Categories
Aktualitet Statistika

Gjykata e Tiranës, 1671 kërkesa për divorce janë depozituar në 9 muaj, në rritje me vitin e shkuar

Sipas statistikave të Gjykatës së Tiranës, në harkun kohor të 9 muajve janë depozituar në total 1671 padi për zgjidhje martese. Koha e shqyrtuar është nga 1 janari deri më 2 tetor 2018. Ndër to, 461 janë të përfunduara. Pjesa tjetër, më shumë se 70 % e çështjeve të ardhurave këtë vit për zgjidhje martese janë ende në shqyrtim.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, paditë për zgjidhje martese në 9 mujorin e 2017 ishin 1563, ndër të cilat 447 çështje të zgjidhura. Ka një rritje të numrit të kërkesave për divorc me rreth 7 %.

Edhe paditë për pension ushqimor janë në total 26, ndër të cilat vetëm 8 çështje janë përfunduar. Sipas specialistëve, kjo ndodh në rastet kur bashkëshorti pjesë e procesit të divorcit, mohon dhënien e pagesës mujore së detyruar për fëmijën ose caktohet nga vetë gjykata pagesa minimale e parashikuar. Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës kanë deklaruar më parë për “Monitor” se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi.

Në kategorinë e çështjeve gjyqësore që i përkasin çështjeve familjare, janë më rritje numri i lëshimit të urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes, në total për 9 muaj kanë arritur 725 të tilla, ndër të cilat vetëm 27 janë çështje të përfunduara. Vitin e shkuar numri total i tyre ishte 570, ekzekutimi i të cilave ishte më pak se 20.

INSTAT raportoi që në 2016-n kishte rreth 5500 divorce, niveli rekord ky i historisë së pas tranzicionit, me gati 25 divorce për çdo 100 martesa. Të larta kishin qenë ndarjet edhe në 2015-n, me 21 divorce për 100 martesa.

Avokatja e çështjeve civile e familjare av. Margarita Kola ka thënë më herët për “Monitor” se arsyet e rënies së numrit të divorceve vitin e shkuar lidhen kryesisht me faktin që shqiptarët po martohen më pak dhe po bashkëjetojnë më shumë.

Categories
Informacion

OBSH/ Ja ku renditet Shqiperia ne rajon per konsumin e alkoolit

Europa kryeson në botë për vdekjet nga përdorimi i alkoolit

Më shumë se 3 milion njerëz vdiqën si pasojë e përdorimit të dëmshëm të alkoolit në 2016, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) së fundmi. Kjo përfaqëson 1 në 20 vdekje. Në përgjithësi, përdorimi i dëmshëm i alkoolit shkakton më shumë se 5% të barrës globale të sëmundjes.

Sipas shifrave në databazën e OBSH, në Shqipëri konsumohet 7.5 l alkool /njeri, për vitin 2016. Konsumin më të lartë për frymë të alkoolit në rajon e ka Serbia, ku sipas të dhënave është 11.1 litra.

Më pas renditet Mali i Zi, ku konsumi i alkoolit për frymë për grup-moshën mbi 15 vjeç, me 8.0 litra për frymë dhe Bosnja me 6.4 litra për frymë (rreth 1 litër më shumë se në Shqipëri). Mesatarja e Bashkimit Europian për konsumin e alkoolit është 10.6 litra, ndërsa e vendeve me të ardhura të larta është 9.3 litra.

Nga të gjitha vdekjet që i atribuohen alkoolit, 28% vijnë për shkak të lëndimeve, të tilla si ato të trafikut, vetëdijes dhe dhunës ndër-personale, thekson OBSH në raport. Pjesa tjetër, në të gjithë botën, ndodhin përkatësisht 21% për shkak të çrregullimeve të tretjes; 19% për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, dhe pjesa e mbetur për shkak të sëmundjeve infektive, kancerogjene, çrregullimeve mendore dhe kushteve të tjera shëndetësore.

“Pavarësisht nga disa tendenca pozitive globale në menaxhimin e përhapjes dhe numrin e vdekjeve të lidhura me alkoolin, vihet re që nga viti 2010, barra e përgjithshme e sëmundjeve dhe dëmtimeve të shkaktuara nga përdorimi i dëmshëm i alkoolit është në rritje, veçanërisht në Rajonin Evropian dhe në Rajonin e Amerikës.”- theksohet në raport.

Globalisht rreth 237 milionë burra dhe 46 milionë gra vuajnë nga çrregullimet e përdorimit të alkoolit me prevalencën më të lartë midis burrave dhe grave në rajonin evropian (14.8% dhe 3.5%) dhe Rajoni i Amerikave (11.5% dhe 5.1%). Çrregullimet e përdorimit të alkoolit janë më të zakonshme në vendet me të ardhura të larta.

Konsumi global parashikohet të rritet në 10 vitet e ardhshme

Rreth 2.3 miliardë njerëz janë konsumues të alkoolit momentalisht. Alkooli konsumohet nga më shumë se gjysma e popullsisë në tri rajone të OBSH-së – Amerika, Evropa dhe Paqësori Perëndimor. Evropa ka konsumin më të lartë për frymë në botë, megjithëse konsumi litra/banor ka rënë me mbi 10% që nga viti 2010. Tendencat aktuale dhe parashikimet tregojnë një rritje të pritshme të konsumit global të alkoolit për frymë në 10 vitet e ardhshme, veçanërisht në Azinë Juglindore dhe rajonet e Paqësorit Perëndimor dhe Rajonin e Amerikave.

Faktet kryesore

– Në mbarë botën, 3 milion vdekje çdo vit rezultojnë nga përdorimi i dëmshëm i alkoolit, kjo përfaqëson 5.3% të të gjitha vdekjeve.
– Përdorimi i dëmshëm i alkoolit është një faktor shkaktar në më shumë se 200 sëmundje dhe gjendje dëmtimi.
– Në përgjithësi, 5.1% e barrës globale të sëmundjeve dhe dëmtimeve i atribuohet alkoolit, siç matet në vitet e jetës së rregulluar me aftësi të kufizuara.
– Konsumi i alkoolit shkakton vdekjen dhe aftësinë e kufizuar relativisht herët në jetë. Në grupmoshën 20-39 vjeç rreth 13.5% e totalit të vdekjeve u atribuohen alkoolit.
– Ekziston një marrëdhënie shkakësore midis përdorimit të dëmshëm të alkoolit dhe një sërë çrregullimesh mendore dhe të sjelljes, kushteve të tjera jo të komunikueshme, si dhe lëndimeve.
– Studime më të fundit vendosin lidhje midis pijes dhe incidencës së sëmundjeve infektive si tuberkulozi, si dhe rrjedhën e HIV / AIDS.
– Përtej pasojave shëndetësore, përdorimi i dëmshëm i alkoolit sjell humbje të konsiderueshme sociale dhe ekonomike për individët dhe shoqërinë në përgjithësi./Monitor

Categories
Statistika

Vrasjet në Shqipëri / Shqipëria ka numrin më të lartë të vrasjeve në rajon

Shqipëria ka numrin më të lartë të vrasjeve në rajon për 100 mijë banorë. Ky është rezultati i hulumtimit të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe Qendrës për Çështje Evropiane, që kanë punuar mbi të dhëna të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Hulumtimi shtrihet në vitet 2008-2011 dhe analizon të dhënat për krime kundër jetës, ku përfshihen vepra penale, si vrasje, vrasjet e mbetura në tentativë si dhe vrasjet nga pakujdesia. Gjithashtu, hulumtimi zbardh të dhëna dhe mbi krimet kundër pronës. Gjergji Vurmo i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, ka punuar për këtë hulumtim.

Për vitin 2008-2009, Shqipëria ishte pak më lart sesa mesatarja e rajonit me një shifër prej 2,7-2,9 vrasje për një popullsi prej 100 mijë banorësh. Në vitin 2010, kjo shifër sipas ndërkombëtarëve ka arritur në 4. Në vitin 2011 kjo shifër është rritur me 40 për qind, krahasuar me 2010”,- thotë Vurmo.

Në grupin e krimeve kundër pronës, vjedhjet, kryesisht ato me dhunë kanë shënuar një rritje shqetësuese në vitet 2010-2011. “Minimalisht, në dy vitet e fundit për shumicën e krimeve të analizuara kemi një kurbë në rritje të kriminalitetit, të veprave penale të regjistruara në Shqipëri. Ka krime të veçanta, siç janë vjedhjet, të cilat kanë një kurbë në rritje prej vitit 2008. Në periudha të caktuara, krahasuar njëri 3-mujor i 2008 me 3-mujorin e fundit të 2011-ës, ka një rritje gati 500 për qind vetëm të kësaj vepre penale. Rritje të konsiderueshme ka edhe vepra penale e vrasjes sidomos në vitin 2011”,- shprehet Vurmo. Sipas tij, gjatë analizës së të dhënave, është vënë re një fakt interesant, një rritje e krimit në vitet 2010 -2011, në kulmimin e krizës politike në Shqipëri. “Gjatë vitit 2008, periudhë e një klime politike më të relaksuar tendencat e krimit gjatë vitit 2008 kanë qenë brenda limiteve normale. Pas 2009-ës, sidomos 2010-2011 kur edhe vetë kriza politike u ashpërsua ndjeshëm, vërejmë gjithashtu një rritje të frikshme të kriminalitetit në vend”.

Open Data Albania, një projekt për Transparencë dhe Inovacion u angazhua në publikimin e këtij hulumtimi. Aranita Brahaj drejtore ekzekutive e projektit, thotë se situata është shqetësuese për shkak se nuk ka ende një strategji që të parandalojë krimin.

“Në të gjithë këto vite që përkojnë me statistikën e zbardhur, pra në 4 vitet e fundit, por në tërësi në 6 apo 7 vitet e fundit, nuk kemi ndonjë strategji shtetërore e cila përkon me shumë institucione apo me shumë agjenci, për të bërë të mundur parandalimin e krimit apo rehabilitimit e viktimave të krimeve fizike dhe krimeve të rënda”.

“Dhe duket qartë po ta shohësh edhe nga kronikat televizive ose nga fotografimi real që media u bën ngjarjeve këto krime kanë të bëjnë me viktima të cilat më parë janë bërë pjesë e një konflikti ose një vrasjeje të mëhershme në mjedisin familjar dhe në pamundësi për të gjetur një zgjidhje ose për të pasur një shpagim për autorët e këtyre krimeve të mëparshme, konfliktet përshkallëzojnë deri në krime të tjera më të rënda fizike apo në krime që përkojnë me kontekstin e gjakmarrjes”,- thekson Brahaj. Ajo thotë se hulumtimi nuk jep, në fakt, realitetin në terren të krimit, për shkak të mungesës së të dhënave.

Po të shohësh me kujdes, as Ministria e Drejtësisë, as Prokuroria e Përgjithshme dhe as Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, nuk të japin statistikë të qartë sesa është numri i viktimave. Pra, gjen në statistikë shifra për vrasjet, për procedime penale, për vepra penale të kryera në bazë të një neni të caktuar apo një tjetri, por nuk gjen numrin e viktimave, dhe nuk ka një data-baze që të përkojë më numrin e viktimave. Dhe çfarë ndodh? Nëse nuk ke arritur që të shënosh numrin e viktimave, do të thotë që as nuk të ka shkuar ndërmend të merresh me rehabilitimin e tyre”. Brahaj thotë se duhet të krijohet një zinxhir institucionesh dhe komunitetesh, i cili do të ndikonte në uljen e kriminalitetit.

Natyrisht, është për t’i kërkuar llogari Policisë së Shtetit. Ajo ka punën e saj, por pjesa e mënyrës së kontrollit të problematikës së kriminalitetit fizik nuk i përket vetëm policisë së shtetit. Duhet krijuar një zinxhir institucionesh dhe komunitetesh të cilat punojnë së bashku për të pasur më pak kriminalitet”,- thotë Brahaj.

Ndërsa Gjergj Vurmo, thotë se zgjidhja për këtë situatë tejet problematike me krimin në Shqipëri nuk duhet kërkuar vetëm te Policia e Shtetit. “Shqetësues është fakti se institucionet përkatëse nuk po reagojnë siç duhet ndaj këtyre tendencave dhe me institucionet përkatëse në radhë të parë është policia. Por parandalimi nuk është thjesht dhe vetëm detyrë e policisë, përkundrazi. Për parandalimin e krimeve kemi përgjegjësi të gjithë, duke filluar nga qytetarët si individë e deri tek të gjitha institucionet publike dhe jo publike, përfshirë edhe institucionet civile që duhet të jenë më të ndjeshme”.