Categories
Uncategorized

Ditët e nxehta të verës, kujdesi që duhet treguar për fëmijët

I nxehti përvëlues dhe dielli i pranishëm gjatë muajve të verës ndikon negativisht tek fëmijët e vegjël. Megjithëse njihen dobitë e diellit, ekspozimi i tepërt sjell me vete pasoja të dëmshme dhe madje vdekjeprurëse.

Gjatë muajit të parë fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj të ftohtit. Për këtë arsye ato duhen mbrojtur dhe mbështjellë mirë gjatë këtij muaji. Koka përbën pjesën më të madhe të trupit kur fëmija lind. Dhe nuk duhet të harroni se edhe humbja më e madhe e energjisë ndodh në kokë. Pas muajve të parë, fëmija duhet të vishet sipas temperaturës së ambientit. Ç’është e vërteta fëmijët ndryshojnë nga njëri-tjetri. Prandaj nuk ka rëndësi nëse ne themi se fëmija duhet veshur me një bluzë apo me tre. Por gjatë muajve të verës mjafton një bluzë pambuku. Edhe kapela është një pikë e rëndësishme sepse do t’i duhet për t’u mbrojtur nga dielli. Nëse mbrëmjeve është më fresk mund t’i vishet diçka me mëngë të gjata dhe pantallona. Veshjet duhet të jenë 100 për qind pambuk, me ngjyra të hapura, preferohen nga ato pa stampime e bojëra të ndryshme. Fëmijët duhet të ushqehen me gji sapo të lindin. Vetëm fëmijët e ushqyer me gji nuk kanë nevojë të pine ujë.

Por kur fillojmë ushqimin shtesë, duhet t’i fillojmë dhe ujin. Pas ushqimit uji është nevoja themelore e fëmijës. Gjatë verës, ai djersit më shumë, prandaj këshillohet konsumimi i ujit dhe lëngjeve të tjera.

Një nga problemet më të shpeshta të shfaqura me ardhjen e verës dhe rritjen e temperaturave janë puçrrat. Ato shfaqen, zakonisht, pas djersitjeve të shpeshta. Kur rritet nxehtësia e ambientit rritet dhe nxehtësia e trupit. Fëmija fillon të djersijë për të ekuilibruar nxehtësinë. Nëse është shumë nxehtë dhe fëmija nuk lahet shpesh atëherë mund të kemi bllokim të poreve. Kur bllokohen gjëndrat e djersës në atë zone shfaqen skuqje dhe njolla. Puçrrat dalin më shumë në gjoks, shpatulla dhe qafë. Për ta minimizuar daljen e tyre këshillohet veshja e rrobave të rehatshme dhe të bollshme, bërja e banjave të shpeshta. Kremrat e yndyrshëm mund të mbyllin kanalet e djersës dhe të pengojnë djersitjen, në këtë rast, shohim dhe një shtim të puçrrave.

Një tjetër problem i hasur shpesh gjatë verës është dhe djegia apo goditjet e diellit. Rruga më e lehtë e parandalimit të këtyre pasojave është mosdalja në diell në oraret më të nxehta. Në varësi të zonës ku ndodhemi ne nuk duhet të dalim në diell zakonisht nga ora 10.00-16.00, daljet në diell në mëngjes dhe mbrëmje do ju mundësojnë marrjen më të shëndetshme të rrezeve të diellit. Të përdoren kremrat solar, para se të dilni në diell. Gjatë përzgjedhjes së kremit solar duhet parë nëse është apo jo rezistent ndaj ujit dhe faktorin mbrojtës. Kremi duhet të përdoret rregullisht dhe disa herë në ditë për të mundësuar një mbrojtje efektive. Nëse keni djegie në trup nuk duhet të dilni në diell derisa t’ju kalojë. Përdorimi i kapelave të mëdha gjatë verës do ju ndihmojë të mbroni fytyrën dhe shpatullat.

Edhe diarreja është një problem i shfaqur më shumë gjatë verës. Shkaku i shfaqjes më shpesh gjatë verës është prodhimi më i shpejtë i mikroorganizmave në ambient të nxehtë. Krahas kësaj, gjatë verës fëmijët hyjnë më shpesh në pishinë apo det dhe duke gëlltitur ujë ato marrin më shumë mikroorganizma nga goja. Rruga më e lehtë e parandalimit të diarresë gjatë verës është përdorimi i ujit të pastër dhe të kontrolluar për të pirë dhe larë produktet ushqimore. Nuk duhen konsumuar produktet që presin shumë në diell. Të kihet kujdes ndaj produkteve të gatshme dhe datës së skadencës. Veçanërisht akulloret të cilat konsumohen shumë gjatë muajve të verës. Produktet me qumësht, krem, majonezë apo mish prishen shumë shpejt. Për të zëvendësuar lëngjet e humbura gjatë diarresë duhet filluar menjëherë kura kundër mikroorganizmave shkaktare të saj. Nëse fëmija juaj ka diarre çojeni menjëherë tek mjeku.

Stina e verës është periudha ku prindërit kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre. Krahas kësaj është dhe periudha ku shfaqen më shpesh diarretë, djegiet, sëmundjet e lëkurës, humbjet e lëngjeve të trupit. Gjatë pushimeve fëmijët i ekspozohen më shumë rreziqeve. Për këtë arsye gjatë kësaj periudhe fëmija duhet mbajtur nën kontroll dhe gjithnjë pranë jush.

Për të shijuar më shumë kohën e kaluar me fëmijën tuaj është e rëndësishme të bëni një përzgjedhje të shëndetshme dhe të sigurt të lodrave të tij. Lodrat e plazhit do ta zbavitin shumë atë. Por në të njëjtën kohë duhet të ndikojnë në zhvillimin e zgjuarsisë së tij. Lodrat e plazhit duhet të rrisin dhe interesin e fëmijës për ujin.

Categories
Kuzhina

“Sangria”, Koktejli spanjoll i dashurisë

Sangria është një pije alkoolike e ëmbël me origjinë spanjolle, që shërbehet e freskët dhe konsumohet jashtë vakteve. Emri “Sangria” e ka prejardhjen nga fjala sangre, që do të thotë gjak, për shkak të ngjyrës së kuqe që ka . Kjo pije ka shumë variante recetash dhe ne do t’ju paraqesim një prej tyre. Gjithsesi linja bazë e Sangrias është : verë e kuqe, fruta dhe sheqer.

Përbërësit:

1 liter verë e kuqe

120 gr sheqer

1 shkop vanilje

2 shkopinj kanellë

6 copë karafil

1 gotë e vogël Brandy

1 mollë

2 portokall

2 limon

2 pjeshkë (mund të zëvendësohet më luleshtrydhe ose çdo lloj fruti tjetër )

500 ml ujë me gaz

Pregatitja

Zgjedhim një tas të madh mjaftueshëm që mund të mbaje përbërësit kryesorë si vera, sheqerin, likerin (brandy), aromatizuesit, po ashtu edhe lengun e një limoni dhe portokalli. Këto përbërës fillojmë t’i përziejmë mirë me njëra-tjetrën.

Më pas lajmë frutat, i heqim farat mollës dhe pjeshkëve dhe i prisim në kubik. Prisim në kubik edhe gjysmëm limoni dhe portokalli. Gjysmat e mbetura të limonit dhe portokallit i presim në feta .

I hedhim frutat tek tasi i verës dhe i përziejmë të gjitha bashkë. E vendosim Sangrian (masën) në frigorifer për disa ore (të gjithë natën nëse është e mundur). Kjo pasi e kemi mbuluar tasin me qese kuzhine. Në momentin e servirjes shtojmë ujin me gaz dhe pak akull.

Përgatiti: Romina Ziu