumani, me 15.8% të GDP-së dhe më i ulëti në Irlandë dhe Luksemburg me 2.7 dhe 2.6% të PBB-së.

Edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e përdorin pjesën më të madhe të parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer. Për Serbinë, ky tregues është 15.6% e GDP-së, për Maqedoninë e Veriut 19% dhe më i larti është për Bosnjën dhe Malin e Zi me përkatësisht rreth 23-24% e GDP. Për vendet kandidate dhe potenciale kandidate (pa përfshirë Kosovën dhe Turqinë), mesatarja është 19.7%.

Revista Monitor

Categories
Ekonomi

E di sa kohë të duhet të bësh 1 milion dollarë? Një austriaku, 20 vite, një shqiptari…

Këtë fillim viti kemi një arsye më shumë të gëzuar. Shqiptarëve do t’ju duhen më pak kohë për të bërë milionin e tyre të parë. Tashmë për të bërë kaq para bashkë do të duhen mesatarisht 1 shekull e 82 vite. Në vitin që lamë pas do të na duheshin plot 2 shekuj e 14 vite për të bërë 1 milionë dollar bashkë.

Por edhe pse zvogëluam vitet, përsëri Shqipëria mbetet në vendet ku individëve do t’ju duhen më shumë kohë për të qenë milionerë.

Bazuar mbi të dhënat për pagën mesatare në Shqipëri nga INSTAT dhe të dhënat për shtetet e tjera nga UNECE, Monitor përllogariti se sa kohë do të duhej mesatarisht për të bërë 1 milionë dollarë.

Një milion dollarë bëhen më shpejt në Luksemburg, në Zvicër dhe Islandë, ku duhen mesatarisht 16 vite. Në ndryshim nga një vit më parë, koha mesatare në Zvicër për të bërë një milion dollarë ishte 11.3 vite.

Më pas renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 17 vite, Holanda dhe Danimarka me përkatësisht 19 vite.

Në Austri dhe Belgjikë duhen rreth 20 vite për të bërë 1 milionë dollarë.

Në shtetin gjerman, me pagën mesatare, 1 milion dollarë mund të bëhen për 21 vite, ndërsa në Francë dhe në Angli do të duhen rreth 23 vite. Kurse në Itali, do të duhen mesatarisht 27 vite dhe Greqi 38 vite.

Më shumë kohë për të realizuar milionin e parë duhen në vendet e lindjes. Në vendet baltike duhen rreth 41 vite.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, Rumania dhe Bullgaria kërkon më shumë kohë për të bërë një milion dollarë. Në Rumani duhen afërsisht 75 vite, ndërsa në Bullgari 1 shekull e 26 vite.

Shqipëria renditet e parafundit në listën e shteteve të marra në shqyrtim.

Në vend të fundit është Armenia, ku krahasuar me një vit më parë një individi do t’i duhen 2 shekuj e 39 vite nga 2 shekuj e 15 vite.

Categories
Bota Ekonomi

Afrika zgjohet, krijohet zona më e madhe e lirë ekonomike në botë

Parlamentet e Afrikës së Jugut dhe Togos ratifikuan këtë muaj marrëveshjen për krijimin e Zonës Afariste Tregtare të Lirë të Afrikës (AfCFTA). Numri i përgjithshëm i vendeve që kanë pranuar marrëveshjen është rritur në 49.

Sapo të hyjë në fuqi, marrëveshja do të krijojë një kontinent pa tarifa, duke mbuluar një treg të vetëm prej 1.2 miliard njerëzve në 55 vende, me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 3 trilion dollarë.

Ajo do të përbëjë zonën më të madhe të tregtisë së lirë në nivel global, sipas Ministrit Rob Davies të Tregtisë dhe Industrisë së Afrikës së Jugut.

Marrëveshja pritet të zvogëlojë tarifat e eksportit të cilat aktualisht janë prej 6.1 për qind dhe të rrisin tregtinë intra-afrikane me më shumë se 52 për qind pasi detyrimet e importit të eliminohen.

Ekonomistët thonë se qasja pa tarifa në një treg të madh dhe të unifikuar do të inkurajojë prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve për të nxitur ekonomitë lokale.

Categories
Ekonomi

Kush janë sektorët më me fitim në ekonominë shqiptare

Tregtia është sektori nga sigurojnë fitimet pjesa më e madhe e njerëzve në vend. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, fitimet e tregtisë në vitin 2016 arritën në 66 miliardë lekë (rreth 490 milionë euro), që përbëjnë gati 40% të gjithë fitimeve të gjeneruara në ekonominë vendase. Në tregti janë të punësuar gjithsej 68 mijë persona, nga të cilët 46 mijë janë të vetëpunësuar.

Tregtia është dhe sektori që qarkullon më shumë të ardhura në vend, me rreth 904 miliardë lekë, ose gati 50% të totalit. Por, të punosh në këtë sektor nuk është dhe aq fitimprurëse në raport me shitjet totale, pasi ndonëse qarkullon shumë para, në fund të ditës vetëm pak të mbeten në xhep. Norma e fitimit në shit-blerje është 7.3%, çka do të thotë që për çdo 100 lekë të ardhura, vetëm 7.3 lekë janë fitime.

Sektori i dytë janë shërbimet, që kanë gjeneruar 30 miliardë euro fitime (225 milionë euro) dhe ku janë të punësuar 80 mijë persona. Shërbimet i “shpërblejnë” më mirë të punësuarit në këtë sektor, pasi kanë shpenzime të ulëta dhe si rrjedhojë normën e kthimit më të lartë në ekonomi, me 18.2%.

Në vend të tretë është ndërtimi, i cili ka sjellë 195 milionë euro fitime. Pas shërbimeve, ndërtimi është sektori i dytë me normën më të lartë të fitimit në ekonomi, prej 12.3%. Në ndërtim janë të punësuar 38 mijë persona.

Industria përpunuese dhe transport-komunikacioni gjeneruan përkatësisht 18.3 dhe 13.3 miliardë lekë fitime, me norma prej 8.5 dhe 9.5%.

Nga energjia u gjeneruan 8 miliardë lekë fitime, me një normë prej 6.1%.

Kthim të lartë ka dhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 11.8%, ndërsa në vlerë absolute solli 5 miliardë lekë fitime.

Sektori i vetëm me humbje 2.9 miliardë lekë është industria nxjerrëse, si rrjedhojë e faktit që kompanitë nxjerrëse të naftës nuk deklarojnë ende fitime.

Në total, fitimet në ekonomi arritën në 165 miliardë lekë, me një normë kthimi prej 8.8%. Në krahasim me një vit më parë fitimet në vlerë absolute janë rritur me 5.1%. ndërsa norma e fitimit ka shënuar një rritje fare të papërfillshme, teksa në 2015-n ishte 8.7%.

Categories
Ekonomi

Ofertat “false” të dhjetorit, çmimet e elektroshtëpiakeve janë rritur

Të gjithë ne i kemi parë ofertat joshëse të dhjetorit ku sektori i shitjeve me pakicë për pajisjet elektroshtëpiake njoftoi ulje të çmimeve shpesh herë edhe nëpërmjet reklamave televizive.

Përtej kësaj nga vëzhgimet e Monitor në qendrat kryesore tregtare në vend po edhe në dyqanet jashtë tyre u reklamuan ulje të çmimeve për, makinat larëse të enëve dhe të rrobave, televizorëve dhe kondicionerëve me rreth 20 për qind.

Por sipas matjeve të INSTAT, çmimet për këto artikuj jo vetëm që nuk janë ulur në dhjetor, por përkundrazi janë rritur më shumë se në të gjithë muajt e vitit.

Larëset e enëve dhe rrobave u shiten 4-5 % më shtrenjtë gjatë muajit dhjetor.

Sipas të dhënave të INSTAT përgjatë gjithë vitit 2017 nga janari në dhjetor çmimet elektroshtëpiakeve ishin më rënie.

Çmimet pësuan rritje të dukshme edhe për kondicionerët të nxitur nga kërkesa e fortë për shkak të temperaturave të ulta të dimrit.

Çmimet e kondicionerëve shfaqen ecuri të drejtë me zhvillimet klimaterike, duke u rritur gjatë muajve të verës maj -qershor dhe në dhjetor.

Muajt e festave të fundvitit nxisin konsumin në të gjithë botën për shkak se blerjet nxiten nga ofertat me çmime të ulta të artikujve. Por në Shqipëri blerjet me shumë së nga oferta nxitën nga një traditë që shqiptarët kanë për të shtuar diçka të re në shtëpi. Zakonisht plotësimi i nevojave me pajisje elektroshtëpiake, bëhet gjatë muajve dhjetor, teksa tregtarët duket se e shfrytëzojnë kërkesën për të fituar më shumë duke rritur çmimet.

Nga ana tjetër teknologjia po përparon me hapa të shpejtë, duke treguar se çdo vit e më shumë tendenca ndaj makinave larëse është drejt modeleve më ekonomike, që harxhojnë më pak energji, me pak ilaç dhe përballojnë volume më të mëdha pune.

Larëset e enëve, kjo pajisje, jo shumë popullore në Shqipëri më parë, ka nisur të blihet në masë. Larja e enëve zë një pjesë të madhe të kohës për gratë familjarë dhe gjithnjë e më shumë këtë proces po e zëvendësojnë me lavastoviljen.

Njësitë e pakicës pohojë se një lavastovilje që nuk është inkaso në momente ofertash shitet 25- 30 mijë lekë, nga 60 mijë e më shumë që ishte çmimi i tyre katër-pesë vite më parë. Gjithashtu të njëjtat burime pohojnë se tregu i lavatriçeve në tërësi kanë tendencë rënëse. /Monitor.al