Categories
Argëtim

Shën Valentini, çfarë përfaqëson kjo festë, si lindi dhe si hyri në jetën e njerëzve dhe veçanërisht të të dashuruarve

shen valentiniShën Valentini, si çdo festë, është një manifestim gëzimi për një ngjarje të veçantë. Si një dashuri, që nuk është domosdoshmërish e lidhur me një njeri. Tradita për të festuar një festë të veçantë, i ka bazat e saj në zakonin e të fituarit të favorit dhe bekimit hyjnor, përmes ceremonive rituale, për të falënderuar të mirat materiale, për të ofruar sakrifica dhe për të thërritur mbrojtjen e hyjnive. Kjo mund të jetë për pjellorinë e tokës, për lindjen e një fëmije, për lindjen e një martese, për të larguar sëmundjet. Dhe meqë zotërit dëgjojnë, ndërhyrja e tyre e mirë kujtohet dhe rikujtohet nëpër kohëra, duke festuar kujtimin e “paktit” mes zotëve dhe njerëzve, përmes këngëve, valleve, lutjeve dhe ofertave. Festa bëhet kështu kujtesa e një ngjarjeje të veçantë dhe gëzimi për faktin se të kujton të falënderosh zotin për të mirat që të ka dhënë. Në këtë mënyrë, ne festojmë edhe ditëlindjet tona, përvjetorët e martesave, pagëzimet dhe fitoret tona, të gjitha këto, momente me kuptime të veçanta për jetën tonë.

Kjo festë nuk është një përvjetor, domethënë kujtimi është një “zgjidhje” impenjative, që gjithsecili e bën sipas mënyrës së vet. 14 shkurti është një ditë e gëzueshme dhe e këndshme feste, kjo pasi çdo Shën Valentin mund të festohet me një person të ndryshëm. Sepse Shën Valentini nuk është festa e fejesës me dikë, por e të qenit i dashuruar, është kujtimi dhe falënderimi për zotin e erosit, për plagët që na shëron ne të vdekshmëve, kur të tërhequr drejt një qenieje tjetër, biem në atë “maladie d’amour” (sëmundje dashurie), që na komplikon jetën, duke alternuar momente dalldie dhe ekstaze me kriza melankolie, ligështimi dhe vetmie, sapo i dashuri largohet nga horizonti ynë. Shën Valentini është një ditë, në të cilën njihen të dashuruarit, shumica pajtohet me ndjekjen e një zoti ndonjëherë tiran. Po, tiran, sepse dashuria mund të marrë fund dhe të dashuruarit mund të gjenden të vetmuar pikërisht në ditën e Shën Valentinit.

Qytetaria shqiptare e Shën Valentinit

Vetëm pak vjet më parë, diçka më shumë se para një dekade, festa e të dashuruarve mori qytetarinë e një feste të vërtetë edhe për shqiptarët. Aq shumë ra në sy kjo, sa “të rriturit” mendonin se kjo ishte një festë krejtësisht rinore, thuajse “e ndaluar” për ta. Kjo, për shkak të mosnjohjes së festës, historisë dhe domethënies së saj. Ashtu siç ka ndodhur me shumë ngjarje të tjera të veçanta, të konsideruara të rëndësishme për të gjithë pjesën e botës, por të mbajtura larg nga shqiptarët. Por pak nga pak, festimi i Shën Valentinit filloi të mos i bënte më alergjikë prindërit dhe të moshuarit dhe të bënte më të vetëdijshëm të rinjtë, të cilët tashmë e kishin kuptuar se të festosh Shën Valentinin, nuk do të thotë medoemos të bësh namin në dashuri, por të falënderosh një shenjt që bashkon zemrat e njerëzve, të cilët kanë lindur për të qenë bashkë.

Kështu, më 14 shkurt, nga viti në vit, nëpër rrugët dhe qytetet shqiptare, shtohen vajzat dhe djemtë që mbajnë dhurata dhe lule në duar, por shtohen dhe njerëzit që dalin rrugëve, lokaleve dhe parqeve për të festuar një festë që në thelbin e saj i ngre himn një ndjenje mjaft intime. Aq sa vitet e fundit, të shëtitësh sidomos në rrugët e kryeqytetit, më 14 shkurt, është si të marrësh pjesë në paradat e majit më shumë se dhjetë vite më parë. Sepse, çdo e mirë e ka dhe një të keqe, tashmë shqiptarët preferojnë ta festojnë dhe me shumë bujë madje, atë rënien e tyre në dashuri, atë të ndjerin në një planet tjetër, kur çdo gjë të duket e bukur dhe pa të meta.

Por, si çdo fillim, edhe këtu ka ekzagjerime dhe sigurisht që pak kohë më pas, gjërat do të vijnë në vendin e vet dhe kjo festë do të fillojë të marrë kuptimin e saj të vërtetë, atë të një tufe trëndafilash të kuq, të një kutie me çokollata në formën e zemrës, të një darke nën dritën e qirinjve, të një propozimi dashurie, apo më mirë akoma për fejesë, të një dasme me tullumbace dhe aheng.

Categories
Shtëpia

Ide dekorative për Shën Valentinin

Shën Valentini është dita ku të gjithë të dashuruarit mundohen të tregojnë sa më shumë dashurinë dhe këtë e bëjnë në mënyrat më romantike të mundshme. Dekorimi në raste të tilla është gjithmonë një element kyç. Në ju propozojmë disa ide të reja dhe inovative që ndjenjat tuaja ti shprehni në mënyrë sa më origjinale.

1. Dekoroni kokën e krevatit tuaj.
perdeNëse koka e krevatit ndodhet pranë dritares, atëherë ndryshoni perden e dhomës. Ju sugjerojmë perde me copë të derdhur dhe të bardha. Më pas mbi këto perde vendosni disa drita nga ato të Krishtlindjeve. Ju premtojmë që dhoma juaj do të ketë një ndriçim ndryshe.

2. Kthejeni tavanin në qiell me yje.
tavaniZgjidhni shirita dritash të bardha dhe të vogla. Vendosini ato në të gjithë tavanin tuaj. Qoftë në mënyrë sistematike apo të çrregullt. Mundohuni t’i lidhni të gjitha në seri dhe sillni një pjesë qielli në dhomën tuaj dhe dhurojini të dashurës suaj çdo yll që ajo dëshiron.

3. Harrojini qirinjtë!
kavanoz me dritaQirinjtë janë shumë romantikë, por ne ju japim një ide tjetër pak më origjinale dhe me më shumë ngjyra. Zgjidhni disa kavanozë të mëdhenj në forma të ndryshme apo edhe të njëjtat. Mbushini me drita të vogla LED dhe ashtu siç janë vendosini në pika të ndryshme të shtëpisë. Mund të drejtoni të dashurën për tek surpriza e mbrëmjes ose thjesht të krijoni një ndriçim spontan për më shumë atmosferë.

4. Krijoni një album special.
fotoAlbumet murale janë gjithmonë shumë të dashura. Disa fotografi në mur mund të jenë shumë më bukur se albumet e zakonshme. Zgjidhni disa foto nga kujtimet tuaja më të bukura. Vendosini ato në korniza, vërini në mur afër njëra tjetrës dhe rrethojini me drita për të tërhequr sa më shumë vëmendje. Do ta bëni të kujtojë çdo second të kaluar bashkë dhe do ndihet e dashuruar më shumë se kurrë.

5. Zbukurime në xham.
zemer ne xhamNëse Shën Valentinin do ta kaloni ditën dhe opsionet e mësipërme nuk ju tërheqin shumë, mos u mërzisni, ne kemi alternativa të tjera. Formoni me një karton një zemër të madhe. Dhe më pas prijini pjesën e brendshme. Pjesën e hequr zëvendësojeni me një pjesë plastmas ose nëse s’keni mund ta lini pa gjë për momentin. Kornizën e zemrës visheni më copëza farcoletash ngjyrë të kuqe të ngjitura pranë e pranë për të krijuar idenë 3D. Pjesën e pa veshur ngjiteni pas xhamit dhe mesin e mbetur bosh mund ta mbushësh me zemra të tjera të vogla letre ngjyra të ndryshme. Kështu në çdo moment do të reflektoni zemrën tuaj në dhomë.

6. Dekorime në formë zemre.
zemraaDihet që zemra është simboli i festës dhe për këtë arsye ajo është edhe dekorimi kryesor. Mund të bëni varëse në formë zemre e mbushur me fiongo të vogla të lidhura pranë njëra tjetrës duke e mbushur zemrën. Vareni atë nga tavani poshtë e do të duket sikur fluturon në ajër.

Si këto ide ka dhe shumë të tjera pafundësisht..ne ju ftojme që t’i realizoni këto ide dhe pse të krijoni edhe disa të tjera. Çlironi kreativitetin tuaj dhe argëtohuni. Bëjeni vetë!

Përgatiti: Pamela Bejleri

Categories
Travel

10 qytetet për një Shën Valentin romantik

1. Venecia

VeneciaNëse Venecia nuk do të ekzistonte, do të na duhej ta shpiknim…dhe sërisht nuk do të kishim arritur dot kurrë të krijonim të njëjtin perfeksion. Arkitektura marramendase dhe gondolat e famshme veneciane janë ikonat e këtij qyteti fantastik dhe super romantik. Jo më kot Venecia qëndron prej shumë kohësh tashmë në krye të listës të qyteteve më të bukura dhe më romantike. E kush nuk do të donte të ishte për një Shën Valentin në Venecia…?!

2. Parisi

Parisi

I quajtur ndryshe si qyteti i Dashurisë, Parisi mund të jetë një zgjidhje shumë e mirë për të kaluar Shën Valentinin.. sidomos për ju që keni kohë të dashuruar. Nën dritën e hënës, dukë udhëtuar në Champs Elysee e duke e përfunduar udhëtimin tuaj në këmbët e Kullës Eiffel, mund t’i dhuroni një unazë vajzës suaj të zemrës duke e bërë atë të lumtur pafundësisht. Parisi është aty për të gjithë ju që dëshironi një Shën Valentin mbushur me surpriza, sepse në Paris dashuria ndihet në ajër.

3. Praga

PragaQyteti i Pragës mund të jetë gjithashtu një mundësi shumë e mirë për të kaluar një Shën Valentin romantik. Kryeqyteti i Çekisë ofron për të gjithë vizitorët pamje fantastike të qytetit të vjetër e shumë të madh, shoqëruar me pamjet nga ura të lumit që përshkon qytetin. Nëse mendoni se dëshironi të vizitoni një qytet me histori e romantik. Praga është zgjidhja e duhur.

4. Firence

FirenceFirence është sigurisht një ndër qytetet e lashtë të periudhës së Rilindjes Italiane. Ambjentet ende paksa të asaj kohe dhe veprat e mëdha artistike të Mikelanxhelos dhe të Botticelit. Mund të shikoni qytetin nga Piazza Duomo ose nga piazza e Mikelanxhelos. Dhe në përfundim të turit tuaj romantik në qytet, mos harroni të jepni një puthje romantike në “Urën e Vjetër” dhe të shijoni një darkë nën dritën e qirinjve me kuzhinën dhe verën e famshme italiane.

5. Roma

RomaNjë qytet që vjen nga lashtësia, ju ofron një zgjidhje të mirë për të gjithë ju që dëshironi të vizitoni së bashku historinë e Romës së famshme të Gladiatorëve. Ndërkohë që jeni atje mos harroni të hidhni monedha në shatërvanet e shumtë të qytetit dhe të shprehni dëshirat tuaja.. ndoshta ju realizohen.

6. Verona

VeronaE si mund të linim jashtë listës Veronën e Romeos dhe të Xhulietës. Për shkak të historisë më të famshmë dhe më tragjike të dashurisë, Verona është një ndër pikat më të bukura turistike ku mund të vizitoni shumë gjëra sëbashku. Shkoni tek ballkoni i Xhulietës dhe mos harroni të mbyllni emrat tuaj në drynët e dashurisë. Shëtisni në rrugicat e Veronës dhe jetoni në qytetin e vjetër plot kulturë e dashuri.

7. Viena

VienaKy qytet duket sikur është krijuar për ecje romantike dorë për dore, me rrugët monumentale e sheshet rrethore. Kudo të duket se dëgjon muzikën e Mozartit qoftë edhe nëpër rrugë. E kur mendon se je lodhur pranë kishës Shën Stephan mund të merrni një karrocë me kuaj për të vazhduar shëtitjen tuaj tanimë si nëpër përralla më kuaj të bardhë. Vizitoni edhe pallatet mbretërore dhe muzeumet për tu ndjerë si një çift mbretëror.

8. Santorini

SantoriniSantorini, një ishull i vogël vullkanik, i krijuar për të qënë një nga ikonat e turizmit grek. Me shtëpia të vogëla të bardha e me çati tipike në ngjyrën blu, Santorini është imazhi më i mirë përfaqësues i Greqise. Në vitin 2011, është shpallur ishulli më i bukur në botë nga gjigandi mediatik BBC. Prej vitesh ishulli i bukur mbi kodër i Santorinit është një ndër pikat më të vizituara në Europë dhe konsiderohet si një ishull shumë romantik. Në këtë ishull janë xhiruar edhe shumë komedi romantike. Pra nëse keni mundësi, Santorini mund të jetë arratisja juaj romantike.

9. Buenos Aires

Buenos AiresNëse keni një shpirt pasionant dhe doni të vizitoni një vend ndryshe, Buenos Airesi në Argjentinë mund të jetë vendi i duhur për ju. Qyteti i Tangos është një miksim sensual i elegancës europiane dhe joshjes Amerikano latine. Me një arkitekturë monumentale, bulevardet e medha dhe darkat jashtë, Buenos Aires është qyteti i duhur për pasion.

10. Rio De Janeiro

Rio De JaneiroNjë ndër qytetet më të mëdha të Amerikës Latinë, Rio De Janeiro është gjithashtu një vend shumë i bukur për t’u vizituar për Shën Valentin. I njohur si qyteti i karnavaleve, Rio ka dhe anën e saj romantike. Plazhet e bukur e pafund buzë qytetit, janë gjithmonë aty për çdo arratisje nga qyteti për pak qetësi. Nëse pëlqeni të shikoni peisazhet dhe të fotografoni, mund të vizitoni monumentin më të madh në vend, atë të Jezu Krishtit dhe nga andej të zbrisni sërisht në qytet me teleferik duke parë kështu edhe të gjithë Rion.

Përgatiti: Pamela Bejleri

Categories
Kuzhina

Fletë zemre për Shën Valentinin

Një ëmbëlsirë interesante, e shijshme dhe e lehtë për t’u përgatitur. Për më tepër është në formë zemre, perfekte për Shën Valentinin.

Përbërësit për 4 persona:

Një pako me petë sfogliat
250 gr reçel qershije ose luleshtrydhe
40 gr sheqer
Përgatitja:

Fillimisht ngrohni furrën në 220 °C. Hapni petën dhe filloni ta shponi në të gjithë sipërfaqen me një pirun. Nëse peta është e rrumbullakët, pritini anët duke përftuar një formë drejtkëndore.
Shpërndajeni reçelin në mënyrë uniforme në petë, por pa e ekzagjeruar me sasinë.
Rrotullojini anët e petës në mënyrë të barabartë nga të dyja anët.
Kur të dyja anët të afrohen me njëra-tjetrën, ngjeshini lehtësisht së bashku.
Cilindrin që përftuam e vendosim për 20 min në frigorifer.
Pas nxjerrjes nga frigoriferi e presim cilindrin në feta 1-2 cm dhe i vendosim në tavë, pasi kemi shtruar letër furre.
Spërkateni me pak sheqer secilen nga fetat ( zemrat ) dhe futeni menjëherë në furrë.
Lëreni të piqet për rreth 15 min ose deri sa peta të ketë marrë një ngjyrë ari dhe sheqeri të jetë karamelizuar.
Lërini zemrat e sfogliatës në temperaturë ambjenti përpara se ti servirni.
Shikoni fotot me hapat përkatës në çdo fazë. Ju bëftë mirë!

Përgatiti: Romina Ziu