Categories
Tech

Kafeja dhe teknologjia e lartë “Blockchain”

“Blockchain” – teknologjia që përdoret për menaxhuar dhe mbrojtur në mënyrën më të mirë dhe më të sigurtë të dhënat – njihet si motori pas monedhës dixhitale “Bitcoin”. Aktualisht, një importues amerikan po e përdor këtë teknologji për të përmirësuar jetën e fermerëve të kafesë në disa nga komunitetet më të varfëra në Amerikën Qendrore.

Ivonne Herrera ka një plantacion kafeje në kodrat mbi Santa Rosa de Lima, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit të Guatemalës.

“Do të kemi të ardhura të mira nga kafeja. Kemi investuar për këtë dhe sivjet po shohim rezultatet e dy viteve punë” , thotë ajo.

Sikurse shumica e fermerëve të kafesë në botë, Herrera e shiste kafenë në tregun ndërkombëtar të mallrave, ku blerësit bien dakort për një çmim të paracaktuar përpara se produkti të jetë gati. Kjo praktikë, ul çmimet e kafesë dhe i lë të pambrojtur prodhuesit nga luhatjet e monedhës.

Aktualisht, Herrera i shet prodhimet e saj drejtpërdrejt tek një importues amerikan kafeje me një çmim të lartë.

Sistemi në fjalë është ide e vëllezërve Paul dhe Scott Tupper, të cilët shfrytëzuan një biznes të suksesshëm të teknologjisë ‘blockchain’ në Siatëll për të zgjidhur çështjet e qëndrueshmërisë mjedisore në botën në zhvillim.

“Të apasionuarit pas kafesë apo mallrave të tjera kanë parë shtimin e standarteve dhe çertifikatave në treg, që mund të jenë çoroditëse për konsumatorët. Teknologjia ‘blockchain’ ofron një mënyrë për të verifikuar se çfarë po ndodh si nga ana financiare ashtu edhe sociale”, thotë Paul Tupper.

Teknologjia ‘blockchain’ krijon një regjistër llogarie, menaxhon dhe konfirmon transaksionet në mënyrë të verifikueshme dhe transparente nga të gjitha palët e interesuara, që nga kultivuesit e kafesë, e deri tek importuesit dhe specialistët. Kompania e dy vëllezërve beson se shumica e konsumatorëve duan të dinë nga vjen kafeja e tyre në mënyrë që të paguajnë kultivuesit e kafesë çmime që tejkalojnë madje edhe standardet e tregtisë së drejtë të kafesë.

Garantimi i çmimeve më të larta u mundëson fermerëve si Ivonne Herrera që jo vetëm të investojnë dhe mbrojnë pronat e tyre, por gjithashtu t’i paguajë më mirë punonjësit, duke rritur standardin e jetesës në komunitet.

Categories
Ekonomi Këshilla

Këshilla financiare / Mos kurseni, harxhoni ose investoni

Autori më i shitur New York Times dhe sipërmarrësi Grant Cardone i cili ka në zotërim 4 kompani dhe që gjithçka e ka nisur nga zero jep mendimin e tij bazuar nga përvoja personale.

Sipas tij, në fakt, paratë cash janë mbeturina – inflacioni i ha ato. $ 1,000 në vitin 1960 kishte fuqinë blerëse prej më shumë se $ 8,000 sot.

Kjo është arsyeja pse kursimi i parave është i padobishëm. “Personalisht, unë nuk kursej para. Unë vetëm e ruaj atë për një periudhë të shkurtër kohe derisa mund ta investoj atë.

Ruajtja e parave të gatshme është e pavlefshme, sepse paraja, si çdo letër, është e mirë vetëm kur përdoret. Nëse i lë paratë shumë kohë, ato zhduken.” – thotë Cardone.

Shefi famëkeq i kartelit, Pablo Escobar ishte një nga lordët më të pasur të drogës në histori, duke sjellë 420 milionë dollarë në javë në të ardhura.

Ai shpenzonte 2.500 dollarë në muaj vetëm për llastiqe gome për të mbajtur grumbullimin e faturave së bashku, dhe gati 10 për qind të parave të tij ishin të humbura sepse minjtë do ti hanin ato ose do të dëmtoheshin nga lagështira.

Ruajtja e parave në një bankë nuk është më mirë se kjo. Duhen 833 vjet për të dyfishuar paratë tuaja me normat e sotme të bankës.

Ju nuk mund të merrni as 1 për qind në një llogari kursimi. Inflacioni ha shumë më tepër se kaq! Konkretisht, duke i kursyer paratë, jeni duke i humbur ato.Kjo është arsyeja pse duhet të ruani përkohësisht paratë tuaja dhe pastaj të investoni.

“Paraja, si çdo letër, është e mirë vetëm kur përdoret”. Pata e artë është e mirë vetëm për aq kohë sa bën vezë. Paratë duhet të shumohen, përndryshe, mund ti shpenzoni sa më shpejt që të jetë e mundur.

E njëjta gjë vlen edhe për paratë. Paraja Cash nuk është mbret, përkundrazi, fluksi i parasë është mbret.

Ja se çfarë të bëni me paratë tuaja:

-Investoni në veten tuaj për të rritur të ardhurat tuaja

-Investoni në biznesin tuaj për të rritur të ardhurat tuaja

-Investoni në aktive reale që prodhojnë rrjedhën e parasë

-Sigurohuni që të merrni paratë tuaja dhe të blini me to gjëra që do t’ju bëjnë të keni më shumë para!

Investoni kursimet tuaja. Paraja e gatshme është e vdekur. Qarkullimi i parave është mbreti.

Categories
Ekonomi

Shqiptarët i bëjnë lekët llaç e tulla, Europa teknologji e shpikje

Që shqiptarët janë të dhënë pas ndërtimeve, kjo është e dukshme në çdo cep të vendit. Nga zonat urbane tek bregdeti, një sipërfaqe e madhe toke është betonizuar pas viteve ’90, nisur dhe nga nevojat e mëdha për strehim pas tranzicionit ekonomik. Pas një faze maturimi, ndërtimi ka rifilluar me ritme të vrullshme muajt e fundit, kryesisht në kryeqytet dhe bregdet.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se ndërtimi, sidomos ai i banesave zënë pjesën e luanit të investimeve të brendshme, që është më e larta në rajon dhe Europë. Sipas INSTAT treguesi i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet e brendshme materiale dhe jo materiale) përbëhet në 75% nga ndërtimi, 17% nga pajisjet dhe 8% nga të tjera (transport, bujqësi e kërkime minerare). Brenda ndërtimit, gati 60% shkon për banesa. Të dhënat e fundit i përkasin vitit 2015, por nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me 10 vjet më parë, kur ndërtimi zinte 80% të invesimeve të brendshme në ekonomi.

Formimi bruto i kapitalit fiks është pjesë e shpenzimeve të prodhimit të brendshëm bruto dhe tregon se sa nga vlera e shtuar në ekonomi investohet sesa konsumohet. Shqipëria i bën pjesën më të madhe të parave llaç e tulla, një investim që mund të ndikojë në afatin e shkurtër në rritjen e qarkullimit të parave dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por që në afat të gjatë nuk i jep vlerë të shtuar ekonomisë, teksa nuk ndikon në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë (Shqipëria vijon të mbetet një ndër shtetet me të ardhurat më të ulëta për frymë në rajon dhe Europë).

Europa i përdor paratë krejt ndryshe në krahasim me Shqipërinë. Sipas të dhënave të Eurostat, që i përkasin vitit 2016, investimet e brendshme shkojnë 48% për ndërtim. Pjesa tjetër përdoret në investime në teknologji e shpikje, që rrisin produktivitetin, përkatësisht 31% në pajisje dhe 17% në pronësi intelektuale (shiko grafikun).

Sipas tw dhwnave tw pwrpunuara nga Monitor nga institutet statistikore tw rajonit, edhe në Maqedoni, ndërtimi merr rreth 63% të investimeve, ndërsa pajisjet e makineritë rreth 30%, sa dyfishi i Shqipërisë. Maqedonia është një hap përpara Shqipërisë si për teknologjinë e informacionit ashtu dhe për industrinë, teksa është një prodhues i pjesëve të makinave, si psh katalizatorë nga Johnson Doel, një kompani që kishte të ardhura prej 1.2 miliardë eurosh në 2016-n, tre herë më shumë se sipërmarrja më e madhe në Shqipëri.

Në Mal të Zi dhe Serbi, ndërtimi zë rreth gjysmën e investimeve të brendshme, ndërsa pajisjet e makineritë zënë përkatësisht 37% n Mal të Zi dhe 48% në Serbi.

Kanalizimi i fondeve të lira kryesisht në banesa ka bërë që vendi ynë të ketë peshën më të lartë të ndërtimit në prodhimin e brendshëm bruto në Europë. Me gati 11% të PBB-së, ndërtimi qëndron gati 3 pikë përqindje më lart nga ndjekësi më i afërt, që është Maqedonia. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja kanë qenë më të frenuar në zhvillimin e këtij sektori, që zë mesatarisht 4-6% të PBB-së. Në vendet e Bashkimit Europian, ndërtimi, i maturuar prej vitesh, zë rreth 5.3% të PBB-së. / Monitor.al